×
  • Lajme
  • Lajme

    Gent Cakaj tregon se a do t’i bashkohet PDK-së

    Reporteri
    28 Nëntor 2020 | 18:36
    © Reporteri.net / Foto: Raif Selimi

    Kryediplomati shqiptar Gent Cakaj, ka folur pas refuzimit të Serbisë që atij t’i jepet titulli “Qytetar Nderi” i Bujanocit. Cakaj flet edhe për spekulimet se ai po bëhet pjesë e PDK’së.


    Cakaj e ka parë më të rëndësishme vlerësimin politik që iu është bërë nga përfaqësuesit institucional të Bujanocit, teksa ka thënë se nuk zbrapset nga deklaratat kundrejt presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Nga Vuçiq dhe miqtë e tij në detyrë, shefi i diplomacisë në detyrë në Shqipëri ka kërkuar reflektim racional, si dhe distancim nga, siç e quan ai, e kaluara kriminale serbe në Kosovë, shkruan Gazeta Express.

    Mes tjerash, përfaqësuesi diplomatik i politikave të jashtme të Shqipërisë ka folur edhe lidhur me bashkëpunimin institucional ndërmjet shtetit ku po e ushtron detyrën dhe vendlindjes së tij, pra Kosovës, në rrafshin ndërkombëtar, teksa ka thënë se komunikimi ndër-institucional ndërmjet të dyja vendeve bëhet në baza ditore.

    Tutje, ai ka folur edhe për të ardhmen e tij politike, teksa ka qartësuar se nuk do jetë pjesë e asnjë subjekti politik në Kosovë.

    Sa i përket pozitës së Shqipërisë karshi mandatit jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit në kuadër të OKB’së, Cakaj është shprehur optimist për mbështetjen që iu është dhënë nga vendet e rajonit e më gjerë.

    Intervista e plotë:

    Gazeta Express: Përgjatë ditës së enjte, nëpër media qarkullonte lajmi se Marija Obradović, ministrja e Administratës Publike dhe Vetëadministrimit Lokal në Serbi, njoftoi në seancën pleanare të Parlamentit të Serbisë për refuzimin e propozimit të Kuvendit Komunal të Bujanocit, që ju të merrni titullin “Qytetar Nderi” në këtë komunë. Madje, ajo si pretekst për refuzimin e marrjes së këtij titulli përdori pretendimin se ju keni punuar hapur kundër Serbisë. Z. Cakaj, si e komentoni tërë këtë situatë?

    Gent Cakaj: Për mua personalisht rëndësi ka vlerësimi politik i përfaqësuesve të zgjedhur të Bujanocit, jo refuzimi institucional i Serbisë. Unë i falënderoj nga zemra të gjithë partitë politike, deputetët dhe shoqërinë civile që kanë vlerësuar aq lart punën e përbashkët deri më tani, nga mbështetja e Këshillit Kombëtar Shqiptar, marrëveshja për më shumë se 20 tekste shkollore në gjuhën shqipe, ngritja e fondit ndër-shtetëror për mbështetjen financiare të Luginës së Preshevës, financimi i disa projekteve komunale, koalicioni i Luginës së Bashkuar për zgjedhjet qëndrore e koalicioni i shumicës shqiptare pas zgjedhjeve lokale në Bujanoc, mes tjerash. Sidoqoftë, diskutimi për merita personale e vlerësime individuale është krejtësisht i pa rëndësishëm tani. Çështja qëndrore tani është vetëm puna politike për përmirësim të gjendjes së përgjithshme të pozitës së shqiptarëve në Luginë të Preshevës.

    Lugina e Preshevës mbetet rajoni më i pa zhvilluar me shumicë shqiptare në Serbi e shqiptarët e Luginës së Preshevës, një prej pakicave më të shtypura në rajon. Sot që flasim, shqiptarët atje, janë duke u ballafaquar me një numër çështjesh të rënda, nga procesi e fshirjes së adresave personale, gjyqet politike për shkak të përdorimit publik të simboleve kombëtare, diskriminit ditor mbi baza etnike e nënpërfaqësim të përgjithshëm në institucione shtetërore, mes tjerash.

    Përderisa, ne kemi shtuar dukshëm mbështetjen e drejtpërdrejtë politike dhe institucionale për shqiptarët e Luginës së Preshevës për t’i adresuar këto çështje, tashmë jemi edhe duke punuar intensivisht për të rritur edhe ndjeshmërinë e faktorit ndërkombëtar për gjendjen e tyre. Diplomacia shpeshherë bëhet në heshtje dhe unë nuk mund të zbardhë çdo veprim të ndërmarrë nga ana jonë në këtë drejtim. Megjithatë, pa shpalosur hollësi të mëtejme, mund të theksoj se tanimë, kemi filluar një aksion diplomatik për të mobilizuar eksponentë të rëndësishëm dhe organizata ndërkombëtare për të shtuar vëmendjen e marrë masa konkrete ndaj procesit të fshirjes së qëllimshme të adresave të shqiptarëve në Serbi.

    Përndryshe, nëse duhet theksuar sërish, Serbia ka qenë pushtues i dhunshëm, ka kryer krime të tmerrshme lufte, ka punuar për spastrim etnik dhe ka ushtruar gjenocid mbi popullin shqiptar të Kosovës, vecanërisht në periudhën 1998-1999.

    Vetëm në luftën e fundit në Kosovë, mes shumë tjerash, Serbia ka vrarë mbi 12.000 shqiptarë, kryer mbi 20.000 dhunime seksuale, mbajtur mijëra të pafajshëm si të burgosur politik, pengje e rob lufte, larguar dhunshëm rreth 800.000 njerëz nga Kosova dhe ka shkaktuar dëme ekonomike që sot llogaritet të jenë dhjetra miliarda euro. Asnjë prej strategji relativizuese e Serbisë nuk mund t’i ndryshojë këto fakte historike.

    Edhe gjuha ime, ndaj Presidentit të Serbisë, ka qenë plotësisht e saktë. Presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mes tjerash, ka qenë Ministër i Informacionit në Qeverinë e Serbisë, pikërisht në kohën kur vetë NATO pat bombarduar Radio Televizionin e Serbisë në Prill 1999, për kontribut në propagandë e nxitje të fushatave politike e ushtarake kundër shqiptarëve në Kosovë. Prandaj, para se t’i shohë si qëndrime armiqësore ndaj Serbisë, Ministrja Obradović, duhet t’i shfrytëzojë këto fakte për reflektim të thellë e distancim të plotë nga e kaluara kriminale e Serbisë në Kosovë dhe politika e mohimit ndaj krimeve në krimeve në Kosovë që mbizotëron sot në Serbi.

    Në të vërtetë, pranimi i të vërtetës, denimi i kriminelëve të luftës, kërkimi i faljes e distancimi nga trashëgimia mizore në Kosovë, janë parakushte fundamentale, jo vetëm për demokratizimin e mirëfilltë të Serbisë, por edhe për procesin e pajtimit ndëretnik në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi.

    Gazeta Express: Kosova dhe Shqipëria tashmë kanë arritur një marrëveshje ndërministrore për bashkimin e përfaqësive diplomatike në fushën e politikës së jashtme. Cili është vullneti i diplomatëve të Shqipërisë e Kosovës që të zbatohet kjo marrëveshje?

    Gent Cakaj: Fillimisht, vlen të theksohet se nuk bëhet fjalë për bashkim ambasadash ose konsullatash në kuptim të njejtësimit të përfaqësimit politik dhe diplomatik shtetëror. Shqipëria dhe Kosova, vazhdojnë të përfaqësohen si dy shtete të ndryshme në rrafsh ndërkombëtar. Bëhet fjalë, pra, vetëm për shfrytëzim të përbashkët të godinave të ambasadave dhe të konsullatave ashtu siç ka ndodhur deri më tani në Kanbera të Australisë, Milano të Italisë, Mynih të Gjermanisë, Kopenhagë të Danimarkës. Kjo, natyrisht, mbart edhe një vlerë të patjetërsueshme simbolike sa i përket marrëdhënies vllazërore mes Kosovës e Shqipërisë.

    Ekzistojnë edhe disa planifikime shtesë për të vazhduar me të njejtën praktikë edhe në disa vende tjera në rajon dhe jo vetëm. Në çfarëdo rrethane, projekti i shfrytëzimit të përbashkët të hapësirave të ambasadave dhe konsullatave duhet të vazhdojë me çdo kusht edhe në të ardhmen pavarësisht ndryshimeve të qeverive në Kosovë apo Shqipëri.

    Për të shmangur ndonjë keqkuptim: Bashkëpunimi mes përfaqësive tona diplomatike nuk shtrihet vetëm në çështje shfrytëzimesh të përbashkëta të hapësirave të ambasadave dhe konsullatave në vende të ndryshme nëpër botë. Ne, gjatë kohës që kam punuar me z. Pacolli dhe z. Konjufca, kemi arritur të unifikojmë plotësisht jo vetëm kalendarin e aktiviteteve kulturore, por edhe jemi marrë vesh për një varg aktivitetesh tjera (për shembull, promovimi i produkteve ‘Made in Albania’/ ‘Made in the Republic of Kosovo’ etj.), pikërisht për të ndërtuar një diplomaci të përbashkët publike.

    Për më shumë, nëpërmjet marrëveshjeve që kemi lidhur nga viti 2019 e tutje, Kosova dhe Shqipëria kanë ngritur një varg mekanizmash ndër-ministror për të siguruar një qasje plotësisht të bashkërenduar sa i përket objektivave madhore në politikën e jashtme të dy vendeve. Komunikimi ynë ndër-institucional tashmë është shndërruar në pjesë të rutinës ditore.

    Gazeta Express: Pak ditë më parë, në mesin e Konsujve të Përgjithshëm që ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani ua shfuqizoi dekretin presidencial, ishte edhe Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në Shqipëri, z. Halim Krasniqi. Si e vlerësoni kontributin e tij në politikat e jashtme?

    Gent Cakaj: Ky është një vlerësim që duhet ta bëjë Ministria për Punët e Jashtme dhe Diasporë e Republikës së Kosovës. Jo, unë.

    Gazeta Express: Pas përfundimit të mandatit si Ministër në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri, cilat janë planet tuaja? A ekziston ndonjë mundësi që të jeni pjesë e ndonjë fraksioni politik në Kosovë?

    Gent Cakaj: Qartë, zëshëm dhe prerë: JO. Unë nuk planifikoj të bëhem pjesë e asnjë prej partive politike në Kosovë. Çfarëdo pretendimi tjetër është vetëm spekulim i tregtarëve të lajmeve të rreme.

    Gazeta Express: Shqipëria po aspiron që të marrë një vend të anëtarit jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit në vitin 2022-2023. Sa ka arritur të marrë mbështetje vendi nga shtetet anëtare për një mandat të këtillë?

    Gent Cakaj: Shqipëria tashmë është në një fushatë intensive diplomatike për të siguruar, për herë të parë në historinë e saj, ulësen e anëtarit jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit për 2022-2023. Pavarësisht se tani nuk mund ta deklaroj publikisht numrin e shteteve që tashmë kanë konfirmuar mbështetjen për kandidaturën e Shqipërisë, megjithatë mund të konfirmoj se Shqipëria aktualisht gëzon një mbështetje të jashtëzakonshme politike për të shërbyer në Këshillin e Sigurimit 2022-2023.

    Përderisa gara është ende formalisht e hapur, Shqipëria është më afër se kurrë për t’u bërë anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit në zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Përkundër këtij fakti, në vend se të nxjerrim përfundime të parakohshme, ne po punojmë çdo ditë e më shumë, për ta shndërruar këtë aspiratë historike në realitet politik.

    Menjëherë pas mbylljes së Kryesisë së rradhës së OSBE-së për vitin 2020, shërbimi në Këshillin e Sigurimit për 2022-2023 do të ishte edhe një sukses tjetër i pashembullt në historinë e diplomacisë shumëpalëshe të Shqipërisë. Në fakt, nëse kjo do të ndodhë, periudha 2018-2023 do të jetë përfundimisht një prej periudhave më të sukesshme në historinë e diplomacisë shqiptare në përgjithësi.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!