×
  • Lajme
  • Lajme

    Grenell zbulon se mesazhi i dha Trump për Kosovën e Serbinë kur e emëroi të dërguar special për dialogun

    Reporteri
    22 Janar 2020 | 11:59

    Nënshkrimi i marrëveshjes për fluturime të drejtpërdrejta midis Beogradit dhe Prishtinës, për herë të parë në 21 vjet, do të krijojë vende pune dhe të zgjerojë tregjet, thotë i dërguari special i SHBA-ve për Dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.


    Grenell në një intervistë për Blicin serb tha se nënshkrimi i kësaj marrëveshje ishte  vazhdim i punës së tij si i dërguar special, duke përmendur se zhvillimi ekonomik ishte çelësi për fillimin e procesit, transmeton Reporteri.net.

    “Kur Presidenti Trump më kërkoi të jem i Dërguari Special i Presidencës për bisedimet e paqes mes Serbisë dhe Kosovës, ai e bëri të qartë se zhvillimi ekonomik ishte çelësi për fillimin e procesit. Rritja ekonomike është dhe do të jetë gjithnjë krijuesi i pasurisë më të madhe për njerëzit e këtij rajoni dhe botës. Nënshkrimi historik i marrëveshje për fluturime të drejtpërdrejta midis Beogradit dhe Prishtinës, për herë të parë në 21 vjet, do t’i ndihmojë bashkësisë së biznesit të krijojë vende të reja pune dhe të zgjerojë tregjet” – tha ai.

    Grenell shton se “banorët dhe biznesmenët do të jenë në gjendje të zëvendësojnë udhëtimin gjashtë orësh me makinë  me një fluturim të drejtpërdrejtë që zgjat rreth 20 minuta”.

    “Dua të falënderoj palët për bërjen e këtij hapi historik, si dhe  Lufthansan dhe NATO-n. Presidenti Trump dhe ekipi i tij kanë punuar shumë për të arritur këtë marrëveshje, e cila është vetëm fillimi i së ardhmes së ndritshme që ne parashikojmë për miqtë tanë në Serbi dhe Kosovë”, u shpreh tutje Grenell.

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka quajtur fitore marrëveshjen për vendosjen e fluturimeve të drejtpërdrejta mes Kosovës dhe Serbisë.

    Trump përmes një postimi në rrjetin social Twitter, tha se marrëveshja u arrit përderisa të gjithë thoshin se ajo nuk mund të bëhej.

    “Të gjithë thoshin se nuk bëhej dot. Por, për herë të parë në një gjeneratë do të ketë fluturime të drejtpërdrejta midis Serbisë dhe Kosovës. Një tjetër fitore”, ka shkruar Trump. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!