×
  • Lajme
  • Lajme

    Hoti i shkruan telegram Bidenit: Jam i përkushtuar të punoj me administratën tuaj

    Reporteri
    21 Janar 2021 | 12:17

    Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, i ka dërguar telegram urimi Presidentit të SHBA-së, Joe Biden.


    Hoti në telegram ka potencuar marrëdhënien e veçantë që ka Kosova me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    “Jam shumë i lumtur të theksoj se Republika e Kosovës ka marrëdhënie shumë të veçanta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në historinë e fundit të Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë luajtur një rol vendimtar”, thuhet midis tjerash në telegram.

    Hoti në telegram po ashtu ka falënderuar, ish Presidentin Donald Trump dhe administratën e tij për mbështetjen e dhënë për proceset demokratike në Kosovë, dhe integrimet ekonomike rajonale.

    Telegrami i plotë:

    I nderuar z. Biden,

    Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ju lutem pranoni urimet e mia për zgjedhjen tuaj si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Jam shumë i lumtur të theksoj se Republika e Kosovës ka marrëdhënie shumë të veçanta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në historinë e fundit të Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë luajtur një rol vendimtar.

    Qeveria e Republikës së Kosovës, të gjitha partitë e saj politike, pozita dhe opozita janë plotësisht të përkushtuara për të kultivuar dhe forcuar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Unë jam i përkushtuar të punoj me administratën tuaj për të forcuar Institucionet demokratike, integrimin Euro – Atlantik dhe për t’u bërë një bartës i stabilitetit.

    Me këtë rast, do të doja të shpreh falënderimet dhe mirënjohjet e mia për Presidentin Donald Trump dhe administratën e tij për mbështetjen e dhënë për proceset demokratike në Kosovë, dhe integrimet ekonomike rajonale.

    Me vlerësimin më të lartë për ju dhe vendin tuaj, e mirëpres bashkëpunimin me ju.

    Sinqerisht,

    Avdullah Hoti

    Kryeministër i Republikës së Kosovës

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!