×
  • Lajme
  • Lajme

    Gazetari Krasniqi: Drejtoresha e re e zyrës për media të kryeministrit, kishte refuzuar të ma botonte një intervistë të Albin Kurtit

    Reporteri
    19 Prill 2021 | 18:09

    Ish-zëvendëskryeredaktorja e Kohës Ditore, Valbona Mehmeti, sot është emëruar drejtoreshë e komunikimit në Zyrën e Kryeministrit.


    Pas këtij emërimi, gazetari Uran Krasniqi, ka treguar një histori sa punonte në këtë gazetë e që lidhet pikërisht mes Valbona Mehmentin dhe kryeministrin Albin Kurti.

    Gazetari Krasniqi tregon se si në vitin 2009 kishte realizuar një intervistvë me Kurtin, por ishte pikërisht Valbona që ia kishte hedhur në “koshin e mbeturinave” dhe nuk e kishte botuar, shkruan Reporteri.net.

    Gazetari tregon se si Kurti më pas e kishte thirrur në telefon dhe e kishte pyetur pse nuk ka dalë intervista.

    Postimi i plotë i gazetarit Krasniqi:

    Ishte viti 2009. Në Kosovë kishte zgjedhje lokale. Po garonin të gjitha partitë, përpos njërës, Lëvizjes Vetëvendosje. Kuptohet atëherë ishte një Vetëvendosje e vogël, jo sa kjo e madhja që është sot.

    Kishte disa muaj që isha pjesë e gazetës “Koha Ditore”. Isha 22 vjet dhe ende i ri në zanat.
    Një ditë redaktorja Valbona Mehmeti më pyeti se çka do të punosh sot. Thashë: meqenëse Vetëvendosje po bën anti-fushatë po e provoj një intervistë me Albin Kurtin, që të shoh pse është kundër rrymës. Mirë, tha, provoje

    Dola dhe e takova Kurtin. E bëra intervistën.

    Kur erdha në redaksi e transkriptova, i vendosa titullin dhe ia dorëzova redaktores.
    Valbona ma gjuajti në “Recycle Bin”. Nuk botohet, tha. As nuk tha e ke bërë mirë e as keq, por veç nuk botohet.

    Dhe të nesërmen po më thërret Albini. “Pse nuk doli intervista?”. Një intervistë më herët me të ma kishin botuar. Ta hajë dreqi, është siklet i madh kur nuk e ke çuar një punë deri në fund. Duke i bërë pyetje e duke e shtyrë të përgjigjet dhe në fund të mos ia botosh, sa keq është veç dikush që e ka provuar e di. Thashë: më fal, unë e kam nxjerrë intervistën, por është dikush tjetër që ka vendosur që të mos e botojë, sepse unë nuk vendosë për botimin.

    Mirë, tha Albini.

    Për besë Albini i atëhershëm m’u dhimbs në shpirt. Po të ishte ky Albini që është sot, që është non stop në ekran, për këtë nuk ma ndien bira e veshit për atë punë, por ai Albini i atëhershëm m’u dhimbs, sepse ishte totalisht i injoruar nga mediat.

    Duke shfletuar lajmet po lexoj se Valbona ka marrë detyrën e drejtoreshës për komunikim në Zyrën e Kryeministrit, Albin Kurti.

    Ç’botë cinike ta hajë dreqi!

    Si drejtoreshë e komunikimit, shpresoj të jetë ndryshe, si redaktore, unë vërtetë redaktore më të keqe nuk mbajë mend. Edhe në aspekt të profesionit e edhe në aspekt të keqsjelljes me ata që janë hierarkisht më poshtë se sa ajo.

    Ishte kryesorja që me ndërskamcat e saj ma pat neveritur punën që e pata bërë për pesë vite, po kjo është një temë tjetër.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!