×
  • Lajme
  • Lajme

    Gruaja rome sulmohet nga një turmë njerëzish në Ferizaj

    Reporteri
    31 Maj 2019 | 14:08
    Sërish është sulmuar fizikisht gruaja e komunitetit rom, kësaj here në Ferizaj. Pardje, ajo u sulmua në Lipjan.


    Shteti dje tha se e mori në mbrojtje, gruan e komunitetit rom që u linçua në rrjete sociale, për shkak të disa pretendimeve që më vonë dolën të rrejshme; se ajo po kidnapon fëmijë.

    Edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë, (KMDLNj), ka dënuar sulmin ndaj qytetares përkatësi rome, e cila ishte raportuar nëpër rrjete sociale dhe disa media elektronike se “kishte rrëmbyer fëmijë nëpër shkolla”.

    KMDLNJ e ka cilësuar sulmin fizik nga një grup i të rinjve, në qytetin e Lipjanit si “linçim i një qytetareje të pafajshme”.

    Edhe Rrjeti i Organizatave të Grave Rome, Ashkalinje dhe Egjiptase të Kosovës (RROGRAEK), ka dënuar ashpër këtë rast.

    “Kjo sjellje brutale ndaj një gruaje, e cila vjen nga komuniteti rom, e cila është dyfish e diskriminuar, së pari si grua dhe më pastaj si komunitet pakicë, duhet ta marrë dënimin e merituar dhe të mos mbetet vetëm në suaza të deklaratave”, është thënë në reagimin e këtyre organizatave.

    Në shenjë proteste ndaj sulmit fizik që ndodhi në Lipjan, në Prishtinë disa qytetarë kanë protestuar. Atyre u është bashkuar edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, ish-Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, i cili tha se rasti në Lipjan përbën një “linçim tipik ndaj një personi të pafajshëm”.

    Policia e Kosovës ka njoftuar se i ka nisur hetimet për këtë rast.

    Fotografia e Shkodran Ramadani

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!