×
  • Lajme
  • Lajme

    “Gjuhë e papranueshme dhe e rrezikshme”, AGK thirrje presidentes Osmani që Blerim Vela t’i ndalë sulmet ndaj mediave

    Reporteri
    30 Mars 2023 | 14:23

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar ndaj gjuhës së përdorur nga shefi i stafit të Presidentes, Blerim Vela, ndaj mediave në Kosovë për shkak të raportimeve për mundësinë e rrëzimit të Osmanit si presidente.

    AGK e ka konsideruar si të rrezikshme dhe të papranueshme gjuhën e Velës, të cilën organizata për mbrojtjen e gazetarëve thekson se Vela nuk e ka për herë të parë. Gjithashtu i kanë kërkuar presidentes Vjosa Osmani që kabineti i saj t’i ndalin sulmet ndaj mediave.

    Vela në “twitter” ka drejtuar akuza të paprecedenta ndaj mediave duke thënë se “E kemi plotësisht të qartë se dezinformatat dhe propaganda që bëhet gjoja duke u thirrë “në burime brenda Gjykatës”, janë pjesë e luftës speciale të realizuar sipas skemës së përgatitur nga Beogradi dhe të realizuar përmes kriminelëve të veriut dhe sekserëve të tyre, të cilët ndodhen në listën e zezë të ShBA-ve.”

    Reagimi i plotë:

    Jo për herë të parë, Blerim Vela – Shef i Stafit të Presidentes së Kosovë, Vjosa Osmani, ka sulmuar mediet e Kosovës, pas raportimeve për një vendim të pritshëm të Gjykatës Kushtetuese për deputetë të minoriteteve në Kuvendin e Kosovës, që si zinxhir mund të vë në pikëpyetje zgjedhjen e Presidentes.

    Vela në një postim skandaloz në Twitter, thotë se raportimet e medieve të Kosovës “janë pjesë e luftës speciale të realizuar sipas skemës së përgatitur nga Beogradi dhe të realizuar përmes kriminelëve të veriut dhe sekserëve të tyre, të cilët ndodhën në listën e zezë të SHBA-së”.

    Kjo është një gjuhë e papranueshme dhe shumë e rrezikshme që rëndon ambientin e punës së gazetarëve në Kosovë. Për më tepër është vazhdimësi e sulmeve të zotit Vela ndaj medieve.

    Teksa merr pjesë në Samitin e Demokracisë, AGK-ja i bën thirrje të përsëritur presidentes Vjosa Osmani që përfundimisht të ndalojë sulmet ndaj medieve nga kabineti i saj, e që shërbejnë si presion direkt në punën e tyre.

    Presidenca për pretendimet se Kushtetuesja “do ta rrëzojë” Osmanin: Është tentim puç ndaj institucioneve, si i tillë do të dështojë

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!