×
  • Lajme
  • Lajme

    Gjykata e kamuflon me pandemi neglizhencën për gjykimin e rastit të Ukë Rugovës për krim të organizuar me vizat italiane

    Reporteri
    14 Dhjetor 2020 | 12:00

    Autor: Arlinda Rrmoku


    Pak më shumë se një vit më parë, në një provincë në Kinë u shfaq një infeksion vdekjeprurës, i cili shumë shpejtë përveç se u kthye në makth në gjithë globin, edhe izoloi për muaj të tërë njerëzimin. E në mars të këtij viti, COVID-19 arriti edhe në Kosovë. E kjo pandemi që trazoi gjithë botën, po përdoret si pretekst i Gjykatës Themelore të Prishtinës, për të arsyetuar e kamufluar neglizhencën për të gjykuar një prej rasteve më të mëdha të korrupsionit në vend dhe mashtrimit me viza. Fjala është për aktakuzën ndaj Ukë Rugovës dhe grupit prej 20 personash, të dyshuar për krim të organizuar e korrupsion, e ngritur 4 vite e gjysmë më parë.


    Janë bërë më shumë se 4 vite e gjashtë muaj që kur Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzën ndaj djalit të ish-presidentit Ibrahim Rugova, Ukë Rugovës dhe 19 të dyshuarve tjerë, të akuzuar si grup i organizuar kriminal që dyshohen se furnizonin kosovarët me viza Schengen të BE-së, nga Ambasada italiane në Prishtinë, në kompensim të shumave të majme parash, në mënyrë të paligjshme dhe përmes korrupsionit, shkruan Reporteri.net.

    Rasti që fillimisht u mor të gjykohet nga gjyqtarët e huaj të EULEX-it, fiks dy vite më parë, u transferua tek gjyqtarët vendorë të Gjykatës Themelore të Prishtinës.

    EULEX-i kishte dështuar të gjykojë rastin, e njëjtë deri më sot ka ndodhur edhe me Gjykatën e kryeqytetit. Rrjedhimisht, deri më sot, as Gjykata Themelore e Prishtinës nuk ka filluar ende gjykimin ndaj Rugovës dhe të tjerëve.

    Përkundër se lënda u është dorëzuar një vit e tre muaj para shfaqjes së rastit të parë me coronavirus në Kosovë, kjo Gjykatë neglizhencën e gjykimit të një prej aferave më të mëdha korruptive në vend, po e kamuflon me gjendjen e krijuar nga infeksioni që ka tmerruar dhe ka shkaktuar miliona viktima në gjithë globin.

    Kjo gjykatë, tek në tetor të këtij viti del se i ka ndarë lënden një gjyqtareje të Gjykatës Themelore të Prishtinës, e që sipas zëdhënëses së Gjykatës, Mirlinda Gashi, e njëjta, një muaj më pas ka rezultuar e infektuar me Coronavirus.

    “Lidhur me kërkesën tuaj ju njoftojmë se gjyqtarja aktuale e kësaj çështje këtë lëndë e ka pranuar në muajin tetor 2020, e njëjta gjyqtare në gjysmën e muajit nëntor 2020 ka rezultuar pozitiv me Covid 19”, thuhet në një përgjigje të Gjykatës, përmes zëdhënëses Gashi, për Gazetën Online ‘Reporteri.net’.

    E njëjta, pohon se shqyrtimi gjyqësor për rastin e Rugovës do të fillojë sapo të plotësohen kushtet, por lë të kuptohet se një gjë e tillë mund të mos ndodhë shpejtë.

    “Ju njoftojmë se gjykimi në këtë rast do të vazhdojë sapo të plotësohen kushtet për një gjë të tillë, pasi që siç dihet numri i rasteve me Covid 19 është shumë i lartë dhe kjo ka ndikim direkt në vonesa për caktimin e kësaj lënde në një afat të afërt.”, i tha Gashi  Gazetës Online ‘Reporteri.net’.

    Zëdhënësja Gashi sqaron se sipas nenit 311 paragrafi 3-të i Kodit të Procedurës Penale, kur shqyrtimi gjyqësor nuk mund të vazhdojë para të njëjtit trup gjykues, ose kur ndërprerja e tij zgjat më tepër se tetë ditë, atëherë zbatohen dispozitat nga neni 310 i këtij Kodi. E neni 310 i KPPK-së thotë se kur shtyrja ka zgjatur më shumë se gjashtë muaj, ose kur shqyrtimi gjyqësor mbahet para një kryetari tjetër të trupit gjykues, shqyrtimi gjyqësor duhet të fillojë rishtas dhe përsëri të shqyrtohen të gjitha provat.

    Aktakuza për krim të organizuar edhe korrupsion, ndaj Ukë Rugovës, djalit të presidentit historik Ibrahim Rugova, që pas vdekjes së babait për një kohë u mor edhe vetë me politikë dhe 19 personave tjerë të përfshirë në të njëjtën aktakuzë, u ngrit më 18 maj 2016, nga Prokuroria Special e Kosovës.

    Aktakuza ishte ngritur prej një prokurori ndërkombëtar nga PSRK pas hetimeve që ishin iniciuar nga Njësia e Policisë Kufitare të Kosovës për Hetime, të cilat ishin kryer nga ajo njësi së bashku me Policinë e EULEX-it. Këta të fundit kishin provuar të gjykonin këtë rast, por hoqën dorë në dhjetor të vitit 2018, pasi kishin arritur të mbanin vetëm një seancë fillestare të këtij rasti në të cilën të gjithë të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm për akuzat.

    Kishte rastisur që në ditën kur EULEX-i hoqi dorë nga gjykimi i rastit, për t’u kaluar gjykimi tek gjyqtarët vendorë të Gjykatës Themelore të Prishtinës, Ukë Rugova dhe gjithë familja Rugova të priteshin në Kryeministri nga ish-Kryeministri Ramush Haradinaj.

    Sipas aktakuzës së përpiluar nga Prokuroria Speciale, Ukë Rugova akuzohet si pjesë e një grupi të organizuar kriminal, me qellim të përfitimit material, dyshohen se përgjatë periudhës 2011-2014, kanë kryer shitjen e Vizave Schengen të BE-së të siguruara përmes korrupsionit dhe prezantimeve të rrejshme.

    Së bashku më Ukë Rugovën në këtë rast janë të akuzuar edhe 19 persona të tjerë, ndër ta edhe ish-ministri Astrit Haraqija. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!