×
  • Lajme
  • Pa kategori

    Hoti mesazh Kurtit: Kushdo që ka probleme me ligjin, nuk mund të kërkojë të marrë post publik

    Reporteri
    27 Janar 2021 | 12:21

    Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti e ka komentuar vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa rreth certifikimit të kandidatëve të disa subjekteve politike, duke thënë se vendimet e organeve të drejtësisë duhet të respektohen pa i komentuar.


    “Vendimet e organeve të drejtësisë duhet të respektohen. Fokusi im dhe dëshira ime është që unë të ballafaqohem me të gjitha kandidatët për kryeministër, sigurisht duke i përmbushur kriteret elementare të respektimit të ligjit. Gjithkush që ka probleme me ligjin, nuk mund të kërkojë të marrë post publik apo të dalë para qytetarëve”, ka deklaruar Hoti.

    Ai ka thënë se motoja e LDK-së është normaliteti dhe zhvillimi.

    “Motoja jonë është normalitet, stabilitet dhe zhvillim. Unë jam munduar të sjellë sa më shumë normalitet në jetët tona sepse kështu mund të kemi zhvillim afatgjatë”, tha ai, pas homazheve te Pllaka përkujtimore për hebrenjtë, që pësuan gjatë holokaustit, shkruan Reporteri.net.

    Kujtojmë se PZAP dje ka marrë vendim që të refuzohet pjesërisht ankesa e Vetëvendosjes për vendimin e KQZ-së për mos-certifikimin e listës së kandidatëve për deputetë.

    PZAP ka certifikuar vetëm listën e kandidatëve të VV-së që nuk kanë probleme me ligjin- nuk janë të dënuar në 3 vitet e fundit me vendim përfundimtar.

    Në bazë të këtij vendimi, kreu i VV-së, Albin Kurti, mbetet jashtë listës për deputet.

    Bashkë me të, jashtë kësaj liste mbeten edhe 4 kandidatë të tjerë të Vetëvendosjes: Albulena Haxhiu, Liburn Aliu, Labinotë Demi-Murtezi dhe Bajram Mavriqi.

    Po ashtu, Paneli ka vendosur se Vetëvendosje nuk ka mundësi më t’i zëvendësojë pesë kandidatët e saj që ishin dënuar me aktgjykim të formës së prerë në tri vitet e fundit, pasi këtë kanë mundur ta bëjnë deri më 21 janar, kur edhe është mbyllur afati.

    Ndërkaq për pjesën tjetër të listës është pranuar ankesa dhe kandidatët janë certifikuar.

    Partitë që duan të ankohen ndaj këtij vendimi kanë 24 orë afat për t’u ankuar në Gjykatën Supreme. Supremja do të ketë tre ditë afat për vendim.

    Procesi i certifikimit mbyllet më 31 janar. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!