×
  • Lajme
  • Lajme

    Gjithçka e pazakonshme: Maqedonia mban 3 ditë zgjedhje, kutitë nuk mbyllen deri në orën 21:00

    Reporteri
    15 Korrik 2020 | 10:48

    Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut janë më të pazakontat që ka organizuar ndonjëherë ky shtet, e madje edhe shtetet në gjithë Evropën.


    Ato nisën që të hënën, vazhduan të martën, e do të mbahen edhe sot, shkruan Reporteri.net.

    Gazetari nga Maqedonia, Xhenis Sulimani, ka thënë për Reporteri.net që pandemia ka bërë që gjithçka të jetë në format ndryshe. Siç tregon ai, të hënën votuan të infektuarit me COVID-19, dje të burgosurit dhe personat me nevoja të veçanta, e sot do të votojnë shumica e popullsisë.

    “Zgjedhjet parlamentare kësaj here në Maqedoninë e Veriut po mbahen me format ndryshe, shkaku i pandemisë. Është votuar 3 ditë me radhë. Të hënën personat me Covid-19, të martën personat me nevojat të veçanta dhe të burgosurit, ndërkaq, sot votojnë pjesa tjetër e qytetarëve”, ka thënë Sulimani.

    E jashtëzakonshmja për Maqedoninë nuk përfundon këtu. Kutitë e votimit në këtë shtet do të jenë të hapura për 2 orë më gjatë sesa zakonisht. Për 14 orë, qytetarët do të kenë mundësi t’u drejtohen kutive për të votuar.

    “Sot e mërkurë, zgjedhjet po mbahen në moment kur çdo ditë kemi numra tre shifrorë të të infektuarve. Maqedonia e Veriut, sipas protokolleve shëndetësore do të votojë dy orë më shumë, se zakonisht, zgjedhjet do të mbahen nga ora 7 e mëngjesit deri më ora 21 i mbrëmjes dhe votuesit duhet patjetër të mbajnë maska dhe distancë gjatë votimit”, ka shtuar gazetari.

    Sidoqoftë, zgjedhjet në Maqedoni ishte në plan të mbaheshin para disa muajsh, por u shtynë për shkak të situatës së jashtëzakonshme me pandeminë COVID-19.

    Zgjedhjet atje janë të parakohshme, që erdhën për shkak të dorëheqjes së kryeministrit Zoran Zaev, i cili mbajti premtimin për dorëheqje në rast se Maqedonia nuk përparon në integrimin në BE./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!