Kabineti i kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, mohon përfshirjen e pjesëtarëve të sigurimit të tij personal në incidentin e sotëm në aeroportin e Shkupit.
Sipas njoftimit të tyre thuhet se anëtarët e ekipit të sigurimit të Kryeparlamentarit Gashi kanë qenë të pranishëm aty vetëm për ta qetësuar situatën e krijuar nga një keqkuptim mes sigurimit të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe pjesëtarëve të sigurimit të aeroportit.
“Personeli i sigurimit të kryeparlamentarit Gashi, të cilët janë të punësuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, kanë ndërhyrë për ta qetësuar situatën dhe për t’i udhëzuar kolegët e tyre për procedurat e sigurisë gjatë vizitës së personave VIP. Me këtë rast theksojmë se çdo raportim që e sugjeron të kundërtën është tendencioz”, thuhet në njoftim.
Në njoftimin e MBP-së maqedonase thuhet se sot rreth orës 10:00 në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, teksa presidentja Osmani po kalonte kontrollin kufitar, në momentin kur asaj iu kërkua që telefonin ta kalonte përmes skanerit, një person nga sigurimi i saj është larguar nga punonjësja e TAV-së, me qëllim që ajo të kalonte pa telefon të skanuar dhe bagazh dore. Aty përmendet ndërhyrja e sigurimit të Gashit.
“Por më pas bagazhi u kthye dhe kaloi përmes një skaneri. Pas gjysmë ore erdhi një person nga sigurimi i kryetarit të Kuvendit Gashi (polic) me dy persona të tjerë (polic) dhe filluan të kërcënojnë punëtorët e TAV-së dhe të pyesin se kush i ka shkaktuar problem presidentes. Në të njëjtën kohë ka shtyrë edhe një punonjës policie që punonte në pikën kufitare”, thuhet në njoftim.
Incidenti është konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net nga këshilltarja e Presidentes, Egnesa Vitia. Sipas saj, kur Osmani s’ka pranuar ta dorëzojë telefonin, ka pasur tentim të shtyrjes fizike ndaj saj nga ana e sigurimit dhe se është dashur ndërhyrja e Policisë së Kosovës për ta hapur rrugën.
“Ne kundërshtim me praktikat ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike, sigurimi i Aeroportit të Shkupit ka tentuar ta marrë telefonin personal të Presidentes. Presidentja nuk ka lejuar një gjë të tillë, sepse do të ishte shkelje e rëndë. Përkundër shpjegimit të rregullave qe ekipi i Presidentes ia ka bërë të ditur zyrtarit të aeroportit, ai ka tentuar fizikisht ta shtyjë Presidenten me ç’rast është detyruar që të reagojë Policia e Kosovës për ta hapur rrugën”, ka deklaruar Vitia Reporteri.net.
Duke mos i respektuar rregullat, sipas Presidences së Kosovës, pala maqedonase e kishte marrë çantën personale të dorës së presidentes Osmani.
Por, dorëzimi i telefonit personal nuk është pranuar nga ajo.
“Kjo sjellje e zyrtarit maqedonas të aeroportit është në kundërshtim me çdo praktikë ndërkombëtare, sipas të cilave kur krerët e shtetit udhëtojnë, ata mbrohen me privilegje e imunitete diplomatike. Në kundërshtim me këto rregulla, pala maqedonase ka marrë çantën personale të dorës së presidentes. Edhe pse kjo ishte kundër rregullave, ekipi i Presidentes e ka lejuar në mënyrë që Presidentja të hyjë në aeroport, konkretisht në sallën VIP, e cila ishte rezervuar me notë verbale të Ambasadës sonë, siç është praktika për udhëtimet e krerëve të shtetit. Mirëpo, për arsye të sigurisë, në asnjë mënyrë nuk është lejuar që të dorëzohet telefoni personal”, ka deklaruar Vitia.
Incident diplomatik në aeroportin e Shkupit, Presidentes Osmani sigurimi provoi t’ia marrë telefonin