×
Intervista

Artan Grubi: S’e kemi pas traditë t’i ndërhyjmë njëri-tjetrit në çështje të brendshme, Ali Ahmeti nuk e ka ndërmend të pensionohet, jemi të gatshëm ta largojmë kufirin me Kosovën

Autor:Shkumbin B. Kajtazi
17 Mars 2021 | 21:30
© Reporteri.net / Foto: Argjend Mamaj

Artan Grubi, Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, të mërkurën, ka dhënë një intervistë për Gazetën Online ‘Reporteri.net’ ku ka folur për shumë çështje aktuale, planet e projektet infrastrukturore në qeverinë ku bën pjesë. Grubi ka treguar për gjendjen me COVID-19 në Maqedoninë e Veriut, për kohën se kur pritet të vijnë vaksinat e para anti-Covid e për regjistrimin e popullsisë që po vazhdon në Maqedoni të Veriut.

Shqiptari numër një në Qeverinë e kryeministrit Zoran Zaev është pyetur edhe për marrëdhënien që ka me Albin Kurtin, liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilit i ka uruar suksese në qeverisje në Kosovë, pas fitores së zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Artan Grubi ka komentuar edhe debatin që ngjalli pjesëmarrja e tij në shënimin e përvjetorit të dyzetë të njësisë elitare ‘Tigrat’. Po ashtu, Grubi ka përgënjeshtruar zërat që Ali Ahmeti, kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim, po e mendon të pensionohet si fitues.

Ai ka thënë ish-udhëheqësi i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare është larg pensionimit pasi ka vitalitet e energji të plotë.

Sekretari Organizativ i BDI-së, në intervistën për Gazetën Online ‘Reporteri.net’, ku ai foli pas një kohe të gjatë për një medium në Kosovë, ka thënë se Maqedonia e Veriut është e gatshme të bashkëpunojë me qeverinë e re të Kosovës duke larguar kufirin ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.

Lexojeni/Ndiqeni intervistën e Zëvendëskryeministrit të parë të Maqedonisë së Veriut dhe Ministrit për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Artan Gubi, dhënë për Gazetën Online Reporteri.net:

Gazeta Online ‘Reporteri.net’: Si është gjendja me Covid-19 në Maqedoninë e Veriut?

Artan Grubi: Numrat janë në rritje e sipër, dje kemi pasur një mijë të infektuar dhe 24 viktima, rritje të personave të infektuar dhe mbushjen e shtretërve nëpër spitale. Kishim mbledhje të qeverisë dje ku disktuuam në detaje dhe vendosëm për kontraktimin e 200 mijë vaksinave kineze, me qeverinë kineze nëpërmjet Ministrisë së Jashtme, por vërtetë numrat janë shqetësues dhe duhet të marrim restriksione të reja. Siç e dini në mbledhjen paraprake të qeverisë vendosëm të kemi orë policore dhe tash nga ora 22:00 deri në orën 05:00 të mëngjesit kemi orë policore, ndërsa restorantet punojnë deri në ora 21:00. Po diskutohet në kuadër të qeverisë edhe për restriksione shtesë në mënyrë që të ulet numri i të infektuarve, për arsye të kësaj rritje goxha shqetësuese.

Reporteri.net: A ka ndonjë faktor që ka rritur numrin?

Artan Grubi: Është rritje normale, s’mund ta quaj por, ndoshta edhe transporti publik, edhe qytetarët janë liruar, edhe restriksionet u liruan shumë, por edhe shpërndarja po bëhet shpejt me këto llojet e virusit, qoftë ai britanik apo ai afrikan. Shpërndarja sipas ministrit të Shëndetësisë po bëhet në mënyrë shumë të shpejtë tek qytetarët, dhe kemi disa vatra, si p.sh. në Prilep, Kavadar, një pjesë edhe në Shkup, dhe po përpiqemi që me restreksione që në të kaluarën kanë qenë të suksesshme për uljen e të infektuarve.

A keni bërë ndonjë analizë ku qëndroni në rajon?

Grubi: Absolutisht, kemi diskutim, preokupim të përbashkët, por nuk arritëm të bëjmë një blerje, porosi të përbashkët edhe me Kosovën, edhe keni qenë qeveri në dorëheqje, dhe po presim organet të konstituohen. Por krahasim me nivelet e rajonit, jemi në nivel siç është edhe Shqipëria, Kosova, por edhe Serbia, dhe i dëgjuat paralajmërimet që do të hyjnë në një mbyllje të tërësishme duke filluar nga nesër dhe e njëjta po ndodh edhe në vendet e BE-së, dhe gjetiu në botë. Është një pandemi që po përballemi të gjithë dhe do të duhet t’i ndajmë përvojat më të mira me njëri-tjetrin.

Kur do të vijnë kontigjenit i vaksinave?

Për momentin në Maqedoni janë 11 mijë e 300 vaksina të cilat 8 mijë e 300 nga Pfizer, kurse tjera janë vaksina Sputnik ruse. Jemi duke bërë përpjekje masive, t’iu them sinqerisht nuk po rezultojnë me rezultate që po presim ne. Në mbledhjen e djeshme të qeverisë që e udhëhoqa vendosëm të bëjmë dhe prokurimin edhe të 200 mijë vaksina kineze që shpresojmë të vijnë në fillim të prillit dhe vaksina nga sistemi i COVAX në pjesën e parë të prillit që të arrijnë, por nuk jam i kënaqur nga puna që e kemi bërë bashkërisht në sigurimin e vaksinave dhe në të njëjtën situatë jeni edhe ju. Ne i kemi vaksinuar të gjithë punonjësit shëndetësor që punojnë me Covid, së paku mjekët dhe motrat medicinale që kujdesen për shëndetin e qytetarëve të janë të vaksinuar. Ndërsa po bëjmë përpjekje të sigurojmë vaksinat tjera, Pfizer, kineze, ruse, pasi mjetet financiare i kemi, por jemi treg i vogël për 5-6 kompani që prodhojnë vaksina e që është nevoja e krejt globit.

Takimi me ministrin Armend Zemaj…

Kemi diskutuar me ministrin Zemaj, i cili ishte dy herë në vizitë, pas takimit me të e ngrita iniciativën që t’i hapim kufijtë me Kosovën dhe kemi pas komunikim të shpeshtë. Rrethanat në Kosovë kanë qenë të pazakonta, shpresoj që sa më shpejt të ndërtohen institucionet që t’i qasemi jo veç pandemisë, por edhe gjërave tjera bashkërisht.

© Reporteri.net / Foto: Argjend Mamaj

Pse nuk u bë mbledhja e përbashkët mes Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës?

Nuk u bë se u shpërnda Kuvendi tek ju, dhe vendosët të shkoni në zgjedhje të parakohshme dhe tash po e presim konstituimin e qeverisë se re dhe pa asnjë pengesë të fillojmë përgatitjen e përbashkët për mbledhjen e qeverisë sepse kemi shumë çështje të përbashkëta. Mali sharr, rruga Prizren-Tetovë, heqja e kufirit në Bllacë midis Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, dhe bashkëpunime tjera që ishin 19 marrëveshje bilaterale që prisnin për t’u nënshkruar.

Çfarë marrëdhëniesh keni me z. Albin Kurti?

Z. Kurtin e njoh nga viti 2005, kemi punuar bashkë në shoqërinë civile. Ai atëherë drejtonte Lëvizjen Vetëvendosje që ishte në Kosovë, por ishte si një OJQ, unë drejtoja Lëvizjen Zgjohu, dhe Lëvizjen Mjaft në Shqipëri. Patëm krijuar rrjetin e OJQ-ve shqiptare, dhe kemi bashkëpunuar shumë gjatë këtyre 5-6 viteve. Qysh atë ditë edhe unë edhe z. Ahmeti e kemi uruar, dhe i uroj shumë suksese e shëndet. Është përgjegjësi e madhe, Kosova po ballafaqohet me probleme shumë të mëdha para vetes.

A mendoni se ka një plan ta shtrijë ndikimin në Maqedoni?

Bashkëpunimi me autoritetet e Kosovës dhe Shqipërisë gjithmonë ka qenë institucional, jo preferencë partiake, shoqërore, por institucionale. Kur ka qenë Mustafa, Thaçi, Haradinaj, ka udhëhequr institucionet bashkëpunimi institucional ka qenë formula më e suksesshme.

Z. Ahmeti ka një histori të bujshme me Kosovën dhe nuk mund t’ia lejon vetes që të ketë preferencë partiake, politike në Kosovë dhe asnjëherë në procese zgjedhore atje, apo çfarëdo qofte zhvillimi, por ka qenë ithtar i bashkëpunimit institucional dhe ngritjes së Kosovës si shtet.

E keni një mbeshtetes shumë të madh z. Ahmetin siç ka qenë para dhe pasluftës për Kosovën, nuk ka qenë traditë e ndërhyrjes politike qoftë e Kosovës apo Shqipërisë në çështjen e brendshme të Maqedonisë, apo Kosovës apo Shqipërisë, është një trend i ri që po ballafaqohemi, por pamë që qytetarët u përcaktuan për ta votuar z. Ahmeti dhe BDI me 50% rritje të votave në zgjedhjet e kaluara me 15 korrik më shumë së që kishim në zgjedhjet paraprake.

A i keni thënë z. Kurtit se nuk është në rregull të ndërhyhet në Maqedoni?

Jo se nuk duam të ndërhyjmë në punët e z.Kurti apo të VV-së apo cilësdo parti politike tjetër. Ne jemi të përkushtuar ta bëjmë punën tonë dhe të bashkëpunojmë institucionalisht me të gjitha autoritetet e Kosovës.

© Reporteri.net / Foto: Argjend Mamaj

Kur pritet të përfundoj rruga Bllacë-Shkup?

Është bërë shpronësimi i tërësishëm i gjithë trasesë 13 kilometërshe nga rruga qarkore e Shkupit deri te vendkalimi kufitar Bllacë. Dy kilometrat e parë janë tenderuar dhe ka filluar të ndërtohet, ndërsa kemi filluar projektimin e 11 kilometrave të dytë duke përcaktuar trasenë. Deri në fund të vitit do ta tenderojmë që ta fillojmë ndërtimin edhe 11 kilometrave të dytë që përfshinë 4 tunele në trasenë e vet dhe shpresoj që deri në fund të mandatit ta përfundojmë këtë rrugë që për ne është e rëndësishme.

Për ne është shumë e rëndësishme Bllaca, vendkalimi kufitar deri në Qafë Thanë me Shqipërinë të jetë lidhje me autostrade. Prandaj ditën e premte kam takim edhe me presidentin e Bechtelit, i cili do të vijë këtu në Maqedoni dhe po përpiqemi të ndërtojmë një partneritet strategjik me këtë kompani amerikane e cila ka punuar edhe në Kosovë edhe në Shqipëri për të ndërtuar këtë lidhje të korridorit 8, perfshi Gostivar-Tetovë, Gostivar–Kërçovë dhe Strugë-Qafë Thanë në formën e autostradës.

Po rruga Tetovë – Prizren?

Ne e kaluam në programin vjetor të ndërmarrjes së rrugëve të Maqedonisë së Veriut, para një muaji në qeveri e arsyetuam dhe ndamë mjete buxhetore për të bërë fizibilitetin e asaj rruge. Jemi ne ecuri e sipër, po presim konstituimin e institucioneve të Kosovës që të vijojmë me këtë projekt.

Përmendët edhe heqjen e kufirit?

Po, nga ne ka gatishmëri absolute për të bërë one stop shop menjëherë. Do të thotë ne jemi të gatshëm që ta bëjmë atë menjëherë dhe kishim iniciativë, mbledhja duhej të mbahej në janar. Por për arsye të zgjedhjeve të parakohëshme tek ju, u anulua. Askush nuk po e ngrit këtë temë ani pse kufiri me Maqedoninë është shumë i frekuentuar. Ne jemi të interesuar shumë. Ju ftoj edhe juve si media në Kosovë të ngrisni këto çështje sa më shpejtë të bëhet mbledhja e përbashkët e qeverive dhe t’i adresojmë të gjitha këto çështje që do të lehtësojnë qarkullimin e njerëzve dhe mallrave midis dy vendeve tona.

Sidoqoftë të flasim pak edhe për disa probleme që i keni në Maqedoni. Është një bllokadë e Kuvendit, opozita ka bllokuar thuajse punët e Kuvendit. Çfarë dëshirojnë ata? A kanë ndonjë kusht për zhbllokuar Kuvendin?

Të gjithë ne votohemi në zgjedhje parlamentare për të përfaqësuar interesat e qytetarëve dhe për të realizuar atë që kemi premtuar para qytetarëve. Nuk jemi votuar për ta bllokuar punën e institucioneve në veçanti në kohë pandemie dhe pengesave që i bëhen ekonomisë, të cilat u bëhen jetës së përditshme të qytetarëve. Për momentin deputetët e opozitës me mijëra amendamente kanë bllokuar paketën e pestë të ndihmës së ekonomisë dhe qytetarëve për subvencionim të rrogave, për ndihmesë të ekonomisë së vogël. Dhe kjo është e padrejtë, sepse do të ndëshkohet në zgjedhje. Ne jo më larg se në muajin tetor kemi zgjedhje lokale.

Pikërisht mos rastësisht këto zgjedhje lokale kanë shtyrë opozitën të veprojnë kështu?

Mund të jetë, por me sa shoh nga anketat nuk është politikë e duhur sepse nuk merr përkrahjen e qytetarëve. Qytetarët kërkojnë zgjidhje, jo bllokada. Kërkojnë përparim e jo pengesa në punët e tyre. Mospasja e kapaciteteve për të zbatuar politika i shtyen në bllokada të tërësishme të Kuvendit që nuk është një hap popullor kudo qoftë.

A po duan të hyjnë në Qeveri ata? A kanë realisht një ftesë nga kryeministri Zaev?

Zoti Zaev doli me një tezë për një qeveri të përbashkët, të gjerë, por duke përjashtuar liderin e opozitës zotin Mickovski. Dhe më shumë ishte një test për të parë reagimin e tyre meqë rast partitë shqiptare, edhe pse nuk ishin të ftuara partitë shqiptare opozitare…

Kënd e ftoi Zaev?

E ftoi VMRO-DPMNE-në.

Vetëm? Partitë shqiptare jo?

Jo. Dhe ai tha që pa Mickovskin, VMRO-DPMNE është e mirëpritur të jetë pjesë e Qeverisë. Ndërsa të vetmen përgjigje e mori nga partitë politike shqiptare, të cilat edhe të paftuara, u ofruan menjëherë të bëhen pjesë e Qeverisë që është edhe mirë. Sepse ajo është ambicia e partive politike. Por së pari le të tregojnë kapacitete për të ndërtuar politika shtetërore dhe për të mospenguar funksionimin e institucioneve.

© Reporteri.net / Foto: Argjend Mamaj

Një temë tjetër që më intereson që realisht pati nisur në vitin 2011 dhe është stopuar. Është çështja e regjistrimit të popullsisë. Si po shkon ky proces?

Ka filluar me 1 mars regjistrimi i diasporës do vijon deri më 21 prill. Bëhet në formën e vet regjistrimit nëpërmjet aplikacionit, nëpërmjet faqes së Entit Statistikor. Tashmë deri në momentin që po flasim, 72 mijë mërgimtarë të regjistruar zyrtarisht në Entin për Statistikë. Unë pres që akoma, presim që një numër minimialisht deri në 200 mijë të mërgimtarëve të regjistrohen. Me 1 prill fillohet regjistrimi i qytetarëve rezident ku edhe ne si rezident mundemi t’i regjistrojmë qytetarët tanë ose familjarët tanë që i kemi në mërgatë.

Pandemia po e vështirëson regjistrimin e popullsisë, por unë jam i bindur se do t’ia dalim për arsye se ky vend nuk ka regjistrim që nga viti 2001. Do të thotë po bëhen 20 vite pa regjistrim të popullsisë që e vështirëson ndërtimin e politikave.

Pandemia e vështirëson, por mua më intereson më shumë nëse ka ndonjë problem politik se ajo edhe e ndalon procesin e regjistrimit të popullsisë?

Kishte probleme politike dhe prandaj dështoi në vitin 2011 përpjekja për regjistrim të popullsisë. Sepse siç e dini të drejtat e komuniteteve, shqiptarëve në këtë vend lidhet me përqindjen me të cilën ata përfaqësohen. Nëse je mbi 20% ke të drejtë të përdorësh zyrtarisht gjuhën shqipe. Nëse je mbi 50% ke të drejtë ta përdorësh flamurin kombëtar në mënyrë zyrtare. Dhe prandaj është shumë i rëndësishëm në aspektin politik regjistrimi këtu, por ne kemi vendosur mekanizma mbrojtës në Ligjin për Regjistrim, i cili u miratua në Kuvend. Dhe çdo dokument, çdo vendim që ka të bëj me regjistrimin e popullsisë është valid nëse e ka nënshkrimin edhe të drejtorit dhe të zv.drejtorit të Entit Statistikor. Kështu që e kemi mekanizmin kontrollues për të evituar çfarëdo qoftë keqpërdorimi me të dhënat ose edhe me vet procesin e regjistrimit.

Kemi dëgjuar politikanë të Maqedonisë që shqiptarë ka rreth 25% të popullsisë. Meqë ju po përmendni shifra i bie se keni një lloj analize ose qasje në statistika. A ka mundësi që kjo të ndryshojë kjo përqindje?

Në regjistrimin e vitit 2001 shqiptarët janë 25.17%. Gjithsesi duke i parë numrat e zhvillimeve këtu në Maqedoni, nataliteti, mortaliteti dhe mandej edhe mërgimi i qytetarëve, por edhe lëvizja e qytetarëve brenda shtetit, shihet një numër shumë i madh në rritje të shqiptarëve, të nxënësve të regjistruar në shkolla fillore dhe shkolla të mesme. Ngjallë shpresë që shqiptarët të rriten në një përqindje më të madhe se 25%.

Nëse del mbi 25%, çfarë nënkupton për shqiptarët?

Është një sukses shumë i madh për shqiptarët. Ndihmon edhe në ndarjen e mjeteve në përputhje me zhvillimin e barabartë rajonal, ndihmon edhe në rritjen e përfaqësimit të tyre në institucione shtetërore, ndihmon edhe në përfaqësimin e tyre në sektorin privat. Dhe paraqet një fuqi të madhe politike, një kapacitet shumë të madh. E shihni sot shqiptarët kanë arritur të kenë tri universitete në gjuhën shqipe këtu në vend, zyrtarizojnë flamurin, zyrtarizojnë gjuhën, kanë mbi 20 administratorë.

Do të kishit edhe më shumë deputetë?

Absolutisht po. Dhe mund të marrin mandatin për të qeverisur me këtë vend siç e morëm tashmë me idenë për kryeministër shqiptar dhe me imponimin e pranimit nga ana e partisë politike maqedonase.

© Reporteri.net / Foto: Argjend Mamaj

Ne në Kosovë nuk e dimë realisht ose le të them detajisht çka nënkupton përqindja e popullsisë në relacion me pushtetin. Por e dimë dhe e kemi pa një farë qëndrimi ose një lloj kritike ndaj teje për vizitën tek njësiti “Tigrat”. U komentua mjaftë shumë, madje edhe në Kosovë. Përse e vizituat këtë njësitë z. Grubi? Cili ishte mesazhi?

Ata kishin dyzetë vjetorin e themelimit të tyre dhe bën ftesë për herë të parë të një autoriteti shqiptar. Dhe për arsye të mbylljes së tyre të tërësishme ndaj shqiptarëve dhe komuniteteve tjera, vendosëm që ta thejmë këtë akull. Dhe ta ngritim zërin për përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve edhe në atë njesitë ku është ndoshta institucioni i vetëm, një apo dy, të cilët tashmë nuk kanë shqiptar në radhët e tyre. Mora premtimin nga komandanti i njësitit, por edhe nga kryeministri dhe ministri i Punëve të Brendshme që me konkursin e fundit, 600 policë të cilët duhet të punësohen, është i hapur edhe njësiti për përfshirjen e shqiptarëve në këtë institucion.

Sa mendohen të përfshihen aty?

Janë në trajnim tridhjetë. Shpresoj se i kalojnë trajnimet, sepse është njësit special, njësit elitar sikur ju që e keni ROSU-në besoj në Kosovë dhe do të duhet të kalojnë trajnimet. Shpresoj se nga këta tridhjetë të ketë persona që do t’i kalojnë këto trajnime dhe të bëhen pjesë e këtij njësiti. Ka ardhur koha për pajtim në vendin tonë për arsye se kanë kaluar 20 vite nga konflikti. Dhe besoj që ne duhet të dërgojmë mesazhin tonë të përbashkët, edhe ne ndaj maqedonasve edhe maqedonasit ndaj shqiptarëve, që ka ardhur koha për barazi absolute midis dy komuniteteve tona, të cilët janë bartës të sovranitetit të këtij vendi dhe bashkarisht të prijmë përpara.

Dua t’iu pyes edhe për një zhvillim interesant në Kosovë që është Gjykata Speciale. A keni ndonjë koment? Besoj e dini pse po ju pyes? Ju një kohë keni punuar në Hagë dhe ai institucion ka kryer gjykime të ngjashme siç po bën tash Gjykata Speciale?

Sundimi i ligjit është parakusht për funksionimin e demokracisë në shtetet tona. Dhe më vjen mirë që autoritetet kosovare, kolegët tanë, shokët tanë atje, vendosën që të respektojnë ligjin, të respektojnë partneritetin me komunitetin euro-amerikan dhe të ndërtojnë isntitucione për t’u zbardhur e vërteta. Vetëm nëpërmjet sundimit të ligjit dhe respektimit të institucioneve mund të prijmë përpara për arsye se këto janë standarde ndërkombëtare, të cilat i kemi përqafuar që të gjithë. Me sa kam parë deklaratat, edhe personat e apostrofuar që janë subjekt i Gjykatës Speciale kanë thënë që edhe po të kishin shansin e dytë përsëri do ta votonin themelimin e kësaj gjykate. Por është shqetësuese përndjekja e një anshme, vetëm e autoriteteve kosovare kur dihet që Kosova ishte viktimë e gjenocidit serb në vitin 98 dhe 99 si dhe në vitet para luftës. Po shpresoj që një mobilizim gjithë-shoqëror në Kosovë për ta rikthyer të vërtetën për golgotën e popullit shqiptar dhe luftën për liri vis-à-vis agrisivitetin dhe masakrat serbe në Kosovë.

© Reporteri.net / Foto: Argjend Mamaj

Z. Grubi meqë nuk kemi edhe shumë kohë, dëshiroj t’iu pyes për fund. Si është BDI? Në Kosovë ka disa informacione që thonë se z.Ali Ahmeti po planifikon mbase të pensionohet si fitues meqë tash ka arritur një rezultat të suksesshëm në zgjedhje?

Z. Ali Ahmeti i nevojitet BDI-së më shumë se BDI t’i nevojitet z. Ali Ahmetit. Dhe z. Ali Ahmeti është në energji të plotë, në vitalitet të plotë dhe në vitet më të mira të suksesit. Është i vetmi lider në rajon që ka shënuar fitore në 20 vitet e fundit në të gjitha ciklet zgjedhore qofshin ato lokale, parlamentare, presidenciale, referendum apo çfarëdo qoftë procesi tjetër në të cilën ka patur garë politike, pa asnjë dështim të vetëm, me suksese të jashtëzakonshme dhe asnjëherë pa marrë përgjegjësi ekzekutive ai vet. Z. Ahmeti nuk e ka ndërmend të pensionohet, është në vitet më të mira, është në vitalitetin më të mirë dhe në produktivitetin më të madh për momentin. Sepse e siguroi kryeministrin e parë shqiptar të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ashtu siç e siguroi edhe kryetarin e parë të Parlamentit të këtij vendi. Zërat të tilla janë zëra të dëshpërimit nga ana e opozitës për arsye se e dinë që për sa kohë që z. Ahmeti është në krye të shqiptarëve të Maqedonisë, ata nuk kanë shancë për t’u bërë pjesë e pushtetit, për arsye se shqiptarët i njohin. Ndërsa e njohin edhe z. Ahmetin.

Realisht më shumë zërat kanë qenë një lloj analize se z. Ali Ahmeti e ka një moshë dhe dikur do të vi pensionimi. Në këtë kuptim, dua t’iu pyes ju, s’po them tash që mund të ndodh, por mbas disa viteve z. Ali Ahmeti vendosë të pensionohet për shkak të moshës apo për çështje të tjera. A keni ju ambicie për ta drejtuar BDI-në?

Jo nuk kam ambicie dhe z. Ahmeti është larg nga pensionimi edhe nga mosha, por edhe nga vitaliteti. Është goxha larg. Shihni në Amerikë, do të thotë ju keni president me 74, 78 vjeç dhe senator, kongresmen. Por gjithandej edhe në Evropë, por është e pakrahasueshme me moshën e z. Ahmetit, i cili është akoma i ri dhe është larg moshës së pensionimit. Unë nuk kam ambicie dhe z. Ali Ahmeti është një lider, së paku ju në Kosovë, e njihni mirë, që nuk është që mund të zëvendësohet. Ose nuk është e lehtë që dikush të zë vendin e tij për arsye se unë dhe të gjithë këndej e konsiderojmë si figurë historike, jo vetëm një kryetar të një partie politike.

Z.Grubi, ju faleminderit që ishit sot me ne. Shpresoj se do të jeni mysafir i Reporterit përsëri.

Faleminderit juve dhe ju uroj gjithë të mirat.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!