×
  • Lajme
  • Lajme

    Gashi i kërkon Specialës: Të fillojnë hetimet dhe arrestimet për rastin Dehari

    Reporteri
    26 Tetor 2019 | 13:16

    Tomë Gashi, avokat i Familjes së Astrit Deharit, po kërkon të fillojnë hetimet dhe të zbardhet vdekja e ish-anëtarit të Lëvizjes Vetëvendosje, i cili kishte vdekur në burgun e Prizrenit, më 2016.


    Gashi po thotë se hetimet duhet të zgjerohen edhe te ata që e kanë fshehur lëndën e Deharit.

    “Me prit prokurori me nxjerr aktvendim per herimin e vrasjes se Astrit Deharit. Dhe per identifikimin e te gjithë te përfshirëve ne vrasje e qe janë shume. Edhe te atyre qe e kanë fsheh vrasjen”, ka thënë Gashi për Express, të shtunën.

    Rasti i Astrit Deharit u rikthye në publik pas ekspertizës së ardhur nga Zvicra në të cilën thuhet se bazuar në prova është pak e mundshme që Astrit Dehari të ketë bërë vetëvrasje. Kërkohet të bëhet një hetim i ri për të shikuar edhe pista tjera përfshirë edhe përfshirjen e ndonjë personi të tretë në këtë ngjarje.

    Raporti i ardhur nga Zvicra nuk konstaton askund se Astrit Dehari është vrarë, s’tregon nga kush është vrarë dhe as si është vrarë, por kërkon që edhe kjo pistë të hetohet për të zbardhur krejtësisht të vërtetën.

    “Ashtu siç është thënë në ekspertizën tonë E180001, ne kemi dyshime që lidhen me rrethanat e vdekjes së z. Dehari Astrit. Në fakt, hipoteza e një vetëvrasje e z. Dehari Astrit përmes mjeteve të caktuara nga mjekët ligjorë duket pak e vërtetë dhe intervenimi i një personi të tretë në proces fatal duhet të kihet parasysh”, thuhet në konkluzionin e Ekspertizës së ardhur nga Zvicra.

    Avokati dhe Familja e Deharit e kanë interpretuar ekspertizën duke thënë se ajo vërteton se Astriti është vrarë.

    Sidoqoftë, Tomë Gashi ka thënë se lënda për t’u sqaruar duhet t’i kalojë Prokurorisë Speciale dhe të nisin hetimet edhe brenda sistemit të drejtësisë.

    “Lënda duhet te kalojë ne Prokurorinë Special dhe te arrestohen te gjithë ata qe e kane fsheh qe tre vite hetuesit e te tjerët te vërteten”, ka shtuar ai.

    Astrit Dehari ishte arrestuar fillimisht si i dyshuar për sulm terrorist mbi Kuvendin e Kosovës bashkë me disa anëtarë tjerë të Vetëvendosjes. Ka vdekur 78 ditë pasi ishte arrestuar derisa ishte në paraburgim në Burgun e Prizrenit. Rasti i aktivistëve të VV’së është kthyer në rigjykim por ende s’është caktuar data.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!