×
  • Lajme
  • Lajme

    Haxhiu: Nuk e tërheqim nga Kuvendi Byronë për Verifikim e Konfiskim të Pasurisë

    Reporteri
    02 Korrik 2022 | 11:25

    Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme nuk do të tërhiqet nga Kuvendi i Kosovës, ka thënë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

    Në një intervistë për KosovaPress, Haxhiu deklaroi se të gjitha rekomandimet e Komisionit të Venecias do të përfshihen mes dy leximeve.

    Haxhiu ka folur edhe për kundërshtimet ndaj Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) por edhe për mundësinë e krijimit të një mekanizmi mbikëqyrës për Gjykatën Speciale dhe marrëveshjen për qelitë me Danimarkën.

    Tashmë që shqyrtimi i parë i Projektligjit për Byronë është planifikuar të bëhet në seancën e së enjtes, Haxhiu e konsideron sukses që Komisioni i Venecias i ka dhënë dritën e gjelbër konceptit të konfiskimit civil.

    “Janë gjashtë rekomandime kryesore që na ka dhënë Komisioni i Venecias dhe janë disa të tjera që nuk janë edhe aq përmbajtësore, por janë të rëndësishme. Ne jemi të interesuar që secilin prej rekomandimeve që ka adresuar Komisioni i Venecias ta adresojmë bashkërisht në Komisionin për Legjislacion. Dhe pasi që ky projektligj ta marr miratimin nga Kuvendi i Kosovës në lexim të parë, pasi diskutimet të jenë përmbyll në Kuvend, tani mbetet vetëm votimi. Ne jemi të gatshëm si ministri e Drejtësisë që të ulemi me grupin punues të Komisionit për Legjislacion për ta trajtuar secilin prej rekomandimeve. Unë nuk pajtohem me ata që thonë se duhet të tërhiqet ky projektligj, të paktën në adresën time nga ka ardhur diçka e tillë kam parë thirrje për zbatim që i janë bërë qeverisë që t’i adresojnë komentet e Venecias, unë mendoj që thirrjet janë komplet legjitime dhe në linjë me qëndrimet tona si qeveri, askush nuk është i interesuar që të procedojë një projektligj për sa kohë nuk janë adresuar rekomandimet e Venecias”, u shpreh Haxhiu.

    Ligji për Këshillin Prokurorial, i cili ka kaluar në Kuvend më 23 qershor, ka ngjallur edhe reagime. Dy partitë më të mëdha opozitare, PDK dhe LDK, e kanë dërguar të njëjtin në Kushtetuese për vlerësim të kushtetutshmërisë së këtij ligji.

    Reagime pati edhe nga Këshilli Prokurorial, që i kërkoi Avokatit të Popullit, ta referonte në Kushtetuese.

    Por, për ministren Haxhiu ky reagim i KPK-së është i paprecedentë dhe se përçon një mesazh të gabuar tek të gjithë.

    “Mendoj se një deklaratë e tillë (KPK-së) është e paprecedentë. Nuk kam parë ndonjëherë që një institucion që edhe përkundër faktit që në procedura të rregullta legjislative dhe në frymën e standardeve evropiane është hartuar një projektligj i tillë, nuk kam parë një qasje të tillë, një deklaratë të tillë nga asnjë institucion asnjëherë ku tregon hapur rezistencën e tyre për një projektligj që është miratuar në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë ajo.

    Krijimi i një mekanizmi që mbikëqyr punën e Speciales u shndërrua në një çështje pas vizitës së kryekuvendarit, Glauk Konjufca tek ish-krerët e UÇK-së të cilët po mbahen në paraburgim.

    Haxhiu pajtohet që Kosova duhet ta ketë një instancë e cila vlerëson objektivisht punën e Gjykatës Speciale ne aspektin e të drejtëve të njeriut, por thotë se këtë mund ta bëjë vetëm Kuvendi ose Avokati i Popullit.

    Ministria e Drejtësisë po ashtu po synon që gjatë këtij muaji ta sjellë në Qeveri të Kosovës edhe marrëveshjen me Danimarkën për dhënien e qelive me qira të burgut të Gjilanit.

    Ajo beson që kjo marrëveshje ndërkombëtare do ta ketë edhe mbështetjen e opozitës, pasi i duhet dy të tretat e votave të të gjithë deputetetëve për ta miratuar.

    “Jam optimiste që (opozita) do ta japin mbështetjen për një marrëveshje të tillë, mendoj se nuk do të duhej që të ndërlidhnin proceset e ndryshme me marrëveshjet ndërkombëtare, jo me marrëveshjen me Danimarkën apo me shtetet e tjera për faktin se ne si shtet jemi të interesuar edhe strategjikisht me shtetet që në vazhdimësi e kanë mbështetur Kosovën, uroj që ta kemi edhe mbështetjen e opozitës për këtë marrëveshje”, u shpreh Haxhiu.

    E gjatës kësaj jave ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu bashkë me kryeministrin, Albin Kurti janë takuar me liderin e PDK-së, Memli Krasniqi dhe përfaqësuesin e AAK-së, Selim Selimi ku kanë diskutuar për procesin e vettingut. E përkundër ftesës, lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku e ka refuzuar një takim të tillë./kp

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!