×
Intervista

Drejtori i Onkologjisë: Rreth 300 pacientë trajtohen brenda ditës në klinikën për kancer, deri në 150 prej tyre janë me kimioterapi

Autor:Hasan Hoti
11 Mars 2021 | 17:54

Afro 300 pacientë arrijnë të marrin shërbime brenda 24 orëve në Klinikën e Onkologjisë në QKUK, ku trajtohen rastet e sëmundjes me kancer. Këto shërbime bëhen në dy mënyra, atë të kimioterapisë dhe të radio-terapisë. Drejtori i kësaj Klinike, Illir Kurtishi, në një intervistë për Gazetën Online “Reporteri”, ka thënë se për këto dy shërbime ambullantore, synojnë që t’i zgjerojnë kapacitetet, pasi siç thotë ai ka tendenca për fluks më të madh të pacientëve nga viti në vit.

Sipas Ilir Kurtishit, nga rreth 300 pacientë sa e frekuentojnë këtë klinikë brenda ditës, deri në 150 prej tyre janë në trajtimin me kimio-terapi. Ai flet edhe për sfidat që e kanë vështirësuar punën e kësaj klinike dhe shërbimeve të saj, gjatë periudhës së pandemisë COVID-19.

Drejtori i Klinikës së Onkologjisë në QKUK, në intervistën për Gazetën Online ‘Reporteri.net’, tregon se problemi më i madh me trajtimin e rasteve me kancer në Kosovë vazhdon të jetë zbulimi i vonshëm i sëmundjes.

Lexojeni të plotë intervistën e Drejtorit të Klinikës së Onkologjisë në QKUK, Ilir Kurtishi, dhënë për Gazetën Online “Reporteri.net”:

Gazeta Online ‘Reporteri.net’: Sa është numri i pacientëve që kërkojnë shërbime në Klinikën e Onkologjisë?

Ilir Kurtishi: Në Klinikën e Onkologjisë, meqenëse i kemi dy shërbime ambullantore, ku me shërbimin e kimio-terapisë, gjatë ditës, mesatarisht frekuentojnë deri në 150 pacientë, për dallim prej disa ditëve kur ka fluks më të madh të pacientëve për shkak se marrin terapinë, ku me këtë rast numri i pacientëve shkon në 200. Ndërkaq, në shërbimin e radio-terapisë, ku bëjmë rrezatim të pacientëve që kanë nevojë, mesatarisht shkojmë në 75 pacientë që marrin shërbime, por që shpresojmë që ky numër të rritet. Dhe me i përmbledhë këto shifra, i bie që i kemi 250-300 shërbime brenda 24 orëve kryhen në Klinikën tonë.

Reporteri.net: Sa po është e vështirë për stafin të ofrohen këto shërbime?

Kurtishi: Është, meqenëse ne kemi bërë kërkesa që të kemi hapësira më tepër, që të zgjerohen kapacitetet e klinikës, pasi që ky fluks i madh i pacientëve kemi një tendencë në rritje nga viti në vit, përjashto pandeminë kur kemi pasur një rënie për arsye të kushteve dhe për shkak të diagnostikimit pak më të vonë, dhe detyrimisht kërkon që klinika të ketë pjesë shtesa (anekse).

E sa i përket pandemisë, sa ka qenë e vështirë të punoni me këto kushte që i keni?

Në fillim ka qenë sfidë shumë e madhe, ku jemi përballë me një virus të panjohur, me rreziqe çfarë i ka ky virus, por përjashto dy muajt e parë kur ne e kemi reduktuar pak stafin dhe i kemi reduktuar shërbimet në përqindje të vogël, por që kemi vazhduar të japim shërbime gjatë gjithë kohës, kurse nga maji e qershori me zbutjen e masave dhe rikthim “në normalitet”, ne e kemi rritë fluksin e punëve dhe iu kemi ofruar gjithë pacientëve shërbime. Sfida ka qenë shumë e madhe meqenëse pacientët me kancer e të cilët janë atakuar me COVID-19, janë futur në grupin e personave me rrezik me fatalitet, por për fat të mirë gjithë pacientët që kanë qenë të infektuar me Covid e që i kemi trajtuar, e që numri i tyre sillet rreth 400 pacientë, të gjithë e kanë përballuar dhe kanë shpëtuar.

Po a ka pasur të infektuar sa i përket stafit të klinikës suaj?

Është interesante se jemi Klinika e parë që nuk kemi pasur asnjë të infektuar, mirëpo nga korriku, gushti edhe personeli jonë është atakuar me këtë virus, dhe deri në këto momente më shumë se 80 për qind e stafit është infektuar me këtë virus, mirëpo shumica nga stafi e ka tejkaluar pa asnjë problem. Kjo ka qenë e pritshme që edhe përkundër respektimit të masave dhe rekomandimeve, por që numri i madh i pacientëve që e kanë vizituar klinikën tonë, edhe ne jemi atakuar me këtë infeksion, por që ne nuk e kemi ndalë punën por që jemi riorganizuar dhe i kemi përfunduar të gjitha shërbimet.

Kur jemi tek një sëmundje siç është kanceri, cili mendoni se është problemi më i madh tek qytetarët, zbulimi i vonshëm?

Vazhdon të jetë problematike zbulimi i vonshëm i sëmundjes, pasi që ne si komunitet jemi neglizhentë në aspektin shëndetësorë, ku edukimi shëndetësorë mungon, ndonëse ka tendenca të përmirësimit në këto dy-tre vitet e fundit, ku kemi pas pacientë që i kemi diagnostikuar në stadin e parë dhe kjo ka vazhduar edhe në vitin 2020, gjë që është e mirë dhe ne i inkurajojmë që të bëhen kontrolle dhe analiza edhe më shumë, në mënyrë që sëmundjen ta zbulojmë herët, dhe zbulimi i hershëm i sëmundjes në një far forme është mjekimi ose parandalimi më i mirë i kësaj sëmundje.

Keni pasur disa kampanja vetëdijësuese viteve të kaluara, sa ju kanë ndihmuar qytetarëve që të marrin shërbime?

“Vitin e kaluar, sidomos gjatë pandemisë, janë bërë në forma virtuale dhe përmes medieve, por, viteve paraprake ka pasur kampanja e ligjërata nga mjekët e klinikës së Onkologjisë, Radiologjisë e mjekë nga IKSHPK-ja, e sidomos në muajin tetor kur është muaji i sensibilizimit të kancerit të gjirit, e ku janë dhënë informata qytetarëve. Pra kjo duhet të bëhet për 12 muaj, në mënyrë që informata të mbërrijë te qytetari dhe qytetari mos ta ketë frikë dhe ta ketë kujdes lajmërimin te mjeku, në mënyrë që sëmundja të zbulohet herët dhe mjekimi të jetë më adekuat.

Planet për vitin 2021 në Klinikën që ju e drejtoni? 

Në vitin 2021 synojmë që ta aktualizojmë apo ta fusim në përdorim aparaturën për tumore, ku zakonisht i përdorim për organet gjenitale të femrës, e ku synojmë që këtë shërbim ta avancojmë. Në aspektin e trajtimeve me rreze, synojmë që ta fusim në përdorim një aparature të re përmes të cilit ne do të bëjmë rrezatim edhe më të sofistikuar, siç është IMRT, që do të jetë një kompletim i rrezatimi dhe besojmë se me këtë shërbim të jemi të njëjtë me vendet e rajonit. Tjetër është futja e disa ilaçeve, qe ne i themi si himno-terapi, ku i përdorin një numër i vogël i pacientëve për hipno-terapi. /Reporteri.net/.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!