×
  • Lajme
  • Lajme

    Haziri thotë se do të realizohen të gjitha projektet e parapara për këtë vit

    Reporteri
    06 Qershor 2020 | 18:48

    Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, në konferencën për media pas mbledhjes së Bordit të drejtorëve, të shtunën, ka konfirmuar se do të realizohen të gjitha projektet e parapara për këtë vit, e që kapin koston e dhjetëra miliona eurove.


    “Po mundohemi që t’i mbrojmë të gjitha këto projekte që i kemi për këtë vit, për të faktuar qëllimin dhe nevojën e realizimit. Pres që Kuvendi Komunal ta jap ditën e gjelbër, të mërkurën, në mënyrë që Qeveria dhe Kuvendi i Republikës ta menaxhojë buxhetin e rishikuar. Është rishikim i vogël sepse mbeten të gjitha projektet që kanë qenë”.

    Ai pohoi se Bordi ka vlerësuar edhe reformën në shërbimin civil dhe administratë, duke thënë se po shkojnë drejt normimit dhe standardizimit të plotë e konform kontratave, derisa është folur edhe për reformën në administratën e arsimit dhe në shkollën profesionale, e cila në shtator e gjënë këtë komunë të përgatitur.

    Në këtë rrafsh, Haziri ka njoftuar se së shpejti do të nis edhe ndërtimi i çerdhes në lagjen Arbëria.

    “Përpos çerdheve që janë funksionalizuar, të hënën do të vijojnë mësimin plotësues nxënësit të klasëve të nënta për t’u përgatitur për testin e arritshmërisë i cili mbahet me 23 qershor, ndërkaq më 4 korrik mbahet testi i maturës. Po punojmë shumë që ta përmbyllim vitin shkollor dhe të përgatitemi për fillimin e vitit të ri shkollor”.

    Duke folur për situatën e pandemisë Covid-19, kryetari Lutfi Haziri pohoi se po menaxhohet në mënyrën më të mirë nga  Komiteti përkatës, ndërkaq ka njoftuar se Gjilani po shkon drejt masave të reja të zbatimit, meqë nuk ka burime të reja të infeksionit.

    “Por, shqetësuese është rritja e numrit të rasteve pozitive në komunat fqinje dhe na bëjnë të obligueshëm që të mos lejojmë burim të ri të infeksionit. Apeloj të gjithë ata që punojnë jashtë Gjilanit që t’i përdorin masat mbrojtëse. Ndërkaq, është vërejtja e fundit për qendrat tregtare, të cilat nuk po i respektojnë masat. Nuk ka më tolerancë, inspekcioni do ta bëj punën e tyre”, ka thënë ai. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!