Haradinaj: S’mund të shkojmë në zgjedhje për shkak të një qyqani që s’mund të mbaj Qeveri

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka drejtuar kritika të ashpra drejt kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe partisë së tij Vetëvendosje, për kërkesën e tyre që vendi të shkojë në zgjedhje.


Haradinaj ka thënë vendi nuk mund të shkojë në zgjedhje shkaku i një qyqani, që e ka humbë shumicën në Kuvend pas 50 ditësh.

“Vendi nuk bën me shku në zgjedhje për shkak të një qyqani që s’mund ta bëj qeverinë. Nuk mundemi me shku në zgjedhje sepse dikush është lazdru. Kauza është me respektu edhe normën. Njëherë e mirë për ty, njëherë për atë”, tha Haradinaj në “DPT Te Fidani”.

Kryetari i AAK-së ka thënë se një parti me 26% nuk mund të vendos për gjëra të tilla. Ai ka thënë se VV duhet t’i ketë 81 deputetë për ta çuar vendin në zgjedhje.

“Vendi nuk bën me shku në zgjedhje për shkak se Albin Kurti u tregu i huptë, e humbi shumicën. Jo zotni, ruaje shumicën tjetërherë. Ai duhet ta kuptojë që nuk është një parti me 26% që vendos për një gjë të tillë. Partia me 26% s’mund të marr vendime. Për gabimet e tij, a duhet të shkojë në zgjedhje unë”, theksoi ai.

Haradinaj ka thënë se Kurti prishi raportet me LDK-në vetëm pas 50 ditësh për shkak të qasjes së tij joserioze dhe tash kërkon të shkojë në zgjedhje.

“Njëherë ishin të mirë LDK, për 50 ditë s’mundët me nejt bashkë, tash në zgjedhje. Nuk shkon vendi në zgjedhje kështu, le t’i bëj Albin Kurti 80 vota, pastaj shkojmë në zgjedhje”, tha ai.