×
  • Lajme
  • Lajme

    Haradinaj: Marrëveshja finale Kosovë-Serbi me njohje reciproke, është afër

    Reporteri
    21 Tetor 2022 | 20:02
    Kreu i AAK'së, Ramush Haradinaj

    Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se marrëveshja finale me njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është afër.

    Këtë deklaratë, Haradinaj e bëri në një tubim me qytetarë të Obiliqit, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    “Marrëveshja i hap Kosovës rrugën drejtë NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Qeveria duhet të ketë kujdes në këtë fazë në mbrojtjen e interesave nacionale të Kosovës“, tha Haradinaj.

    Ai po ashtu kritikoi edhe punën e qeverisë, duke thënë se gabimet e njëpasnjëshme të saj e kanë dobësuar pozitën e Kosovës.

    “Sa i përket gjendjes së brendshme, qeveria Kurti ka bërë gabime të njëpasnjëshme. Qasja e tij në qeverisje, sektor të sigurisë dhe energjisë, kanë shkaktuar rënie drastike në ekonomi dhe kanë dobësuar pozitën e Kosovës.“

    Kujtojmë se Ramush Haradinaj sot ishte pjesë e takimit me kryeministrin Kurti, i vetmi që iu përgjigj pozitivisht ftesës së kryeministrit nga liderët opozitarë.

    Haradinaj tha se temë diskutimi ishte marrëveshja finale me Serbinë, e fokusuar në njohje reciproke, transmeton Gazeta Online Reporteri.net.

    “Sapo e përfunduam një takim me kryeministrin Kurti. Tema ishte marrëveshja finale me Serbinë, pra marrëveshja për njohje reciproke. E diskutuam procesin, e diskutuam marrëveshjen vetë, i diskutuam sfidat që i ka Kosova në këtë proces, pra ishte një takim me përmbajtje”, deklaroi kreu i AAK’së para gazetarëve.

    Haradinaj theksoi se në takim u diskutua për të gjitha nenet e marrëveshjes dhe preambulën. Megjithatë, ai tha se marrëveshja duhet ta ketë edhe vulën e Amerikës.

    “Në diskutim për krejt nenet e marrëveshjes, për preambulën, kemi provu me dhanë kontributin tonë si Aleancë, në mënyrë që Kosova edhe në këtë proces të arrijë sukses. Besoj që duhet të vazhdojmë më tutje bashkë me aleatët tonë, në këtë rast me Amerikën dhe me aleatët evropianë. Ky proces duhet ta ketë edhe vulën e Amerikës, jo vetëm përkrahjen. E duhur do të ishte që të ndodh në Uashington.” /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!