×
  • Lajme
  • Lajme

    Ilir Meta dhe Ramush Haradinaj kanë një synim: Hekurudhën Shqipëri–Kosovë

    Reporteri
    25 Nëntor 2021 | 12:52

    Presidenti Ilir Meta dhe kreu i AAK-së Ramush Haradinaj kanë një ëndërr dhe synim të përbashkët: lidhjen hekurudhore midis Shqipërisë dhe Kosovës.

    Kjo dëshirë, ky projekt, është shpalosur sot nga të dy në takimin që kanë pasur në Prishtinë dhe e kanë konfirmuar të dyja palët.

    “I lumtur të nisja sot ditën me një takim vëllazëror në Prishtinë me Kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ish-Kryeministrin, Ramush Haradinaj. Ndamë urimet më të ngrohta në vigjilje të Ditës së Flamurit Kombëtar dhe nënvizuam rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve strategjike mes dy vendeve, në dobi të qytetarëve tanë. Në këtë kuadër, vendosja e lidhjes hekurudhore mes Shqipërisë dhe Kosovës është e domosdoshme dhe me impakt zhvillues për tërë rajonin. Duke evidentuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet të gjitha vendeve tona, si element kyç në promovimin e stabilitetit, sigurisë dhe paqes në Ballkan, theksova se Procesi i Berlinit është një mundësi e shkëlqyer për të rritur bashkëpunimin rajonal dhe përshpejtuar perspektivën tonë të përbashkët europiane”- shkruan ai në Facebook.

    Të njëjtin mendim ka ndarë edhe kreu i AAK-së.

    “Folëm hapur për projektet e përbashkëta me interes të dy vendeve tona dhe kërkova mbështetjen e Presidentit për linjën hekurudhore që do ta lidhte Prishtinën dhe Durrësin, krijimin e një sistemi të përbashkët mbrojtës për ndihmë të ndërsjellë në situata të jashtëzakonshme e emergjente si dhe krijimin e lehtësirave për të mundësuar shtetësinë shqiptare për të gjithë shqiptarët kudo që janë. Njëkohësisht shfrytëzova rastin që Presidentit Meta dhe Popullit Shqiptar tu uroj Ditën e Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë”, ka shkruar ai në Facebook.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!