×
  • Lajme
  • Lajme

    “Interesi publik nuk u vendos në rend të parë”, zëdhënësi i Qeverisë pasi mediat bojkotuan konferencën

    Reporteri
    25 Janar 2023 | 13:16

    Pas bojkotimit të mbledhjes së Qeverisë nga mediat, ka reaguar zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu duke shprehur keqardhje për çfarë ka ndodhur, por që siç thotë ai kishin një takim të brendshëm qeveritar, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Në një reagim në Facebook, Kryeziu thotë se konferencat për media pas mbledhjes janë me interes për publikun, dhe se sipas tij sot kjo e fundit nuk u vendos në rend të parë.

    “Shprehim keqardhje për atë që ndodhi sot. Vonesat në fillimin e konferencës për media ishin të arsyeshme meqë pas përfundimit të mbledhjes së Qeverisë kishte një takim të brendshëm të kabinetit qeveritar. Mbajtja e konferencës pas mbledhjes së Qeverisë ishte paralajmëruar paraprakisht. Me gjithë konsideratën për punëtorët e medieve që ishin prezent në ndërtesën e Qeverisë, besoj shumë që kjo situatë ka mundur të shmanget. Konferencat për media pas mbledhjes së Qeverisë janë me interes për publikun. Sot nuk pati konferencë për media sepse interesi publik nuk u vendos në rend të parë”, ka shkruar Kryeziu në Facebook.

    Gazetarët e akredituar në Qeverinë e Kosovës e kanë bojkotuar sot konferencën e paraparë të ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, si pasojë e vonesave të përhershme të ministrave të kabinetit qeveritar.

    Pas mbledhjes së ekzekutivit, ishte paraparë që Murati të mbajë një konferencë për gazetarë, por që e njëjta është bojkotuar, pasi gazetarët kanë pritur për afër një orë.

    Gazetarët e pranishëm kanë shprehur mllefin me ekzekutivin, me ç’rast deklaruan se kjo nuk është hera e parë që një ministër vonohet në konferenca të tilla.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!