Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka ftuar sot kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurtin që ta marrë mandatin për formimin e Qeverisë.
Fillimisht Kurti ishte ftuar nga Thaçi në takimin konsultativ për caktimin e mandatarit të Qeverisë së re, në ora 13:30, por ai nuk u paraqit me arsyetimin se nuk ndodhej në Prishtinë.
Pas kësaj, Thaçi i ka dërguar një ftesë të dytë Kurtit duke e thirrur në takim për në ora 20:00, shkruan Reporteri.net.
Në Vetëvendosje nuk kanë dhënë asnjë përgjigje për vendndodhjen e Kurtit dhe nëse ai do t’i përgjigjet sonte ftesës së Thaçit.
Reporteri.net ka kontaktuar zëdhënësin e VV-së, Arlind Manxhuka, por ai nuk është përgjigjur. Njëjtë ka vepruar edhe nënkryetarja e VV-së, Albulena Haxhiu e cila nuk është përgjigjur dhe pas përpjekjeve të vazhdueshme të Reporterit e ka ndalur telefonin.
I vetmi që është përgjigjur ka qenë deputeti i zgjedhur i VV-së, Shpejtim Bulliqi i cili ka thënë se nuk di asgjë pasi ndodhet në ligjërata.
Kujtojmë se Parlamenti i Kosovës u mblodh dje pasdite dhe zgjodhi kryetarin e ri. Me 75 vota për, 27 kundër dhe 6 abstenime, Glauk Konjufca u zgjodh kryetar i parlamentit të Kosovës. Zgjedhja e Konjufcës në postin e kryeparlamentarit i bllokon negociatat LDK-VV, për shkak se posti i kryetarit të Kuvendit ishte në plan t’i takonte partisë së Mustafës.
Në anën tjetër, kreu i VV-së, Albin Kurti gjatë ditës së djeshme është shprehur se zgjedhja e Glauk Konjufcës në krye të Kuvendit nuk ka qenë befasi për LDK-në, post ky që gjatë negociatave me këtë parti, i takonte LDK-së. Mirëpo lideri i LDK-së, Isa Mustafa deklaroi se LDK nuk kishte asnjë informacion për këtë veprim, siç e ka quajtur ai të njëanshëm të Vetëvendosjes.
Megjithatë nga të dy partitë kanë thënë se do të vazhdojnë bisedimet për formimin e qeverisë së re. /Reporteri.net