×
  • Lajme
  • Lajme

    Hovenier pyetet për zhvillimet e fundit: Kam shumë gjëra për të thënë javën e ardhshme

    Reporteri
    26 Janar 2023 | 10:43
    Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, nuk ka pranuar të flasë për zhvillimet e fundit në vend, në një organizim ku ai po merr pjesë.

    Por, Hovenier tha se ka shumë gjëra për të thënë javën e ardhshme.

    “Jo, kam shumë gjëra për të thënë javën e ardhshme”, është përgjigjur shkurt Hovenier.

    Ambasadori Hovenier, po merr pjesë në konferencën ndërkombëtare për Siguri Kibernetike “Cyber ZERO”. Prezent në këtë konferencë është edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. As Kurti deri më tani nuk ka folur për takimin që kishte mbrëmë me ndërmjetësin evropian në dialog, Miroslav Lajçak.

    I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak pas një darke pune që pati mbrëmë me kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendësin e tij, Besnik Bislimi, tha se se me ta pati diskutime të hapura dhe intensive. Lajçak tha se me Kurtin e Bislimin u dakorduan për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të kaluara.

    “U ktheva në Kosovë sot për t’i vazhduar diskutimet e mia të sinqerta, të hapura dhe intensive me kryeministrin Albin Kurti dhe zv.kryeministrin Bisnik Bislimin, për hapat e ardhshëm dhe rrugën përpara për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ne gjithashtu u dakorduam që të gjitha marrëveshjet e kaluara të dialogut, të zbatohen plotësisht”, shkroi Lajçak.

    Ambasada amerikane në Prishtinë gjatë së martës ka konfirmuar se më 31 janar do të jetë nikoqire e një diskutimi për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

    “Ne jemi duke ftuar një grup divers të liderëve të shoqërisë civile, zyrtarëve qeveritarë, liderëve politikë dhe diplomatëve, për të diskutuar këtë çështje me rëndësi”, u tha në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

    Gjatë javës së kaluar pas vizitave në Kosovë e Serbi, emisari amerikan, Gabriel Escobar deklaroi se Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të arrihet përmes partnerëve, dhe se një person [Kurti] nuk mund ta shmang këtë obligim ligjor.

    “Shikoni, një person dhe një palë nuk mund të shmangë një detyrim ligjor ndërkombëtar. Ky është fakt. Ne do ta bëjmë këtë dhe unë do ta bëj këtë duke gjetur partnerë dhe ka shumë partnerë, ka shumë njerëz që duan të shohin marrëdhënie më të mira të serbëve në veri dhe pjesës tjetër të vendit”, tha ai në një intervistë për Zërin e Amerikës.

    Ai theksoi se qëllimi i Asociacionit është që veriu i Kosovës të bëhet më funksional.

    Emisari amerikan shtoi se bashkësia ndërkombëtare kërkon që kjo të bëhet, dhe se po pret që edhe Kurti ta ketë të qartë këtë. /Reporteri.net/

    Lajçak pas takimit me Kurtin e Bislimin: U pajtuam për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të kaluara

     

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!