×
  • Lajme
  • Lajme

    Haki Rugova tregon se a e preferon Kujtim Shalën apo Lumir Abdixhikun për kryetar të ri të LDK’së

    Reporteri
    04 Mars 2021 | 15:57

    Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Rugova, nuk është duke synuar që më 14 mars ta marrë postin e të parit të kësaj partie. Thotë se partia duhet të jetë e hapur për njerëz të rinj.


    Në një intervistë për Gazetën Online ‘Reporteri.net’, Haki Rugova, edhe pse thotë se nuk ka preferencë për ndonjë kandidat që të vijë në krye të LDK-së, vlerëson se Kujtim Shala do të ishte kandidat potencial dhe meritor për të partin e LDK-së, ndërsa edhe Lumir Abdixhikun e sheh me perspektivë.

    “Kandidimet janë të hapura, njerëzit po kandidojnë, të shohim. Të gjithë ata që shpallin kandidaturën meritojnë të jenë pretendent, mirëpo Kuvendi do të vendosë. Nuk kam personalisht ndonjë kandidat të preferuar”, tha ai të enjten.

    “Kujtim Shala është kandidat potencial dhe meritor, kurse Lumir Abdixhiku është njeri me perspektivë, anëtar i Kryesisë, deputet i votuar”, shtoi kryetari i Istogut në intervistën e dhënë për Gazetën Online “Reporteri.net”.

    Ndryshe, Lidhja Demokratike e Kosovës do të mbajë kuvendin zgjedhor më 14 mars. Në këtë kuvend zgjedhor do të zgjedhet kryetari i ri i partisë, si dhe organet e tjera drejtuese të kësaj partie.

    Deri më tani zyrtarisht kandidaturën për të parin e LDK-së e ka shpallur Anton Quni, si dhe sot Skënder Gashi, zyrtar jo fort i njohur i kësaj partie.

    Ndërsa që nga dorëheqja e Isa Mustafës nga pozita e kryetarit janë përmendur shumë emra, si: Kujtim Shala, Lutfi Haziri, ky i fundit nuk e ka mohuar se do të garojë, si dhe Lumir Abdixhiku.

    LEXO INTERVISTËN E PLOTË TË HAKI RUGOVËS PËR GAZETËN ONLINE ‘REPORTERI’

    INTERVISTË | Nënkryetari i LDK’së: Kujtim Shala kandidat potencial për kryetar të LDK-së, Lumir Abdixhiku me perspektivë

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!