×
  • Lajme
  • Lajme

    Gjykata dënon të akuzuarin për plagosjen e nipit të Ramush Haradinajt

    Reporteri
    04 Mars 2021 | 17:08

    Gjykata Themelore në Pejë ka shqiptuar dënim me burgim efektiv ndaj të pandehurit Fisnik Lajqi për veprën penale të tentim vrasjes, shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtje paleje.


    Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues, Sami Sharraxhiu, i pandehuri Lajqi për tentim vrasje u gjykua me 15 muaj burgim, shkaktim të rrezikut të përgjithshëm 10 muaj burgim, dhe 800 euro gjobë për armëmbajtje paleje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Duke zbatuar dispozitat e dënimit unik, ndaj Lajqit u shqiptua dënim me 1 vit e 8 muaj burgim dhe 800 euro gjobë.

    Ndaj tij u shqiptua konfiskimi i armës dhe u lirua nga paraburgimi deri në plotëfuqishmërinë e aktgjykimit.

    Kurse i akuzuari Demokrat Lajqi u dënua me 200 euro gjobë për veprën penale të sulmit, të cilën do të paguaj brenda afatit prej 30 ditësh, raporton Betimi për Drejtësi.

    Ndryshe, në seancën e sotme, i pandehuri Fisnik Lajqi, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja e shtetit Valbona Dishaj-Haxhosaj, e ka pranuar fajësinë për vrasje në tentativë, shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtje paleje.

    I fajëshëm u deklarua edhe i pandehuri Demokrat Lajqi, i akuzuar për veprën penale të sulmit.

    Në lidhje me këtë pranim të fajësisë u pajtuan prokurorja Haxhosaj dhe i dëmtuari Mustafë Ahmetxhekaj.

    Në anën tjetër, mbrojtja të pandehurve Fisnik dhe Demokrat Lajqi, avokatët Gëzim e Dritëro Kollqaku, konfirmuan se pranimi i fajësisë i të mbrojturve të tyre, kishte ardhur si rezultat i vullnetit të tyre të lirë dhe pas konsultimit të mjaftueshëm me të.

    Mbrojtja propozoi që ndaj të mbrojturve të tyre, në rastin e shqiptimin të dënimit, të merren parasyshë të gjitha rrethanat lehtësuese, përfshirë këtu pranimin e fajësisë dhe pajtimin në mes familjes Lajqi dhe Ahmetxhekaj.

    Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur më 22 dhjetor 2020, ishte deklaruar i pafajshëm për akuzat e tentim vrasjes dhe shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm, ndërsa e ka pranuar fajësinë vetëm për veprën penale të armëmbajtjes.

    I pafajshëm ishte deklaruar edhe i akuzuari Demokrat Lajqi për veprën penale të sulmit ndaj të dëmtuarit Mustafë Ahmetxhekaj.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!