×
  • Lajme
  • Lajme

    Kryeministri në detyrë: Kuvendi të mos shpërndahet pa u miratuar buxheti për vitin 2021

    Reporteri
    22 Dhjetor 2020 | 15:16

    Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti në një konferencë për media ka folur për vendimin e Kushtetueses, me të cilin qeveria e tij u shpall e paligjshme.


    Hoti ka thënë se qeveria që ai drejton, tani si qeveri në detyrë do të vazhdojë të kryej obligimet që ka karshi qytetarëve, shkruan Reporteri.net.

    “Dëshiroj të siguroj qytetarët dhe partnerët tanë që do të jemi në krye të detyrës për t’u marrë me obligimet që i kemi ndaj qytetarëve, sidomos me situatën me pandeminë ku kemi treguar rezultate të mira”, u shpreh ndër të tjera Hoti.

    Hoti ka kërkuar që Kuvendi të mos shpërndahet pa u miratuar buxheti 2021. Ai ka thënë se pret nga deputetët që të miratojnë buxhetin, në mënyrë që t’i hapet rrugë zbatimit të pakos ekonomike.

    “Tash përpara e kemi një punë të rëndësishme për të votuar buxhetin 2021. Unë, tash para jush bëj thirrje që Kuvendi të mos shpërndahet pa votimin e buxhetit. Pres që Kuvendi të miratojë buxhetin dhe marrëveshjet ndërkombëtare. Ne do të vazhdojmë punën tani si qeveri në detyrë, do të vazhdojmë të zbatojmë pakon ekonomikë”, u shpreh ai.

    Hoti, ndër të tjera ka thënë se qeverisja e tij do të mbahet mend për menaxhimin e situatës me pandeminë, hapjen e vendit dhe ekonomisë, përmirësimin e raporteve me partnerët ndërkombëtarë.

    “Kjo qeveri do të mbahet mend sepse ne e kemi marrë qeverisjen në një gjendje të vështirë, e kemi hapur vendin, ekonomikë, kemi përmirësuar raportet me partnerët ndërkombëtarë, kemi filluar procesin e dialogut pas një bllokade, kemi zhvilluar pakon ekonomike që është më e madhja në rajon, kemi dhënë shembull se si duhet të udhëhiqet një shtet demokratik”, u shpreh Hoti.

    Kryeministri në detyrë nuk bëri të ditur nëse do të kandidojë sërish për këtë pozitë.

    “Do të diskutojmë brenda strukturave të partisë për të bërë përgatitjet për zgjedhje, meqë jemi në një pozitë të mirë duke pasë parasysh të arriturat e kësaj qeverie”, u shpreh Hoti. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!