×
Intervista

Adem Hoxha konfirmon votën e goranëve për Qeverinë Kurti 2: Nuk kemi kushte, por kërkesë minimale për të mos u diskriminuar

Autor:Blendi Gashi
17 Mars 2021 | 12:07

Albin Kurti ka siguruar sot edhe votën e 63 për qeverinë e tij. Në takimin që ka zhvilluar sot me liderin e partisë së goranëve të Kosovës, Adem Hoxha i ka konfirmuar atij se do ta japë votën për formimin e ekzekutivit.

Këtë e ka bërë të ditur vetë Adem Hoxha në një intervistë për Gazetën Online “Reporteri.net”.

Kryetari i partisë së goranëve të Kosovës ka dhënë detaje për takimin që zhvilloi sot me kreun e Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe ushtruesen e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani.

Ka treguar, në këtë intervistë, pse do ta votojë qeverinë Kurti 2, dhe cilat ishin kërkesat që i parashtroi në takim.

Lexojeni të plotë intervistën e Adem Hoxhës dhënë për Gazetën Online ‘Reporteri.net’:

REPORTERI.net: Z. Hoxha, sot ju keni zhvilluar takim me kreun e VV-së, Albin Kurti dhe u.d. të presidentes Vjosa Osmani. A mund të na tregoni si shkoj takimi dhe çfarë biseduat?

Adem Hoxha: Takimi ka zgjatur një orë dhe ka kaluar në atmosferë miqësore dhe biseda ishte konstruktive.

z. Kurti dhe znj. Osmani kërkuan që partia jonë të ketë një rol mbështetës të Qeverisë dhe Presidentit.

Në takim i pohuam se në asnjë rast nuk do të jemi pengesë në formimin e institucioneve, siç nuk kemi qenë asnjëherë, pasi çdo here kemi qenë për zgjidhjen e problemeve.

REPORTERI.net: Çfarë kushtesh i parashtruat ju në takim?

Adem Hoxha: Kërkesat që i paraqitëm në takim ishin minimale, por ato duhet kuptuar në rolin tone konstruktiv.

Goranët janë të diskriminuar te çështja e punësimit në Kosovë, dhe këtë e shohim si problemin më kritik.

Ne kemi përmendur në takim se të rinjtë e komunitetit goran po detyrohen të largohen nga Kosova, dhe të emigrojnë.

Gurbeti është realiteti më i hidhur që nuk është zgjidhje, andaj kemi kërkuar të ketë angazhim më serioz në këtë pikë.

Në çështjet që kemi ngritur në takim kemi qëllime konstruktive dhe jemi të kënaqur me përgjigjet që morëm.

Vetë z. Kurti ka ngritur çështjen e diasporës dhe kemi biseduar si të përafrohet diaspora me goranët.

Çështjet që i kemi ngritur janë të nivelit politik, por janë vërtetë çështje të mbijetesës ekonomike për goranët që jetojnë në Kosovë. Peshën kryesore e kemi në këtë drejtim.

REPORTERI.net. Ju pas takimit me z.Kurti dhe znj.Osmani nuk u deklaruat nëse do ta votoni apo jo Qeverinë Kurti 2. Si do të jetë vota juaj, pro apo kundër?

Adem Hoxha: Ne kemi dorëzuar kërkesat tona për të cilat presim të hasim në mirëkuptim.
Ne do ta përkrahim formimin e institucioneve të Kosovës, pra vota jonë do të jetë pro votimit të Qeverisë Kurti.

Siç e thash, goranët kanë shumë halle ekonomike dhe e kuptojmë qartë se çdo bllokadë politike nuk çon askund.

E ardhmja e vendit është në bashkëpunim konstruktiv dhe pa diskriminim.

REPORTERI.net: Për fund, a keni pasur ndonjë kërkesë specifike drejtuar z. Kurtit, pra keni kërkuar ndonjë post ministror apo zv.ministror?

Adem Hoxha: Kemi kërkuar përfaqësim minimal në qeveri, gjithnjë në funksion të kontributit tone në këtë shoqëri, të vetëdijshëm se pa përfaqësim adekuat nuk mund të ketë zhvillim të ketë integrim.

Por nuk kemi kërkuar pozitë të ministrit apo zv.ministrit.

Kemi kërkuar më shumë krijimin e mekanizmave përkatëse që përforcojnë lidhjen tone me diasporën.

Mendoj që ka ardhur çasti, që institucionet e Kosovës të bëjnë më shumë për diasporën gorane. /Reporteri.net/.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!