×
  • Lajme
  • Lajme

    Gjuriq u shëtit lirshëm sot në Kosovë, Zyra e Haradinajt e MPJ ia hedhin topin njëra-tjetrës

    Reporteri
    12 Korrik 2019 | 22:00

    Shefi i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, sot është futur në Kosovë “pa therr në këmbë”, duke marrë pjesë në një manifestim.


    Reporteri.net mëson se ai mori pjesë në përurimin e Qendrës rekreativo-sportive të financuar nga Beogradi. Kjo qendër është pjesë e kompleksit të quajtuar “Banja e Parajsës”.

    Ndërkohë, deri tani nuk po dihet se kush i ka dhënë leje zyrtarit serb për t’u futur në Kosovë, sidomos pas njoftimit të MPJ-së për ndalim të hyrjes për zyrtarët e shtetit fqinj.

    Reporteri ka biseduar me Ministrinë e Punëve të Jashtme, për të pyetur nëse kanë lëshuar leje për Gjuriqin, ani pse vetë kishin vendosur të mos lejonin zyrtarët serbë në Kosovë.

    “Po, kemi informacione që ka hyrë në Kosovë. Ne nuk i kemi dhënë leje”, ka thënë jozyrtarisht një zyrtar i kësaj ministrie, duke potencuar se këtë leje e kanë dhënë Zyra e Kryeministrit.

    Mirëpo, në Zyrën e Kryeministrit Haradinaj nuk kanë ide për këtë çështje. Donjeta Gashi, zëdhënëse e Qeverisë, i ka thënë Reporterit se me këto punë merret MPJ.

    “Ju orientoj nga Ministria e Punëve të Jashtme për këtë përgjigje, sepse ata e kanë si procedurë”, ka thënë Gashi, ani pse gazeta i ka bërë të ditur se vetë MPJ kishte thënë më herët se lejen e kishte lëshuar Zyra e Kryeministrit.

    Sidoqoftë, MPJ që drejtohet nga Behgjet Pacolli pati disa mospajtime me Zyrën e Kryeministrit Haradinaj, pikërisht për lejet për zyrtarët serbë. Ditë më parë, MPJ vendosi që të ndalonte hyrjen për çdo zyrtar serb, mirëpo vetë Haradinaj theksoi se nuk kishte asnjë vendim të këtij lloji.

    Ndryshe, Marko Gjuriq ishte arrestuar muaj më parë kur kishte hyrë pa leje në Kosovë, dhe në këtë rast të gjithë kishin tentuar të merrnin meritat për “urdhërin për arrestim”, ndryshe nga sot që askush nuk tregon kush e lejoi të futej./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!