×
Intervista

Nevenka Tromp: Anëtarësimi i Kosovës në OKB, i vështirë, Serbia s’dëshiron anëtarësim në BE dhe as njohje të Kosovës

Autor:Xhezair Dashi 
28 Tetor 2022 | 12:22
Profesoresha në Universitetin e Amsterdamit, Nevenka Tromp

Ekzistenca e një “plani” franko-gjerman e cila thuhet të ofrojë një perspektivë konkrete për zgjidhjen e çështjeve mes Kosovës dhe Serbisë, tashmë është konfirmuar nga akterët e përfshirë në këto bisedime. Përmbajtja e saj, megjithatë, jo.

Si premisë kyçe e këtij propozimi, ndonëse ende e mjegullt, është thënë të jetë anëtarësimi i Kosovës në Kombe të Bashkuara dhe anëtarësimi i përshpejtuar i Serbisë në Bashkimin Evropian – kjo e deklaruar një numër herësh nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiç.

Për profesoreshën në Universitetin e Amsterdamit dhe njohësen e thellë të çështjeve të Ballkanit, Nevenka Tromp, kjo s’duket gjëkundi në horizont. Megjithëse thotë se dëshiron që këto shtete “njëherë e mirë” të zgjidhnin çështjen e statusit të Kosovës, ajo pyet se “mbi çfarë baze mbështetet supozimi se Serbia Aleksandar Vuçiç-it aspiron për BE në rend të parë?”.

Sa i përket Kosovës në OKB, Tromp nuk e sheh të zgjidhshme çështjen e vetos ruse dhe kineze, siç thotë ajo, “edhe po qe se vetë Serbia biletaralisht e njeh Kosovën”. Kjo, sipas saj, është problematika.

“Nuk mendoj se ka rrugë të lehtë për të zgjidhur çështjen mes Serbisë dhe Kosovës – por, natyrisht se së pari do të duhej të punohej përmes lobimit te pesë shtetet e BE-së që s’e njohin Kosovën”, thotë ajo në një intervistë për gazetën online Reporteri.net.

Tromp, Beogradin nuk e sheh të përkushtueshëm drejt anëtarësimit të BE-së. Madje, ajo thotë se kasta politike atje, vetëm se e ka shfrytëzuar dialogun e BE-së  për të korrur lëshime të njëpasnjëshme rreth Kosovës.

“Retorika politike e Beogradit nuk ka dërguar mesazhe përkushtimi ndaj projektit të BE-së dhe ka qenë duke i përdorur negociatat me BE-në rreth Kosovës për të fituar në çdo hap koncesione që synojnë ta mbajnë statusin e Kosovës të pazgjidhur”.

Për më shumë se 10 vite që nga nisja e Dialogut të Brukselit, Tromp shprehet se “nuk ka asnjë indikacion që Serbia do ta njohë Kosovën si shtet të pavarur në ndonjë të ardhme të afërt”.

Në lidhje me anëtarësimin e Kosovës në OKB, siç përflitet të jetë në “planin” franko-gjerman, Tromp, në pikturën aktuale të gjërave, nuk e sheh të realizueshme.

“Për të aplikuar, Kosovës i duhen 2/3 e votave të Asamblesë së Përgjithshme në favor të pavarësisë së Kosovës, si dhe 9 nga 15 votat e Këshillit të Sigurimit – dhe që asnjëra nga Pesë Anëtaret e Përhershme të mos vendos veton – Kina dhe Federata Ruse – me gjasë e përdorin veton për ta bllokuar edhe po qe se vetë Serbia do ta njihte Kosovën bilateralisht”, thotë Nevenka Tromp për Reporteri.net.

Më realiste e më mirë, sipas Tromp, është që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat për BE, e cila do të shkëndijonte reformat ekonomike dhe politike tejet të nevojshme. E këtë gjë, ajo thotë se BE-ja “do të duhej ta niste fillimisht me liberalizimin e vizave dhe udhëtimin e lirë brenda hapësirës së BE-së”.

Intervista e plotë me Nevenka Tromp:

Reporteri.net: Është thënë se Gjermania dhe Franca po provojnë të arrijnë një ujdi mes Kosovës dhe Serbisë përmes një propozimi që do të siguronte anëtarësimin e Kosovës në OKB në këmbim të një anëtarësimi të përshpejtuar të Serbisë në BE. Kjo ka qenë pika madhore e spekulimit kur një propozim “franko-gjerman” u hodh në publik. Çfarë i thoni ju një “zgjidhjeje” të tillë, dhe a duhet palët të shkojnë drejt saj?

Tromp: Dëshiroj që këto shtete të mirëvendosura individualisht njëherë e mirë të ndihmonin zgjidhjen e çështjes së Kosovës duke siguruar një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo çështje partikulare e ka mbajtur të zënë komunitetin ndërkombëtar që nga 1990’at e deri më sot, dhe ajo çfarë dimë deri më tani është se do të nevojitet shumë më shumë se sa një iniciativë e dy shteteve të rëndësishme të BE-së për ta bërë tërheqëse dhe inkurajuese një ujdi që do të mund të arrihej për dy vendet, do të thotë, të operacionalizohet.

Për shembull, mbi çfarë baze mbështetet supozimi se Serbia Aleksandar Vuçiç-it aspiron për BE në rend të parë? Retorika politike e Beogradit nuk ka dërguar mesazhe përkushtimi ndaj projektit të BE-së dhe ka qenë duke i përdorur negociatat me BE-në rreth Kosovës për të fituar në çdo hap koncesione që synojnë ta mbajnë statusin e Kosovës të pazgjidhur. Me fjalë të tjera, edhe pas 10 vitesh të dialogut të sponzoruar nga BE, nuk ka asnjë indikacion që Serbia do ta njohë Kosovën si shtet të pavarur në ndonjë të ardhme të afërt.

Sa për propozimin që pjesa kosovare e ujdisë të jetë njohja e saj si shtet i OKB-së – kjo është njëjtë problematike. Për të aplikuar, Kosovës i duhen 2/3 e votave të Asamblesë së Përgjithshme në favor të pavarësisë së Kosovës, si dhe 9 nga 15 votat e Këshillit të Sigurimit – dhe që asnjëra nga Pesë Anëtaret e Përhershme të mos vendos veton – Kina dhe Federata Ruse – me gjasë e përdorin veton për ta bllokuar edhe po qe se vetë Serbia do ta njihte Kosovën bilateralisht.

Nuk mendoj se ka rrugë të lehtë për të zgjidhur çështjen mes Serbisë dhe Kosovës – por, natyrisht se së pari do të duhej të punohej përmes lobimit te pesë shtetet e BE-së që s’e njohin Kosovën. Për Kosovën, anëtarësimi në BE – do të thotë, procesori hyrës – do të ndizte reformat tejet të nevojshme politike dhe ekonomike – të cilën do ta nisja me liberalizimin e vizave dhe lëvizjen e lirë brenda hapësirës së BE-së.

Reporteri.net: 31 tetori është afati i fundit për konvertimin e targave të lëshuara nga Serbia. Kryeministri Albin Kurti thotë se s’do të ketë shtyrje të mëtejme të afatit, pavarësisht kërkesës së ShBA-së dhe BE-së për shtyrje 10 mujore. Si e vlerësoni ju këtë situatë?

Tromp: Durimi i liderëve të Kosovës kur puna vjen te interesat vitale shtetërore të saj është i njohur si gatishmëri për të bashkëpunuar me Serbinë dhe Perëndimin. Vlerësoj se nëse dy mbështetës të mëdhenj të Kosovës – ShBA dhe MB – kërkojnë kohë prej dhjetë muajsh ata edhe kanë arsye që do të justifikonte blerjen e kohës nga pala e vullnetshme dhe bashkëpunuese.

Personalisht unë nuk shoh se si Serbia do të ndërronte qëndrim mbi këtë çështje – andaj edhe vlerësoj se në dhjetë muaj kohë Qeveria e Kosovës eventualisht do të zbatojë rregullacionet e saj të targave.

A do të pajtohet Serbia një-nga-një me këto koncesione kur i bëhet presion nga Perëndimi? Ose a mund të parashikojmë një të ardhme të afërt kur Serbia do ta njihte Kosovën?

Në këtë rast Kosova do ta ketë të mundur t’i zbatojë të gjitha rregullimet e nevojshme administrative të saj – targat, letërnjoftimet, pasaportat, tatimet – në mbarë territorin e saj.

Reporteri.net: I ashtuquajturi “precedan” i Kosovës që Vladimir Putin e përdor vazhdimisht për të justifikuar agresionin dhe aneksimin ilegal të rajoneve të Ukrainës, thuhet të jetë e rëndësisë së madhe t’i hiqet duarsh. Dhe kjo, përmes arritjes së një marrëveshje të tërësishme mes Kosovës dhe Serbisë. Gabriel Escobar ka thënë se “është çështje javësh” që palët të pajtohen për rrugën para të një marrëveshjeje. A e shihni një marrëveshje afër?

Tromp: Çështja e zgjidhjes së statusit të Kosovës nuk është vetëm e një rëndësie pragmatike politike për qytetarët e Kosovës, por paraqet edhe një sfidë për komunitetin ndërkombëtar për t’u marrë me konceptin e “sovranitetit” – parimit themelor që siguron dhe garanton paprekshmërinë e kufijve të një komb-shteti.

Sovraniteti është parimi kryesor që mbrohet nga Karta e Kombeve të Bashkuara dhe paraardhësja e saj Lidhja e Kombeve. Ky është parimi që mban të gjitha shtetet në pjesën një të saj dhe e lejon një shtet të mbrojë tërë territorin me të gjitha mjetet, përfshirë ushtrinë. Çfarëdo përpjekje për të ndarë shtetet – përmes reflekseve separatiste ose irredentiste – janë dhe kanë qenë të shqyrtuara.

Ndarja e Jugosllavisë dhe krijimi i shteteve të reja shërbeu si pararendëse e shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Pavarësia e Kosovës dhe shkëputja nga Serbia nuk është për t’u ngatërruar me krijimin e rajoneve autonome serbe në Kroaci dhe Bosnje-Hercegovinë.

Prapavija e pavarësisë së Kosovës qëndron në shtypjen e saj nga Beogradi; në revokimin e autonomisë dhe imponimit të regjimit të aparteidit. Krijimi i rajoneve autonome serbe në Kroaci dhe Bosnje-Hercegovinë u bë në mënyrë që kufijtë post-jugosllavë të shtetit të Serbisë të zgjeroheshin.

Fatkeqësisht, në procesin e arritjes së agjendës gjeopolitike, forcat serbe po vritnin, dëbonin, dhe zhvendosnin popullatat jo-serbe nga ato territore. Këtu ndodhën krimet më të tmerrshme në luftërat e viteve 90.

Fatkeqësisht, Putin po replikon të njëjtin format të Millosheviçit për zgjerimin e territorit të Federatës Ruse. Sidoqoftë, për mua është vështirë të kuptojë se pse Putin do të replikonte të njëjtin koncept duke i veçuar territoret e banuara ruse në Ukrainë me qëllimin për t’i aneksuar – kur Millosheviçi provoi konceptim e ngjashëm para 30 viteve dhe dështoi.

Luftërat në 1990’at përfunduat me disfatë ushtarake të Serbisë dhe gjithashtu kriminalizuan liderët e Serbisë dhe ideologjinë shtetërore të saj për gjeneratat që do të vijnë. Lidershipi politik dhe ushtarak i Putinit tregon ngjashmëri me rrugën e vetë-shkatërrimit të Millosheviçit./Reporteri.net/

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!