Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë sërish se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndihmuar agjendën serbe me politikën e tij anti-amerikane dhe kundër aleatëve, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Sipas Haradinajt, Serbia do të jepte miliardat ta largonte Kosovën nga mbrojtja Amerika, e këtë siç thotë ai Kryeministri po e bën falas.
“As armët e blera kineze, as armët e blera ruse, as lufta e madhe hibride serbo-ruse në Kosovë, as strukturat kriminale serbe në territorin e Kosovës nuk e kanë ndihmuar agjendën serbe në Kosovë aq sa e ka ndihmuar Albin Kurti me politikën e tij anti-amerikane dhe kundër aleatëve. Serbia do të jepte miliarda vetëm që ta largonte Kosovën nga mbrojtja amerikane dhe vendet e tjera aleate. Albini e largoi Kosovën pa pagesë fare”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Për Haradinajn, politika e Kurtit në Washington konsiderohet si politikë armiqësore, ndërsa sipas tij Gjermania po e përjashton Kosovën nga Procesi i Berlinit.
“Politika e Kurtit sot në Uashington çdo ditë e më shumë konsiderohet si politikë gati armiqësore, kurse Evropa e udhëhequr nga Gjermania, me atë që tha Sarrazin, po e përjashton Kosovën nga Procesi i Berlinit dhe nga çdo nismë rajonale. Evropa po instalon politikë 6 minus 1 në Ballkanin Perëndimor. Ky minus është Kosova: e përjashtuar nga çdo proces integrues, e sanksionuar dhe me pritje të fuqizimit të sanksioneve dhe masave të tjera izoluese”, ka shkruar kreu i AAK-së në Facebook.
Tutje ai thotë se Kosova ka një presidente koti, pasi sipas tij tek pas katër vitesh ajo ka marrë guximin me tregu se sa e rëndësishme është ShBA-ja për Kosovën.
Siç shkruan ai për Osmanin, “në çdo ndyrësirë të Kurtit, ti je në mes të saj”.
“Kosova ka një presidente koti që pas katër vitesh qeverisje merr guximin të dalë në televizion dhe për 40 minuta të flasë sa e rëndësishme është SHBA-ja për Kosovën, sikur gjatë këtyre katër viteve ajo të kishte qenë në hënë. Një përpjekje e mjerë për ta hequr përgjegjësinë nga vetja dhe për ta ngarkuar vetëm Kurtin. Gabim, zonja Presidente. Në çdo ndyrësirë të Kurtit, ti je në mes të saj”, ka thënë Haradinaj.
/Reporteri.net/