×
  • Lajme
  • Lajme

    G7: Kosova dhe Serbia të angazhohen me konstruktivitet në dialog dhe të implementojnë marrëveshjet e kaluara

    Reporteri
    14 Maj 2022 | 17:42

    Në Gjermani janë mbledhur sot ministrat e Jashtëm të G7, Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Japonisë, SHBA-së si dhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borell.

    komunikatën e përbashkët të lëshuar për media përmendet situata në Ukrainë, teksa potencohet se agresioni rus në këtë shtet është një moment vendimtar për shekullin e 21-të dhe bart pasoja dramatike që shkojnë edhe përtej Evropës, shkruan Reporteri.net.

    G7 potencon se mbeten të palëkundur në angazhimin e tyre për të mbrojtur paqen, të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit, sigurinë njerëzore dhe barazinë gjinore, derisa u kanë bërë thirrje  edhe partnerëve të bashkohen në këto përpjekje.

    “Ne dënojmë, në termat më të ashpër të mundshëm, luftën e pajustifikueshme, të paprovokuar dhe të paligjshme të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës. Rusia ka shkelur hapur rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla, të drejtën ndërkombëtare dhe parimet humanitare dhe ka shkelur parimet themelore të dakorduara botërisht dhe ligjërisht të detyrueshme si bashkëpunimi paqësor, sovraniteti, vetëvendosja dhe integriteti territorial. Ne mbetemi të palëkundur në angazhimin tonë për të mbrojtur paqen, të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit, sigurinë njerëzore dhe barazinë gjinore, siç njihet nga e drejta ndërkombëtare, duke përfshirë Kartën dhe konventat e OKB-së, dhe u bëjmë thirrje partnerëve tanë të bashkohen me ne në këto përpjekje. Suksesi ynë do të varet nga mbrojtja më e fortë, siguria ekonomike dhe aleancat më të thella globale me miqtë dhe partnerët”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.

    Ministrat e G7, kanë rikonfirmuar përkushtimin ndaj perspektivës evropiane të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor për të garantuar sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit.

    Ata kanë përgëzuar shtetet e Ballkanit Perëndimor  për rreshtimin krah Perëndimit në  vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, pas agresionit në Ukrainë, derisa i kanë bërë thirrje edhe Serbisë që ta bëjë të njëjtën gjë.

    “Ne ripohojmë përkushtimin tonë ndaj perspektivës evropiane të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor për të garantuar sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit. Ne mirëpresim që Ballkani Perëndimor të qëndrojë i bashkuar në dënimin e luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, veçanërisht në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Ne përgëzojmë Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut për përafrimin e plotë të politikave të tyre të jashtme me BE-në, përfshirë sanksionet dhe zbatimin e tyre. Ne i bëjmë thirrje Serbisë të bëjë të njëjtën gjë. Ne mirëpresim përafrimin e Bosnjës dhe Hercegovinës me masat kufizuese të BE-së ndaj Rusisë dhe përafrimin unilateral të Kosovës me ato masa. Ne duhet të vazhdojmë të ndihmojmë Ballkanin Perëndimor që të reduktojë varësinë e tyre nga hidrokarburet ruse dhe cenueshmërinë ndaj detyrimit ekonomik”, thuhet në komunikatë.

    Ministrat e G7 kanë thënë se Kosova dhe Serbia duhet të normalizojnë raportet e tyre përmes një marrëveshje gjithpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme e cila do të mundësojë realizimin e perspektivave evropiane të të dy shteteve dhe që kontribuon në stabilitetin rajonal dhe përfitojnë të gjithë njerëzit në rajon.

    “Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, të zbatojnë plotësisht të gjitha marrëveshjet e kaluara pa vonesa dhe të normalizojnë marrëdhëniet e tyre përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme, e cila do të mundësojë realizimin e perspektivave të tyre përkatëse evropiane kontribuojnë në stabilitetin rajonal dhe përfitojnë të gjithë njerëzit në rajon”, thuhet në komunikatë./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!