×
  • Lajme
  • Lajme

    Glauk Konjufca tregon problemet që kanë me LDK-në për ta ngritur mocionin ndaj Qeverisë

    Reporteri
    18 Qershor 2019 | 17:34

    Kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka bërë të ditur se aktualisht opozita ka 57 vota dhe se tash është koha të ngritet mocioni ndaj qeverisë “Haradinaj” duke lënë të hapur se janë “pro” votave të Listës Serbe.


    “Pas një takimi që kemi pas me shefin e GP të LDK-së e kemi formuluar së bashku tekstin dhe pastaj kemi ardh deri te një numër i nënshkrimeve që i kemi aktualisht po nuk janë të mjaftueshme për ta bërë numrin për ta rrëzuar një qeveri”, ka deklaruar Konjufca.

    Ai ka thënë se nëse llogariten edhe votat e Listës Serbe është e mundshme rrëzimi i qeverisë.

    “Nëse i marrim qëndrimet e subjekte politike, janë në dispozicion 64-65 vota për rrëzimin e qeverisë, janë votat e Listes Serbe. Ne kemi thënë nuk i kontaktojmë dhe nuk negociojmë me Listen Serbe, për arsye se ne i dimë metodat e tyre dhe e dimë si e ka kushtëzuar qeverinë për tu bërë pjesë e saj. Ata (deputetët) e kanë një votë, dhe nuk mund t’ua ndalojmë ta ngritin dorën”, ka deklaruar Konjufca në T7, shkruan Reporteri.net.

    Ai ka thënë se nënshkrimet e mbledhura janë tek Hoti i LDK-së, dhe se kjo e fundit kërkon që të jenë 61 nënshkrime në listë që më pas të ngritët mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë.

    “I kam thënë se mocioni duhet të dal tash z. Hotit. Por duhet pyetur LDK-në pse s’po del tash mocioni. Mjafton që si opozitë t’i kemi sigurt 57 vota. Për mua është e pakuptueshme të pritet për mocionin. Nëse i numëron LDK, VV, PSD, Alternativën dhe të pavarurit (Ilir Deda, Mimoza Kusari-Lila dhe Korab Sjediu) janë 57 vota. Nuk mund të presim më prej deputetëve të mazhorancës dhe nuk mendoj se duhet të presim t’i kemi 61 vota për ta dërguar mocionin. Avdullah Hoti ishte që të bëhen 61 vota”, ka deklaruar Konjufca. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!