×
  • Lajme
  • Lajme

    Hakmarrje? Qeveria vetëm mësimdhënësve ua ndali pagat, grevistëve tjerë jo

    Reporteri
    03 Tetor 2022 | 15:02

    Qeveria e Kosovës ka njoftuar edhe zyrtarisht se grevistët nuk do të paguhen për muajin shtator. Por ky vendim po i prekë vetëm mësimdhënësit, e jo shërbyesit tjerë civil që gjithashtu kanë mbajtur grevë nga 25 gushti i këtij viti.

    Gazeta Online Reporteri.net e ka konfirmuar përmes burimeve të ndryshme, punonjës të administratës publike që kanë grevuar, se atyre u kanë dalë pagat të premten, bashkë me pjesën tjetër të punonjësve publik që nuk kanë qenë në grevë.

    Të penalizuar po dalin të jenë vetëm mësimdhënësit që kanë qëndruar në grevë gjatë këtij fillim viti shkollor.

    Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu tha për Gazetën Online Reporteri.net se “punëtorëve të cilët kanë dalë në punë dhe kanë kryer detyrat dhe përgjegjësitë e tyre, tashmë u janë ekzekutuar pagat për muajin shtator”.

    “Për muajin shtator, pagesat në sektorin publik janë ekzekutuar për zyrtarët të cilët kanë dalë në punë dhe kanë kryer detyrat dhe përgjegjësitë e tyre. Paga mujore është kompensim për punë. Në raste të grevave, kjo çështje përcaktohet në ligjin për Greva”, tha Kryeziu.

    Por kur Kryeziu u pyet se pse vetëm mësimdhënësit janë përjashtuar nga ekzekutimi i pagës për muajin shtator, derisa grevistëve tjerë u janë ekzekutuar pagat, i njëjti nuk ka kthyer përgjigje për Gazetën Online Reporteri.net.

    Në anën tjetër, dy ditë më parë, Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj tha se do të presin Qeverinë deri me datë 5 shtator për ekzekutimin e pagave të muajit shtator për sistemin arsimor.

    Jasharaj ka thënë se nëse një gjë e tillë nuk ndodhë, atëherë sipas tij Qeveria dëshiron të krijojë situata të pakëndshme, dhe se siç thotë ai “e shohin si sulm ndaj SBASHK”.

    “Procesi mësimor ka filluar, por për momentin e keqja më e madhe është se qeveria nuk ka alokuar pagat për shtatorin për sistemin arsimor, përderisa ka alokuar pagat për shërbyesit civil, me të cilët ishim bashkë në grevë”, ka deklaruar Jasharaj për Nacionale.

    “Ne do të presim deri me 5 tetor, kur është edhe kufiri ligjor që duhet të bëhet bartja e pagave. Nësë kjo nuk bëhet, atëherë shihet qartë se është edhe një përpjekje e qeverisë për të krijuar situata të pakëndshme. Nësë ndodhë kjo ne e shohim si sulm ndaj nesh. Me këtë veprim joligjor qeveria sikur po thotë që paska pasur dëshirë që greva të vazhdojë”, kishte thënë Jasharaj.

    Sipas Jasharajt, grevistët kanë respektuar të gjitha procedurat ligjore, dhe se greva e tyre bazohet në ligj.

    “Është vendim skandaloz, sepse greva është e ligjshme dhe ne kemi respektuar të gjitha procedurat siç parasheh ligji për greva. Kemi filluar me procedura të përshkallëzuara, duke i dhënë hapësirë dialogut, kemi mbajtur protestën paralajmëruese të prillit, një grevë një-orëshe, pastaj protestën me pjesëmarrjen masive të sektorit publik, kemi dërguar edhe ndërmjetësuese, i kemi respektuar dhe harxhuar të gjitha gjitha mundësitë që na jep ligji”, ka deklaruar Kryetari i SBAShK.

    Ndryshe, Rrahman Jasharaj në javën e dytë të grevës, Rrahman Jasharaj duke mbajtur një takim me mësimdhënës në shkollën “Ismail Qemaili” në Prishtinë, është tentuar të sulmohet fizikisht.

    Paraprakisht ai u përballë me linçime publike nga anëtari i partisë së Kryeministrit Kurti, Elvis Hoxha.

    “Ajo që është e dhimbshme, është pjesëmarrja e mësuesve në këtë grevë që ka për shef anëtarin e partisë serbe”, ishte një shkrim i Elvis Hoxhës, anëtarë i VV-së, drejtuar Jasharajt.

    Hoxha përveç si anëtar i VV-së, ka shërbyer edhe si këshilltar i kryeministrit Kurti në Qeverinë Kurti I.

    Por, nuk ishte vetëm Hoxha ai që sulmoi Kryetarin e SBAShK-ut gjatë periudhës së grevës, teksa avokati Tomë Gashi, e kishte lidhur emrin e tij me atë të Rrahman Morinës.

    “A është hala gjallë Rrahman Morina, a?” – kishte pyetur ai.

    Në të njëjtën frymë kishte sulmuar edhe Sadri Ramabaja, po ashtu aktivist i zëshëm i partisë në pushtet.

    Ai quajti kryesindikalistët – përfshirë Rrahman Jasharajn – si “njerëz pa atdhe” në një status në Facebook qysh më 18 gusht, ditën kur u paralajmërua shpallja e grevës së përgjithshme.

    Linçimet drejtuar kreut të SBAShK-ut nuk u ndalën as nga deputeti i VV-së, Dimal Basha, ku një përplasje e ashpër mes tyre ndodhi në korridorin e Kuvendit të Kosovës.

    “A ke punuar para luftës pa para, tash për 50 euro po i mban fëmijët peng a?”, ishte shprehur Basha ndaj Jasharajt./Reporteri.net/

    Përplasja e deputetit të VV-së, Dimal Basha me Kryetarin e SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!