×
Intervista

Daniel Serwer: Asociacion reciprok për shqiptarët e Luginës dhe sipas Kushtetutës, jo shtyrjes dhjetë muajshe të riregjistrimit të veturave

Autor:Xhezair Dashi
21 Tetor 2022 | 11:02
Daniel Serwer, profesor në John Hopkins University

Afati për përmbylljen e procesit të ri-regjistrimit të veturave me targat ilegale serbe në pjesën veriore të Kosovës po afron, derisa Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar shtyrje të këtij afati për së paku edhe dhjetë muaj.

Por, për profesorin amerikan në John Hopkins University, Daniel Serwer, nuk ka asnjë arsye solide për të shtyrë diçka për të cilën ka pasur marrëveshje vite më parë. Jo dhjetë muaj, por “dhjetë minuta ka të ngjarë më shumë”, tha ai në një intervistë për gazetën online Reporteri.net.

Serwer ka komentuar edhe propozimin “franko-gjerman” e cila është përfolur t’u jetë paraqitur palëve si rrugë para në dialog. Për atë që thuhej se Kosovës i shtrohet rruga për në OKB, dhe Serbisë anëtarësim i përshpejtuar në BE, profesori amerikan e sheh me dyshime.

“Kam dëgjuar të thonë se ka një propozim franko-gjerman, por nuk e kam parë. Dhe as nuk e di çfarë do të thotë kjo ‘të shtrojë rrugën’ për anëtarësimin e Kosovës në OKB e as se si Serbia do ta siguronte këtë, pasi që rusët dhe kinezët kanë arsyet e veta për t’i vënë veton”, tha ai për Reporteri.net.

“Anëtarësimi në Bashkimin Evropian varet nga kriteret e Kopenhagës dhe implementimi i acquis communautaire (trupa kumulative e ligjeve të Komunitetit Evropian). Serbia nuk është kërrkund afër përmbushjes së këtyre zotimeve”.

Daniel Serwer, pyetur rreth deklaratës së zv/ndihmës sekretarit amerikan të shtetit, Gabriel Escobar, se “njohja do të vjen” por “me kohë”, dhe se deri atëherë të merren hapa për shkruar drejt asaj njohje, thotë se “nuk e kuptoj çfarë duan të thonë”.

“Nuk mund të mbetesh pak shtatzënë. Dhe as nuk mund të të njohin pak”, u përgjigj ai.

Intervista e plotë me profesorin amerikan Daniel Serwer:

Reporteri.net: Kohëve të fundit kemi dëgjuar për një propozim “franko-gjerman” që supozohet të shtronte rrugën për anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe t’i siguronte Serbisë anëtarësim të përshpejtuar në BE, por pa njohje të ndërsjellë formale. A duhet Kosova të shkojë drejt zgjidhjeve që s’përmbajnë njohje?

Serwer: Kam dëgjuar të thonë se ka një propozim franko-gjerman, por nuk e kam parë. Dhe as nuk e di çfarë do të thotë kjo “të shtrojë rrugën” për anëtarësimin e Kosovës në OKB e as se si Serbia do ta siguronte këtë, pasi që rusët dhe kinezët kanë arsyet e veta për t’i vënë veton. Anëtarësimi në Bashkimin Evropian varet nga kriteret e Kopenhagës dhe implementimi i acquis communautaire (trupa kumulative e ligjeve të Komunitetit Evropian). Serbia nuk është kërrkund afër përmbushjes së këtyre zotimeve.

Reporteri: ShBA ka mbështetur një të tillë iniciativë, duke thënë se “njohja” do të vjen, por me kohë, dhe si e tillë, deri atëherë, mund të përdoret si hap para drejt njohjes. Si e keni parë qasjen amerikane ndaj këtyre propozimeve?

Serwer: Me të vërtetë nuk jam i sigurt se çfarë duan të thonë. Nuk mund të mbetesh pakëz shtatzënë. E as nuk mund të të njohin pakëz.

Reporteri: Zoti Escobar ka kërkuar që vendimi për riregjistrimin e targave të lëshuara nga Serbia për komunitetin serb të Kosovës të shtyhet për një periudhë 10 mujore dhe ka kërkuar që propozimet e ShBA’së të dëgjohen, ndërkohë qeveria kosovare u deklarua se do të vazhdojë me afatin e caktuar kohor, që është fundi i tetorit. Çfarë shihni të ndodh pas këtij afati?

Serwer: Duhet ta pyesni kryeministri Kurti. I mbetet atij. Nuk kam dëgjuar për asnjë arsye për një vonesë 10 mujore në përmbushjen e këtij zotimi që është bërë vite më parë. Mbase 10 minuta ka të ngjarë më shumë.

Reporteri: Zoti Escobar ka thënë se është “çështje javësh” që të arrihet një marrëveshje për rrugën para në dialog. Si do ta përshkruanit ngjarjen nëse zoti Kurti, ose zoti Vuçiç, ose që të dy, refuzojnë të arrihet kjo marrëveshje?

Serwer: Duhet ta pyesni Gabriel Escobar’in. Javët ndodh që kthehen në muaj e vite.

Reporteri: A mendoni se Kosova duhet ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, dhe nëse po ose jo, nën çfarë kushtesh?

Serwer: Po, ama me dy kushte: përmbushjen e kritereve të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe reciprocitet për komunat me shumicë shqiptare në Serbi.

Reporteri: A jeni të mendimit se ka një marrëveshje afër?

Serwer: Do të isha i befasuar për së miri nëse ka një marrëveshje afër./Reporteri.net/

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!