×
  • Lajme
  • Lajme

    Incidenti në Universitetin e Gjakovës, profesori i përshirë në përleshje vazhdon të ligjërojë, vendimi për të në duart e Senatit

    Reporteri
    26 Tetor 2022 | 14:58

    Autor: Egzona Krasniqi


    Valdet Hysenaj, Profesor i Fakultetit të Edukimit në Universitetin “Fehmi Agani” të Gjakovës vazhdon të ligjërojë në këtë universitet, përkundër faktit se ndaj tij ka rast të hapur në polici.

    Ditë më parë, Valdet Hysenaj dhe zyrtari për shërbimin e studentëve në Fakultetin e Edukimit në Universitetin e Gjakovës, Albert Vula, përfunduan diskutimet e ashpra me përleshje fizike, ku një nga ta përfundoi edhe me lëndime trupore.

    Nga Policia e Kosovës kanë konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net se lidhur me këtë incident ka rast të hapur në polici.

    “Me datë 03.10.2022 rreth orës 11:00 Stacioni Policor në Gjakovë është njoftuar për një incident në Fakultetin e Edukimit “Fehmi Agani” në Gjakovë në mes të dy zyrtarëve punonjës të po të njëjtit fakultet. Patrulla policore ka dalë në vendin e ngjarjes ku si pasojë e atij incidenti njëri nga personat e përfshirë në rast kishte pësuar lëndime të lehta trupore. Në cilësinë e të dyshuarit është arrestuar një person lindur në vitin 1964 i cili pas intervistimit në konsultim me Prokurorin Kujdestar është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

    Ndërkaq, nga Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë në një përgjigje për gazetën online Reporteri.net kanë konfirmuar se profesori Hysenaj vazhdon të ligjërojë në këtë universitet, por kanë kanë thënë se Këshilli i Etikës tashmë ka marrë një vendim-propozim lidhur me incidentin e datës 3 tetor në hapësirat e Fakultetit të Edukimit dhe se ky vendim do t’i paraqitet Senatit për miratim.

    “Po, Këshilli i Etikës tashmë ka marrë një vendim-propozim lidhur me incidentin e datës 3 tetor në hapësirat e Fakultetit të Edukimit në UFAGJ. Në hapin e radhës, vendimi i Këshillit të Etikës do t’i paraqitet Senatit për miratim. Profesori Hysenaj vazhdon të mbajë mësim gjer në mbledhjen e radhës së Senatit, në të cilën pritet të merret vendimi për të.

    Incidenti kishte ndodhur më 3 tetor 2022. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!