×
  • Lajme
  • Lajme

    Gjykata e Apelit ia ulë dënimin inspektorit të ndërtimit në Prizren

    Reporteri
    17 Mars 2023 | 16:20

    Gjykata e Apelit e ka ndryshuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prizren për të akuzuarin Nexhmedin Musliu, inspektor i ndërtimit, duke i shqiptuar dënim me gjobë në shumën prej 2 mijë e 500 euro, lidhur me akuzën për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

    Më 15 shtator 2022, Gjykata Themelore në Prizren, kishte shpallur aktgjykim dënues për të akuzuarin Musliu, duke e dënuar me 8 muaj burgim efektiv., raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Kundër aktgjykimit të shkallës së parë, ankesë kishte parashtruar mbrojtësja e të akuzuarit Musliu, avokatja Valbonë Morina.

    Më pas, Gjykata e Apelit, ka konstatuar se pretendimet ankimore të mbrojtjes për një dënim më të butë janë të bazuara.

    Në vendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se Gjykata e Apelit i kishte shqiptuar të akuzuarit Musliu dënim me burg në kohëzgjatje prej 6 muajve, mirëpo të njëjtin dënim e ka zëvendësuar me dënimin me gjobë në shumën prej 2 mijë e 500 euro.

    “NDRYSHOHET aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prizren – Departamenti për Krime të Rënda, PKR.nr.4/2020, të dt. 25.10.2022, dhe atë vetëm përkitazi me sanksionin penal – dënimin, ashtu që Gjykata e Apelit të akuzuarit Nexhmedin Musliu, për veprën penale, Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 par.2, nënpar.2.1 dhe 2.2, lidhur me par.1 të KPRK-së, i përcakton dënim burgimi në kohëzgjatje prej 6 (gjashtë) muaj, i cili dënimi zëvendësohet me dënimin me gjobë në shumë prej 2500 € (dymijë e pesëqind euro)”, thuhet në akgjykim.

    Kjo gjykatë, dënimin e gjykatës së shkallë së parë e ka cilësuar si dënim të ashpër, duke marrë parasysh që i njëjti kishte pranuar fajësinë për veprën penale për të cilën ngarkohej.

    “Dënimi i shqiptuar nga gjykata e shkallës së parë prej 8 (tetë) muaj burgim, në rrethanat e çështjes rezulton se është dënim i ashpër, duke pasur parasysh faktin se i akuzuari ka pranuar fajësinë për veprën penale nga neni 422 par.2, nënpar.2.1 dhe 2.2, lidhur me par. 1 të KPRK-së, të cilës rrethanë në rastin konkret nuk i është dhënë rëndësia e duhur me rastin e caktimit të dënimit, në ndërlidhje edhe me rrethanat e tjera si pendimi i tij i thellë, është mbajtës i vetëm i familjes, është i gjendjes së dobët ekonomike, është në moshë të shtyrë, premtimi se në të ardhmen do të përmbahet nga veprime të këtilla kundërligjore”, thuhet në vendimin e Apelit.

    Po ashtu, në vendimin e Apelit thuhet se pjesa e tjetër e aktgjykimi mbetet e pandryshuar.

    Tutje, në vendim thuhet se aktgjykimi i shkallës së parë nuk përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, ngase dispozitivi është i kuptueshëm, i qartë dhe konkret.

    Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren, të përpiluar më 14 janar 2020, Nexhmedin Musliu akuzohej se prej nëntorit 2014 e deri në maj 2016, si inspektor i ndërtimit nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare të përcaktuara me ligj.

    Sipas aktit akuzues, Musliu ka qenë përgjegjës për inspektimin e ndërtimeve në rrugën “Muhaxherët” – zona e “Qylhanit”, në Prizren, por i njëjti nuk ka ndërmarrë veprime për rrënimin e ndërtimit pa leje të bërë në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim, Planin Zhvillimor Urban të komunës dhe lejeve të ndërtimit të Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor të Komunës së Prizrenit.

    Tutje, në aktakuzë thuhet se investitorëve Ruzhdi Fandaj dhe Tahir Haziraj u kanë mundësuar që në mënyrë të pakontrolluar të vazhdojnë ndërtimet e katit të tretë dhe të katërt të shtëpisë individuale, duke bërë konstatimin formal të gjendjes faktike në procesverbale.

    I pandehuri Musliu, sipas aktakuzës, asnjëherë nuk e ka zbatuar masën e rrënimit edhe pse ka qenë i obliguar për një gjë të tillë, duke i sjellë përfitim investitorëve, ku ka dëmtuar infrastrukturën e qytetit në zonën e ndërtimit në “Qylhan”, të Prizrenit.

    Ndryshe, Nexhmedin Musliu është i akuzuar edhe në disa raste të tjera, që lidhen me veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!