×
  • Lajme
  • Lajme

    Franca e Holanda vazhdojnë ta pengojnë liberalizimin e vizave për Kosovën

    Reporteri
    01 Dhjetor 2020 | 20:41

    Franca dhe Holanda mbesin shtetet, të cilat e pamundësuan liberalizimin e vizave për Kosovën gjatë presidencës gjermane të Bashkimit Evropian, e cila mbaron më 31 dhjetor. Më 1 janar, presidencën e BE-së e merr Portugalia.


    Presidenca gjermane nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me atë se a ka plane që çështja e liberalizimit të vizave të vendoset në rend dite të Këshillit të BE-së.

    Burimet diplomatike në BE kanë thënë se pengesa kryesore për përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën, vazhdon të jetë Franca, e cila aktualisht nuk e mbështet liberalizimin e vizave. Qëndrimin aktual të Francës e ka mbështetur edhe Holanda.

    Sipas këtyre burimeve diplomatike në BE, ka edhe disa shtete që hezitojnë por, po të pajtoheshin Franca dhe Holanda, atëherë do të ishte më e lehtë të merrej vendimi pozitiv për Kosovën, për të cilin në Këshillin e Bashkimit Evropian do të mjaftonte edhe shumica e kualifikuar e vendeve anëtare të BE-së.

    Arsyet që përmenden nga Franca dhe Holanda, siç kanë përcjellë burimet diplomatike evropiane, kanë të bëjnë edhe me numrin e azilkërkuesve nga Kosova dhe nga vendet për të cilat tashmë janë hequr vizat, por edhe me vlerësimin e tyre se Kosova duhet të bëj më shumë në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Disa diplomatë kanë thënë se “Franca e Holanda, vlerësimin e Komisionit Evropian se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet e shohin si tepër të nxituar”.

    Qeveria e Kosovës: Nuk ka premtim konkret nga Macroni për liberalizimin e vizave

    Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, nuk ka marrë ndonjë premtim konkret nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, për mundësinë që brenda këtij viti të ketë liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës, konfirmojnë zyrtarët e Qeverisë së Kosovës.

    Në takimin virtual që kryeministri Hoti dhe presidenti francez Macron e kanë zhvilluar më 19 nëntor, siç thotë për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Antigona Baxhaku, janë diskutuar tema të ndryshme që kanë të bëjnë me zhvillimet aktuale politike në Kosovë.

    “Mirëpo, sa i përket liberalizimit të vizave, nuk ka pasur ndonjë premtim konkret që ky proces do të përmbyllet brenda këtij viti dhe nuk janë dhënë afate konkrete. Janë pajtuar (Hoti dhe Macron) që të vazhdojë komunikimi midis Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Francës lidhur me çështjen e migracionit dhe çështjet e tjera që bëjnë pjesë në shqetësimet që i ka konkretisht Franca lidhur me procesin e liberalizimit”, theksoi Baxhaku.

    Ajo shtoi se tashmë ekziston mekanizmi për adresimin e këtyre shqetësimeve dhe verifikim, ku zhvillohen takime në nivel të ekspertëve, e të cilat pasohen me takimin në nivel politik midis ministrave të brendshëm të të dyja vendeve.

    Sipas saj, një takim i këtij lloji tashmë është mbajtur dhe “ka qenë shumë i suksesshëm”, ndërkaq që pritet që deri në fund të vitit të mbahet edhe një takim tjetër. Ky takim siç theksoi ajo, i ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Agim Veliu me homologut të tij francez, pritet të jetë online, marrë parasysh situatën me pandeminë e koronavirusit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!