×
  • Lajme
  • Lajme

    Hill: Asociacioni mund të përbyllet deri në fund të vitit

    Reporteri
    23 Mars 2023 | 23:22
    Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill. Fotografi nga arkivi.

    Ambasadori i ShBA-ve në Beograd, Christopher Hill, ka thënë se Asociacioni si obligim ka qenë pjesë e dialogut qysh prej vitit 2013, pas dakordimit në Bruksel.

    Kur u pyet në lidhje me afatin kohor për themelimin e tij, dhe nëse do të ndodh para ose pas zgjedhjeve në veri të Kosovës, ambasadori amerikan tha se “nuk mund të flitet për afate kaq të shkurtra”, shkruan Nova, transmeton gazeta online Reporteri.net.

    Megjithatë, ai ka deklaruar se ambasadori amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar “foli për disa termine afatgjata dhe se gjithçka mund të përfundojë deri në fund të vitit 2023”.

    “Por mendoj se duhet të përpiqemi të ecim shpejt, për të garantuar që të respektohen interesat e komunitetit serb në Kosovë”, tha diplomati amerikan.

    “Asociacioni ka qenë pjesë e dialogut që nga viti 2013, dhe duhet të formohet në mënyrë që komuniteti serb, kryesisht në Mitrovicën e Veriut, ta shohë se si do të jetë e ardhmja e tij. Mendoj se ata aktualisht po shikojnë shumë modele që janë në përputhje me standardet evropiane”, tha tutje.

    I njëjti ka thënë se po flitet për një takim tjetër mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq së shpejti, “për t’i sqaruar disa gjëra”.

    Hill tha se të dy liderët kanë bërë përparim gjatë negociatave në Ohër, por se ende ka shumë punë për të bërë, përcjell Reporteri.net.

    “Mendoj se kanë bërë përparim. Do të doja të shihja disa gjëra më konkrete, por mendoj se po ecim shumë qartë drejt zbatimit të këtij procesi të dialogut. Duhet ende shumë për të bërë, veçanërisht në artikulimin se si do të duket Asociacioni, kjo është një çështje kyçe”, deklaroi ambasadori amerikan në Pink TV.

    Ai tha se gjëja më e rëndësishme për SHBA-në në Ballkanin Perëndimor janë marrëdhëniet e mira ndërmjet shteteve.

    “Duhet të ketë dukshëm më shumë iniciativa rajonale në mënyrë që të krijohen modele më të mira bashkëpunimi mes vendeve të Ballkanit Perëndimor. Dhe çështja e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është pjesë e procesit të integrimit rajonal”, tha Hill. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!