×
  • Lajme
  • Lajme

    Gjithçka duhet të dini nga konferenca e ministrit Vitia për lehtësimin e masave

    Reporteri
    25 Maj 2020 | 19:50

    Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia sot në një konferencë për media preznatoi lehtësimin e masave lidhur me Covid-19, ku pranë kishte drejtorin e IKSHP-së, Naser Ramadani, drejtoreshën e Klinikës Infektive, Lindita Ajazaj-Berisha, myftiun Naim Tӕrnava dhe kreun e Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji.


    Vitia tha se deri sot 1032 persona janë të infektuar, 789 të shëruar, 29 të vdekur (një vdekje ndodhi pas konferencës, duke çuar numrin në 30) dhe 214 raste aktive.

    “Janë realizuar mbi 13 mijë teste dhe do të vazhdojmë të testojmë çdo ditë sepse rreziku nga virusi ende nuk ka kaluar. Ashtu siç kemi thënë më herët, ne duhet të mësohemi që të bashkëjetojmë me virusin. Virusi mund të ndryshojë dhe të përshtatet, prandaj edhe ne duhet të tregojmë aftësinë për t’u përshtatur në luftimin e tij.

    Ai tha se nga data 28 maj, gjithashtu orari i lëvizjes për qytetarët do të jetë nga ora 05:00 e mëngjesit deri në ora 21:00 të mbrëmjes.

    Deri në fund të këtij muaji do të mbyllet karantina në përputhje me situatën e re epidemiologjike në vend dhe në bashkërendim me veprimet e shteteve të rajonit dhe më gjerë.

    Ai tha se në këtë fazë të re me liri të shtuar, duhet të shtohen kujdesi dhe përgjegjësitë.
    “Maskat duhet të bëhen pjesë e përditshmërisë sonë. Vendosi maskën kur jeni në autobus; kur jeni në market; në zyrë; në sallon ondulomi; tek flokëtari; tek mjeku; kur prisni në rend; KJO ËSHTE JETIKE. JU LUTEM VENDOSNI MASKAT. Mbani distancën fizike prej 2 metrave çdoherë nga njëri tjetri, në shtëpi, në rrugë, në shesh e kudo. Shmangni vizitat familjare. Unë e kuptoj se ne jemi shoqëri e lidhur shumë me njëri tjetrin. Shumë nga ju nuk keni parë familjarët e tuaj, dajat, tezet, hallat e miqtë, por duhet ta dini se virusi kalon nga një shtëpi në tjetrën kur bëjmë vizita familjare. Kur dilni nga shtëpia në shesh duhet të ruani vetën dhe të tjerët, por kur shkoni në shtëpinë e dikujt tjetër ju rrezikoni që të merrni dhe të shpërndani virusin.

    I pyetur nga gazetarët për hapjen e shkollave, ministri Vitia tha se beson që në qershor do hapen shkollat por vetëm për klasat e 9-ta dhe 12-ta, shkruan Reporteri.net.

    “Jemi në diskutime të vazhdueshme, besoj që në qershor, jo të gjitha klasat, por vetëm të 9-tat dhe 12-tat, kurse për çerdhet po shpresojmë që situata me qenë më e mirë që të marrim vendim”, tha ai.

    Kur u pyet për hapjen e kufijve, Vitia nuk kishte një përgjigje të prerë, duke thënë se duhet të analizohet sërish situate epidiomiologjike dhe se kjo varet edhe nga shtetet tjera, shkruan Reporteri.net.

    “Po mendoj që në fund të kësaj faze, apo në fillim të fazës tjetër, nuk do të varet veç nga ne, por edhe nga shtetet tjera, të rajonit dhe më gjerë”, tha Vitia, shkruan Reporteri.net.
    Ai tha se qytetarët do të njoftohen me kohë për hapjen e kufijve përmes mediave.
    Ndërsa për hapjen e kafiterive tha se do të varet nga situata epidemiologjike në terren, shkruan Reporteri.net.

    “Sa i përket hapjes së kafiterive kjo varet nga situata epidimiologjike në terren, nga data 1 qershor do të hapet faza e 3 dhe IKSHPK do ta bëjë analizën dhe besoj që s’do të ketë vonesa në hapjen e kafiterive dhe gastronomisë”, tha Vitia.

    Vitia tregoj se në javët dhe muajt në vazhdim: do të shtojnë 5 laboratorë rajonal për testim, do të trefishojnë numrin e respiratorëve, do të shtojnë numrin e aparaturave të monitorimit dhe trajtimit në të gjitha spitalet e Kosovës, do të shtojnë numrin e rezonancave magnetike, do të dyfishojnë numrin e CT-ve, do të rrisim numrin shtretërve për kujdes intenziv, do të shtojnë pajisjet shumë të rëndësishme sikurse Bronkoskop dhe ultrazë, pajisje të radiologjisë, oksigjen koncentrator etj, do të sigurojnë masa mbrojtëse për personelin shëndetësor dhe jo vetëm, në sasi të mjaftueshme, do të zhvillohen teste të temperatures si dhe, kampanjë informuese e vetëdijesuese për qytetarët.

    Ai tha se në sheshe dhe vende publike do të ketë më shumë zyrtarë policor dhe vullnetarë për të siguruar zbatimin e rekomandimeve të IKSHP-së.

    Kurse kreu i IKPSH-së, Naser Ramadani tha se situata epidemiologjike është më e mirë se më parë dhe se Kosova ka dalë shumë më mirë ta menaxhojë pandeminë Covid-19 se në skenarët që ishin parashikuar para fillimit të pandemisë dhe është arritur të shpëtohen shumë jetë të qytetarëve.

    Ai ka falënderuar qytetarët dhe prijësit fetarë të cilët kanë ndihmuar në mbajtjen nën kontroll të situatës epidemiologjike derisa ka kërkuar që maskat, distancimi social e fizik, higjiena personale e kolektive të jenë masa të cilat qytetarët duhet t’i praktikojnë edhe më tej.

    Dr. Lindita Ajazaj- Berisha tha se Klinika të cilën ajo e drejton do të vazhdojë të ofrojë shërbime 24/7 për pacientët me Covid dhe se puna aty është lehtësuar falë bashkëpunimit dhe koordinimit edhe me institucionet e tjera dhe qytetarët.

    Myftiu Naim Tërnava ka theksuar faktin se Kosova ka pasur sukses të prekshëm në menaxhimin e pandemisë dhe ka mirëpritur lehtësimin e masave, duke kërkuar që ato të vazhdojnë të respektohen edhe më tej.

    “Jam i gëzuar që së bashku me institucionet e vendit, me popullatën, bashkësitë fetare në Kosovë, ia arritëm ta mundim edhe këtë virus vdekjeprurëse apo ta dobësojmë deri në një masë që neve na u lehtësua gjendja të hapim shtëpitë e Zotit që qytetarët të shkojnë nëpër xhami dhe kisha, t’i falen Zotit, të kërkojnë nga Zoti ndihmë dhe mëshirë. Falënderoj të gjithë ata që kontribuuan, institucionet tona, IKSHPK, mjekët, qendrën infektive, të cilët dhanë gjithçka nga vetja”, tha Tërnava.

    Edhe kreu i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, ka falënderuar besimtarët myslimanë dhe katolikë që iu përgjigjen ftesës për t’i mbrojtur nga përhapja e COVID-19.

    “Dëshiroj të falënderoj institucionet tona për bashkëpunim, ministrin Vitia, mbi të gjitha IKSHPK, mjekët, infermierët dhe të tjerët që janë angazhuar në mbrojtjen e shëndetit. Falënderoj besimtarët myslimanë dhe katolikë që na kanë dëgjuar. Mund të kthehemi serish në kisha dhe xhamia dhe t’i japim nder Zotit. Duhet t’i mbahemi rregullave, sepse virusi është mes nesh dhe nuk e dimë kur do të ikë”, tha Dodë Gjergji. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!