Të premten bëhen dy javë nga vrasja në parkingun e një restoranti në fshatin Bibaj të Ferizajt, ku mbeti i vdekur 89 vjeçari, Sadri Sadriu. Vrasjen dyshohet se e kreu zyrtari policor, Festim Ramadani, teksa për rastin u arrestua edhe Jeton Misini.
Nga Prokuroria Themelore në Ferizaj kanë thënë sot se ende nuk dihen motivet që mund të kenë çuar deri tek vrasja e Sadriut nga nipi i gruas së tij Ramadani.
Nga kjo Prokurori thanë se rasti është duke u hetuar në mënyrë intensive dhe se deri në këtë fazë nuk dihen motivet.
“Sa i përket motiveve që kanë shtyrë në kryerjen e veprës penale “Vrasja e rëndë” ku viktimë është Sadri Sadriu, ju njoftojmë se motivet ende nuk dihen dhe se Prokuroria Themelore në Ferizaj, konkretisht prokurori kompetent i çështjes, në koordinim të plotë me policinë janë duke punuar në vazhdimësi dhe në mënyrë intensive për zbardhjen e rrethanave të kësaj çështje penale”, kanë thënë nga kjo prokurori për Express.
Ndërkaq më parë nga kjo prokurori patën konfirmuar se viktima Sadri Sadriu ishte burri i tezes së Festim Ramadanit.
“Viktima (S.S) dhe i dyshuari (F.R) janë në lidhje familjare, konkretisht, tashmë i ndjeri S.S., ka qenë burri i tezes së të pandehurit F.R.”, thuhej në përgjigjen e tyre.
Në ndërkohë, në arsyetimin e prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Festim Ramadanit dhe Jeton Misinit, thuhet se të njëjtit kanë kryer veprën penale vrasje e rëndë dhe se për t’i lënë të mbyllur janë marrë parasysh edhe dëshmitë e tre dëshmitarëve, që janë familjarë të Sadriut.
Sipas tyre gjithçka ka ndodhur kur dy vetura janë ndalur në parkingun e një restoranti në Bibaj të Ferizajt, dhe më pas kanë filluar të shtënat në drejtim të Sadriut.
“Vërtetohet nga dëshmitë e I.S., A.S., dhe N.S., të cilët mes të tjerash kanë deklaruar se më 16.08.2024, rreth orës 19:20, kanë arritur në vendin e ngjarjes së bashku me të ndjerin kur për një moment me dy automjete të ndryshme kanë arritur Festim Ramadani dhe Jeton Misini dhe posa kanë zbritur Jetoni është vërsulur me teshlicë në dorë, kurse Festimi ka shtënë me armë automatike në drejtim të të ndjerit Sadri Sadiu, i cili për pasojë ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, rrethanë e cila vërtetohet edhe nga provat materiale të siguruara në vendin e ngjarjes”, thuhet në dokumentin për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji ndaj të dyshuarve.
Më tutje në po këtë dokument pohohet se dëshmitarët dhe personat tjerë janë në dijeni lidhur me rrethanat që i kanë paraprirë kryerjes së kësaj vepre.