×
  • Lajme
  • Lajme

    Gani Bajraktari përmes padisë kërkon kthimin në postin e drejtorit të Kardiologjisë

    Reporteri
    17 Mars 2023 | 17:31

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të premten është mbajtur vazhdimi i shqyrtimit kryesor, në rastin ku ish-drejtori i Klinikës të Kardiologjisë, Gani Bajraktari ka paditur Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar (ShSKUK), ku po kërkon kthimin në postin e ushtruar si drejtor.

    Në këtë seancë, të pranishëm ishin përfaqësuesi i paditësit Bajraktari, avokati Selim Nikçi, ndërsa për Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar (ShSKUK), përfaqësuesi Dibran Zogaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Në fillim të seancës, u deklarua avokati Nikçi, i cili theksoi se bazuar në parimin e legalitetit, i cili sipas tij vlen edhe në çështjet disiplinore, del se në këtë rast nuk është identifikuar ndonjë shkelje disiplinore nga ana e paditësit.

    “Duke pasur parasysh faktin se gjykata e vlerëson ligjshmërinë e vendimit por assesi nuk e merr rolin e punëdhënësit, atëherë në prani të fakteve të cilat provohen me prova konkrete, rezulton se vendimi i të paditurës është tërësisht i kundërligjshëm por edhe propozimi që i njëjti të anulohet si i tillë”, tha Nikçi.

    Gjatë seancës, pala e paditur i ka dorëzuar gjykatës si prova: Rregulloren mbi Marrëdhënien e Punës si dhe aktakuzën e 14 qershorit 2016.

    Lidhur me këto, avokati Nikçi tha se në vendimin me të cilin Bajraktari është pezulluar nga posti i drejtorit, e paditura nuk i është referuar asnjërës prej dispozitatve të këtyre akteve nënligjore. Ai shtoi se është pa kurrfarë relevance fakti që të nëjtat dorëzohen në shikim, në këtë seancë.

    Në anën tjetër, përfaqësuesi Zogaj në lidhje me rregulloret e dorëzuara, ka thënë se janë akte nënligjore të nxjerra nga vetë institucioni shëndetësor, i cili është shumë kompleks dhe specifik në punën profesionale të cilën e ushtrojnë profesionistët shëndetësor dhe punonjësit tjerë në këto institucione.

    Sipas Zogajt, përveç këtyre akteve nënligjore, punonjësit e kanë nënshkruar edhe kontratën e punës, e sidomos në rastin për udhëheqësit e Klinikave ku qartë e kanë të specifikuar që të njëjtit janë të obliguar si udhëheqës të sjellin imazh të mirë ndaj institucionit.

    Pas kësaj, avokati Nikçi ka ngritur pretendimin se e paditura nuk ka arritur të argumentojë nëse në rastin konkret është zbatuar ndonjëra nga dispoztat e rregullores së lartcekur, të dorëzuar në seancë.

    “Nuk ka prova që paditësi të jetë thirrë në takim nga komisioni ankesave, siç parashihet me dispozitat e kësaj rregullore. Nuk ka prova që lidhur me ankesën e paditësit të jetë njoftuar Organizata e Sindikatës siç parasheh rregullorja, e gjithashtu nuk provohet të jetë mbajtur seancë dëgjimore lidhur me ankesën e paditësit. Nuk provohet që të ketë pas procesverbal nga Komisioni i Ankesave, mangësi këto të cilat vendimin e bëjnë tërësisht të kundërligjshëm”, ka deklaruar ai.

    Ndërsashtoi se aktakuza nuk e ngarkon paditësin për ndonjë veprim apo lëshim që përbën vepër penale në vendin e punës.

    Zogaj e kundërshtoi pretendimin e avoaktit Nikçi, duke shtuar se në rastin e nxjerrjes së një vendimi zakonisht përpilohet procesverbal, duke e përfshirë në procedurën e vendimit sikur është e paraparë me rregullore edhe përfaqësuesin e Sindikatës.

    Lidhur me këto, ai shtoi se theksimet e tilla mund të provohen me anë të provave të cilat veçse i posedon institucioni dhe të njëjtat mund t’i sjellë në një afat të dhënë nga gjykata.

    Pas deklarimeve të përfaqësuesve të palëve ndërgjyqëse, gjykatësja Ilire Vitija përmes aktvendimit, e ka detyruar të paditurën që në afat prej shtatë ditësh të dorëzojë në gjykatë provat për zhvillimin e procedurave ndaj paditësit, për të cilat theksoi se i posedojnë.

    Ndryshe, ish- drejtori i Klinikës të Kardiologjisë Prof. Dr. Gani Bajraktari bashkë me 37 të akuzuar të tjerë po përballen me aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ku po akuzohen për veprat penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrje ryshfeti, në rastin e njohur ndryshe si “Stenta 2”.

    Pasi që e paditura ShSKUK kishte ushtruar ankesë kundër aktgjykimit të shkallës së parë, Gjykata e Apelit ka nxjerrë aktvendim më 11 nëntor 2022, ku në seancën e kolegjit të mbajtur më 9 nëntor 2022 kishte vendosur të prishet aktgjykimi i shallës së parë në pjesën miratuese të tij, duke e kthyer lëndën në rigjykim dhe rivendosje.

    Gjykata Themelore në Prishtinë kishte marrë aktgjykim më 18 dhjetor 2020, përmes të cilit e kishte aprovuar pjesërisht si të bazuar kërkesëpadinë e paditësit Bajraktari.

    Gjykata e ka anuluar si të pabazuar paragrafin e dytë të dispozitivit të vendimit të Komisionit të Ankesave të ShSKUK-së, lidhur me pezullimin e paditësit nga posti si drejtor.

    Përmes aktgjykimit të lartcekur, gjykata e kishte detyruar të paditurën që në emër të kompensimit të të ardhurave përsonale, t’ia paguajë paditësit shumën prej 2 mijë e 157 euro, ndërsa në emër të kontributit personal, shumën prej 252 euro si dhe në emër të tatimit në pagë shumën prej 240 euro, po ashtu edhe t’ia paguajë paditësit shpenzimet procedurale 1 mijë e 97 euro.

    Ndërkaq, gjykata e kishte refuzuar pjesën e kërkesëpadisë ku paditësi ka kërkuar kthimin në vendin e punës, si dhe kompensimin e diferencës së pagave mujore nga 8 shtatori 2017 deri më 8 shtator 2020.

    Paditësi Gani Bjaraktari më 15 janar 2020 përmes parashtresës kishte bërë precizimin e kërkesëpadisë së ushtruar ndaj SHSKUK-së, duke kërkuar që të detyrohet kjo e fundit që në emër të pagave të realizuara dhe që do duhej t’i realizonte në postin e Drejtorit të Klinikës Kardiologjisë për periudhën prej datës 15 korrik 2016 deri më 9 shtator 2017, t’ia paguajë shumën prej 8 mijë e 10 euro.

    Paditësi ka kërkuar që e paditura t’ia paguajë në emër të trustit pensional shumën prej 890 euro, dhe tatimin në ATK në shumë prej 890 euro, nga 15 korrik 2016 deri në pagesën definitive.

    Ndryshe, sipas padisë së 29 gushtit 2016, Prof.Dr Gani Bajraktari ka paditur Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar (QKUK) dhe po kërkon anulimin e vendimit dhe kthimin në postin e drejtorit të Klinikës Kardiologjisë.

    Paditësi në padi thekson se ka e ka mbajtur postin e drejtorit të Klinikës Kardiologjisë për vite me radhë dhe këtë me rezultate të larta, por kërkundër kësaj më 15 korrik 2016 e paditura përmes vendimit të Komisionit të Ankesave, të njëjtin e ka laguar përkohësisht nga puna.

    Mirëpo, Bajraktari kishte ushtruar ankesë, me çka kishte rezultuar në vendimin tjetër të Komisionit të Ankesave të të paditurës, i 12 gushtit 2016 përmes së cilit është prishur vendimi për largim të përkohshëm, duke e pezulluar nga detyra e drejtorit të Klinikës së Kardiologjisë, deri në një vendim tjetër.

    Në këtë vendim, njëkohësisht është obliguar e paditura që ta caktojë paditësin në punë dhe detyra të punës sipas përgatitjes profesionale që ka.

    Paditësi Bajraktari në padi pretendon se vendimi i lartcekur, i marrë nga ana e të paditurës është në kundërshtin me dispozitat ligjore në fuqi, pasi që Ligji i Punës neni 73, pika 1.1 , edhe pse jo shprehimisht e krijon bazën për largim të përkohshëm nga puna, vetëm nëse procedura penale e iniciuar ndaj paditësit, ka të bëjë me shkelje të detyrave të punës në vendin e punës të të punësuarit.

    Në rastin e paditësit, thuhet se procedura është iniciuar në lidhje me institucione tjera mjekësore, e jo në lidhje me të paditurën në fjalë.

    Mbi bazën e lartcekur, paditësi Bajraktari po kërkon nga gjykata që të anulohet si i kundërligjshëm vendimi i Komisionit të Ankesave i QKUK-së, si dhe të detyrohet kjo e fundit që Bjaraktarin ta kthejë në postin e drejtorit me të gjitha të drejtat dhe detyrimet nga ky post.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!