Javën që shkoi, mediat sllovene e bën publike një dokument që pretendohet se kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha, ia dërgoi disa zyrtarëve të Bashkimit Evropian, në të cilin ‘non-paper’ paraqiti idenë e rikonfigurimit të kufijve në Ballkanin Perëndimor. Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, ka thënë se kjo ide tregon problemet e mëdha që ka regjioni i Ballkanit Perëndimor.
Tutje, ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që politikisht angazhohet për bashkimin kombëtar, tha për Gazetën Online ‘Reporteri.net’ se publikimi i dokumentit është përpjekje për ta testuar opinion për zgjidhjet e tjera të mundshme për problemet e vendeve ballkanike, shkruan Reporteri.net.
“Me mosveprimin tonë kemi bërë që zgjidhja e çështjes së raporteve Kosovë-Serbi të na lidhet me çështjen e Bosnjë dhe Hercegovinës gjë që do ta komplikonte shumë çështjen tonë. Përderisa në rastin e Bosnjë dhe Hercegovinës çështja e ndarjes së saj, është çështje e popujve të saj, idetë mbi ripërcaktimin e kufijve në rastin tonë nuk do të duhej të na frikësonin, sepse shqiptarët janë ata që janë më të dëmtuarit nga kufijtë aktual”, tha Murati për Reporteri.net.
“Ne do të duhej ta kuptonim se e kemi shumë të rëndësishme zgjidhjen e problemeve me Serbinë, në mënyrë që ta përmbyllim çështjen e pavarësisë së Kosovës (sidomos në planin e legjitimitetit të jashtëm, por edhe të funksionalitetit të brendshëm) dhe t’ia hapim rrugën edhe mundësisë së një raporti tjetër me Republikën e Shqipërisë, përfshirë bashkimin në një entitet shtetëror. Andaj guximshëm do të duhej që në tryezën e bisedimeve jo të presim që të tjerët të shtrojnë çështjen e ripërcaktimit të kufijve por vetë ta shtrojmë atë, me parimin që pjesa shqiptare e Kosovës Lindore të bashkohet me Kosovën si dhe pjesa serbe e tre komunave veriore të bashkohet me Serbinë”, tha Murati për Reporteri.net.
Për Muratin, që përkrah ndryshimin e kufijve ndërmjet Kosovës e Serbisë, thotë se vetëm rikonfigurimi i territoreve do të hapte rrugën e bashkimit të shqiptarëve.
“Vetëm një zgjidhje e tillë, do të shtronte rrugën pastaj për ndryshimet kushtetuese në Kosovë, heqjen e kufizimeve që ka kjo kushtetutë e që burojnë nga Pakoja e Ahtisaarit dhe të cilat do të mundësonin funksionalizimin e plotë të shtetit të Kosovës si dhe do të hapnin edhe rrugën (nëse për këtë ka vullnet) për bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë”, shtoi Murati.