×
Intervista

Ardita Sinani: Shqiprim Arifi është mashtrues, pozitive që Kurti ngriti çështjen e shqiptarëve të Luginës në dialogun me Serbinë

Autor:Blendi Gashi
04 Korrik 2021 | 19:00

Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, i kundërpërgjigjet ish-kryetarit Shqiprim Arifi, pasi ky i fundit e quajti kryetare jolegjitime, në një intervistë dhënë ditë më parë për Gazetën Online “Reporteri.net”.

Kryetarja Sinani poashtu në një intervistë dhënë për Reporteri.net thotë se nuk është problem i saj nëse Arifi nuk e kupton konceptin e legjitimitetit, por pohon se në të njëjtën mënyrë edhe ai u bë kryetar i Preshevës në vitin 2016.

Sinani në intervistë i kundërpërgjigjet akuzave të Arifit që sipas tij ajo ka dëmtuar pushtetin lokal me 5 milionë euro dhe se po ndiqet nga Prokuroria për Krime Ekonomike, ndërsa flet edhe për punët që ka bërë në komunën e Preshevës nga marrja e mandatit.

Ajo flet edhe për dialogun Kosovë-Serbi, ku e sheh pozitive ngritjen e çështjes së shqiptarëve të Serbisë (bashkë me atë të boshnjakëve) në tavolinën e dialogut në Bruksel me Vuçiqin.

Por Sinani thotë se është e rëndësishme që si përfaqësues të Luginës së Preshevës të jenë të përfshirë direkt ose indirrekt në çdo gjë që negociohet mbi Luginën e Preshevës
Ajo thotë se duhet pasur kujdes që Lugina e Preshevës të mos instrumentalizohet për interesa të kryeqendrave të ndryshme, çka e quan të rrezikshme idenë që të vendoset fati politik i Luginës së Preshevës pa përfshirjen dhe pa vullnetin e qytetarëve të saj.

Më poshtë mund ta lexoni të plotë intervistën me krytaren e Preshevës, Ardita Sinani, dhënë për Gazetën Online “Reporteri.net”.

REPORTERI.net: Jeni zgjedhur kryetare e Preshevës, edhe pse partia juaj nuk fitoi zgjedhjet. Si i keni gjetur punët në komunë pasi morët mandatin?

Ndryshe nga Kosova, në Serbi nuk kemi zgjedhje direkte për kryetar/e të Komunës, por vetëm për Asamble Komunale, e cila pastaj zgjedh me shumicë votash kryetarin/en e Komunës. Nuk është hera e parë që në Preshevë, partia e parë në zgjedhje nuk e merr postin e kryetarit/es së Komunës. Hera e fundit ishte në vitin 2016, kur u zgjedh kryetar Komune Shqiprim Arifi, edhe ai pse nuk i kishte fituar zgjedhjet lokale.
Gjendjen në komunë e kemi gjetur edhe më keq se që e kemi menduar. Degradimi i Komunës së Preshevës është së pari rezultat i diskriminimit shtetëror të Serbisë, por edhe i keqqeverisjeve lokale të ish-kryetarit, si pushtet i nënshtruar dhe i varur nga regjimi autoritar dhe nacionalist i Aleksandër Vuçiqit.

Cilat janë dy-tre vendimet që keni marrë që do t’i veçonit të cilat do të ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve?

Me konsolidimin e qeverisjes së re lokale, kemi angazhuar revizor profesional dhe të pavarur, për të shqyrtuar sesi janë shpenzuar mjetet e buxhetit publik nga qeverisja paraprake. Është me rëndësi t’i qartësojmë dyshimet e shumta për korrupsion dhe keqpërdorime të parave të taksapaguesve tanë. Nga ato që kemi parë deri tash, ka shumë vend për hetime.

Kemi filluar ndërtimin e qeverisjes transparente, profesionale dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve. Besimi në qeverisjen tonë reformatore po dëshmohet edhe nga gatishmëria e partnerëve vendorë, rajonalë dhe ndërkombëtarë për të mbështetur projektet tona zhvillimore në fushat e ndryshme.

Ish-kryetari Shqiprim Arifi në një intervistë dhënë për Gazetën tonë “Reporteri.net” ju ka quajtur kryetare jolegjtime, që jeni zgjedhur me pazare të natës dhe që nuk keni legjitimitet qytetarë. Si i kundërpërgjigjeni?

Nuk është problemi im nëse z.Arifi nuk e kupton legjitimitetin. Nuk mund t’ia mësojë unë. Ai mësohet në shkolla dhe universitete. E shpjegova edhe më lartë sistemin tonë zgjedhor lokal. Përmes votës së tyre, qytetarët delegojnë legjitimitetin te përfaqësuesit e tyre në Asamble Komunale të cilët pastaj zgjedhin ekzekutivin, respektivisht edhe kryetarin/en e Komunës.

Ata asambleistë kanë legjitimitetin për ta legjitimuar pastaj kryetarin/en e Komunës. Unë jam zgjedhur me marrëveshje politike midis partive politike që kanë fituar mandate në Asamblenë Komunale të Preshevës. Kështu është zgjedhur edhe z.Arifi kryetar Komune më vitin 2016, madje edhe me votat tona, edhe pse ai nuk kishte fituar zgjedhjet. Por atëherë që i konvenonte të zgjidhej kryetar Komune, ai e cilësonte procesin legjitim, tash që i humbi privilegjet, po sajon koncepte për jolegjitimitet, të cilat duket që edhe nuk i kupton. Pa harruar po ashtu se rregulla bazë e demokracisë përfaqësuese është pushteti i shumicës së tërësisë.

Nuk kam faj unë se z.Arifi është dëshmuar kryetar i mashtrimit. Ai i humbi shpresat para së gjithash të mbështetësve të tij. Sido që të jetë, me sa shihet, me z.Arifi kryetar partie, ka pak shpresë që politikat e tyre të jenë serioze, përmbajtësore dhe sidomos më të ditura.

Arifi poashtu ka hedhur sakuza të rënda ndaj jush, pasi ju ka akuzuar se keni dëmtuar pushtetin lokal me 5 milionë euro dhe se po ndiqeni nga Prokuroria për Krime Ekonomike. Cila është e vërteta?

Në përpjekjen e tij për t’u sjellur si viktimë, z.Arifi përpiqet ta shmang vëmendjen se ai e ka qeverisur komunën tonë në 5 vitet e fundit, duke bërë vazhdimisht akuza ndaj ish-opozitës. Akuza joserioze pa asnjë fakt. Kjo shifër prej 5 milion euro është pjesë e manipulimeve propagandistike për mashtrim të opinionit se kinse po sjellë punësim dhe zhvillim. Ose kemi të bëjmë me halucinacion.

Ato ‘projekte’ për të cilat ka premtuar se do t’i realizojë, në vlerë prej 5 million euro, nuk kanë ekzistuar kurrë. Siç nuk erdhën kurrë ata 2 dhe 3 investitorë gjermanë e zviceran të cilat i promovonte z.Arifi kur hyri në zgjedhje për herë të parë. E njohur kjo metodë e keqpërdorimit elektoral për pasurim privat, të gjendjes së rëndë sociale të qytetarëve, në zona të pazhvilluara dhe të varfëra. Mjafton me shikuar rritjen e luksit të jetës së tij dhe të bashkëpunëtorëve, në kohën e ushtrimit të pushtetit.

Në Prokurori në Nish më ka paraqitur Shqiprim Arifi pasi kemi ndërprerë bashkëqeverisjen. Ky kontekst e sidomos fakti se z.Arifi ka qenë vazhdimisht partner bashke qeverisës i SNS së Vuçiqit që kontrollon gjithçka në Serbi, krijon shumë arsye për të dyshuar në motivet e drejta të këtij procesi. Sidoqoftë, pas intervistimit tim të parë para më se dy vitesh, nuk jam ftuar tutje nga organet e ndjekjes. Nuk e kam problem të flas për këtë, ndryshe nga z.Arifi i cili nuk sqarohet për arrestimin me pranga të bashkëpunëtorëve të tij më të afërt për dyshime për korrupsion. Kjo është para pak kohësh. Ai ishte kryetar i Komunës. Ata ishin rrethi i tij më i ngushtë.

Cili është plani juaj qeverisës për të përmirësuar jetën e qytetarëve? A mund të na përmendni ndonjë projekt më madhor që mendoni ta realizoni brenda një kohë më të afërt?

Janë katër segmente prioritare e themeltare të programit tonë për Preshevën:

– Bizneset, bujqesia dhe blegtoria – përmes të cilave e rrisim punësimin dhe arrijmë zhvillimin
– Administratë për gjithë – administratë që qeverisë në mënyrë transparente dhe që i digjitalizon shërbimet për të garantuar barazi të qytetarëve në punësim e për ta luftuar nepotizmin
– Ujin dhe mbeturina – furnizim 24 orë me ujë të pijshëm për të gjitha vendbanimet e Preshevës dhe pastrim e menaxhim të mbeturinave për të gjitha lokalitet e komunës
– Hapësira publike – shtimi i parqeve, këndeve të lojërave dhe hapësirave publike për qytetarët
Tashmë kemi filluar projekte të rëndësishëm, si për shembull ai për deponinë e përbashkët me Komunën e Bujanocit.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka nisur dialogun me presidentin serb Vuçiq. A keni bërë ndonjë kërkesë tek Kurti? Nëse po, cilat janë ato?

Është pozitive që Kryeministri Kurti ka ngritur çështjen e shqiptarëve të Serbisë (bashkë me atë të boshnjakëve) në tavolinën e dialogut në Bruksel me Vuçiqin, si dhe ka shpërfaqur asimetrinë në të drejta midis shqiptarëve të Serbisë dhe serbëve të Kosovës.
Ndonëse në negociatat për çlirimin e Kosovës në Rambuje dhe në ato të Vjenës për pavarësinë e Kosovës, disi arsyetohej mungesa e çështjes së Luginës nga ana e palëve të përfshira dhe nga ndërmjetësuesit, në negociatat për normalizimin e marrëdhënieve dhe për njohje reciproke Kosovë-Serbi nuk ka kuptim të mungojë çështja e Luginës së Preshevës.

Nuk ka kuptim që të flitet për rirregullimin kushtetues, për organizimin administrativo-territorial, për të drejtat e minoriteteve të Kosovës, e të mos flitet për ato të Serbisë, aq më tepër kur merret parasysh se Serbia edhe sot është shtet shumë më i centralizuar territorialisht e administrativisht, si dhe me Kushtetutë e legjislacion që nuk mundëson të drejta për minoritete dhe zhvillim socio-ekonomik për zonat e margjinalizuara si Lugina e Preshevës.

Sigurisht se nuk presim nga Vuçiqi e Daçiqi që të angazhohen për përfshirjen e çështjes së Luginës së Preshevës në ndonjë marrëveshje përfundimtare Kosovë-Serbi në dobi të interesave të Luginës. Këtë e presim para së gjithash nga Qeveria e Republika e Kosovës.

A duhet që politikanë të Preshevës të përfshihen në këtë dialog?

Ne jemi të vetëdijshëm se nuk e përcaktojmë agjendën, formatin dhe përbërjen e delegacioneve në dialogun Kosovë-Serbi. Por është me rëndësi që si përfaqësues legjitim të Luginës të jemi të përfshirë direkt ose indirekt në çdo gjë që negociohet mbi Luginën e Preshevës.

Duhet pasur kujdes që Lugina e Preshevës të mos instrumentalizohet për interesa të kryeqendrave të ndryshme. E rrezikshme është ideja të vendoset fati politik i Luginës pa përfshirjen dhe pa vullnetin e qytetarëve të Luginës.

Pikërisht që mos të ndodhin zgjidhje të tilla të njëanshme e asimetrike që thellojnë krizën dhe konfliktin duhet të përfshihet Lugina e Preshevës. Është kundërproduktive të synohet paqe e qëndrueshme midis Kosovës dhe Serbisë pa përfshirjen e Luginës së Preshevës.

Për fund, cila është sot gjendja e shqiptarëve të Luginës, konkretisht Preshevës?

Presheva, Bujanoci dhe Medvegja janë sot rajoni shembullor i metodave moderne të shtypjes. Të një diskriminimi shtetëror që maskohet me një diskurs demokratik.
Serbia nuk zbaton tri marrëveshjet për Luginën që ka firmosur nën lehtësim të faktorit ndërkombëtar. Ka bllokuar dialogun me të zgjedhurit e Luginës.

Pushteti i Vuçiqit në Serbi nuk pranon shqiptarët lokalë edhe kur ata duan të punësohen në institucione të Serbisë, e në Kosovë fton serbët lokalë të mos pranojnë punësimin në institucione të Kosovës.

Thjesht shteti i Serbisë nuk tregon gatishmëri për t’i pranuar shqiptarët e Serbisë si shtetas të barabartë. Është më i interesuar t’i përjashtojë. Madje vetë Presidenti i gjithëpushtetshëm i Serbisë, Aleksandër Vuçiqi është ai i cili flet për « Razgraničenje » (ndarje me kufij) midis shqiptarëve dhe serbëve.

Pra shtypja është e njëjtë, por metodat dhe konteksti kanë ndryshuar. Metodat sepse shtypja e dikurshme tradicionale është zëvëndësuar me format e « padukshme » bashkëkohore të shtypjes. Konteksti sepse regjimi i Vuçiqit po përkëdhelet ende nga kryeqendrat botërore për arsye gjeopolitike dhe gjeostrategjike. /Reporteri.net/.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!