×
  • Lajme
  • Lajme

    Haki Abazi tallet keq me Sali Zybën: Ka humbë në Suharekë, nuk mundet me e fitu Zveçanin

    Reporteri
    02 Qershor 2023 | 12:36

    Deputeti i larguar nga VV-ja, Haki Abazi në seancën e sotme të Kuvendit, ku po diskutohet për zhvillimet në veri ka thënë se Kurti me humbjen e “betejës së madhe” në Bruksel, e pastaj në Ohër, tentoi të bëjë një “betejë të vogël” në veri dhe aty ra në kurth.

    Abazi thotë se në këmbim Kosova pësoi rrezikimin e marrëdhënieve me aleatët, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    “Informacioni nuk mungon, historia e problemit të veriut të Kosovës daton që nga dështimi në 1999 për ta vendosur plotësisht sovranitetin. Leksionet historike janë të tepërta. Veprimet konkrete duhet bazuar në strategji, por kemi të bëjmë me dy beteja: ajo në Bruksel dhe veri. Betejën në Bruksel e kemi humbur me pranimin e marrëveshjes, në pikën 7 është krijuar elementi politik e sabotues i serbëve dhe në piken 10 është pranuar Asociacioni. Kjo është beteja e humbur në Bruksel, e konfirmuar në Ohër.

    Tani me idenë për ta kompensuar humbjen e betejës së madhe jemi futur në betejën e vogël, atje ku serbët historikisht e e kanë përdorur luftën e vogël për të krijuar prezencë në territoret e Ballaknin Perëndimor. Aty ka rënë në kurth edhe zoti Kurti.

    Çka kemi fitu është humbja e marrëdhënieve të diskutimit si partnerë me bashkësinë ndërkombëtare”, u shpreh Abazi.

    Tutje, Abazi tha se Kurti është i determinuar të bëjë luftë ideologjike, e foli edhe për Policinë e Kosovës, përkrahja për të cilët ai tha se nuk guxon të vihet në pikëpyetje nga të zgjedhurit e popullit.

    Duke folur për mënyrën se si të dilet nga situata, Abazi e përshkroi situatën aktuale duke thënë se duhet një plan dhe se “Sali Zyba që humbi Suharekën, nuk mund ta fitojë Zveçanin”.

    “Ideja që Kurti në CNN i kualifikon fashistët e paramilitarët serbë që do të duhej të ishin në burg, si ekstremistë  të djathtë, e jo duke i quajtur kriminelë e dhunues shqiptarë, tregon se Kurti është i determinuar të bëjë luftë ideologjike në veri.

    Policia e Kosovës e ka përkrahjen e parlamentit 100 përqind, por asaj nuk i duhen fjalë më. Është e thjeshtë dhe e cektë që të vihet në pikëpyetje mbështetja e përfaqësuesve të shtetit ndaj Policisë.

    Fokusi ynë është si të dilet nga kjo situatë. Zoti Sali Zyba ka humbi në Suharekë, nuk mundet me fitu Zveçanin zoti Zyba. Andaj duhet të fokusohemi te plani, sepse plani nuk është me kapë kryetarin e komunës së veriut me çu në zyrë. Beteja nuk është në veri, por në Bruksel dhe aty duhet të mbahemi fort me argumente”, u shpreh Abazi në seancën e Kuvendit. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!