×
  • Lajme
  • Lajme / Ekonomi

    “Investimet kapitale 2023 më të lartat ndonjëherë”, si i reagoi opozita ministrit të Financave

    Reporteri
    31 Mars 2024 | 23:04

    Një status i publikuar në Facebook nga ministri i Financave, Hekuran Murati, ku tha se investimet kapitale 2023 janë më të lartat ndonjëherë, ka bërë që ndaj tij të reagojnë ashpër partitë opozitare, shkruan Reporteri.net.

    Hekuran Murati ka thënë se investimet kapitale për vitin 2023 kanë shënuar rritje prej 33 për qind, e që siç thotë ai është niveli më i lartë ndonjëherë.

    Në një postim të bërë në Facebook, ku dhe ka shfaqur një grafikon, Ministri Murati thotë se viti 2023 është përmbyllur me rreth 561 milionë investime kapitale buxhetore të realizuara.

    “Kjo shënon një rimëkëmbje të theksuar të investimeve kapitale krahasuar me vitin paraprak, e njëkohësisht edhe shifrën më të lartë të investimeve kapitale të realizuar ndonjëherë”, tha ndër të tjera Murati.

    Pas kësaj deklarate reaguan zyrtarë të LDK-së dhe PDK-së.

    Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajarami në reagimin e saj tha se investimet kapitale të nivelit qëndror në vititn 2023 janë të njëjta me ato të vitit 2017, 349 milionë euro, veçse siç thotë ajo në vitin 2017 buxheti i Kosovës ka qenë 1.8 miliardë euro, derisa në 2023 buxheti ishte 2.923 miliardë euro.

    “Minister propaganda, Prapë me shifra të pasakta. Edhe një herë sipas ministrisë që ti drejton – ministrisë së financave, investimet kapitale të nivelit qendror në vitin 2023 janë të njëjta me vitin 2017 – 349 milionë euro, vetëm se në vitin 2017 buxheti i Kosovës ka qënë 1.8 miliardë euro e në vitin 2023 buxheti ishte 2.923 miliardë euro dhe inflacioni në 3 vite të qeverisë tuaj është 23%.
    Po krenohesh me ivestimet kapitale të komunave, të cilat në vitin 2023 janë 205 milionë euro dhe nga 2017 janë dyfishu, por ju për komuna asnjë meritë nuk e keni, se veç pengesa ju ke bë si me bllokim të mjeteve vetanake si me tatim në pronë.
    Mjaftë me propagandë se s’po të shitet. Në qeveri të matët puna, jo fjalët.”, ka shkruar Bajrami.

    Ministrit Murati i ka reaguar edhe zyrtari i LDK-së, Berat Rukiqi i cili ka thënë se një gjë e tillë është lajm fallco e manipulim.

    Ai ka thënë se realiteti është se 349 milionë euro investime kapitale ka pasur në vitin 2023, ashtu siç ka pasur edhe në vitin 2017, e siç thotë ai me një dallim, pasi në vitin 2017 buxheti ishte 1.8 miliardë, ndërsa tani ai thotë ishte 2.9 miliardë.

    “Prapë me FAKE NEWS. Prapë me manipulim. Ministri i Financave, në garë me shefin e vet kush po krekoset më shumë, sot paska prezantuar shifra të investimeve, përkatësisht duke e prezantuar vitin 2023 si me të suksesshmin ndonjëherë. Është FAKE NEWS.
    Realiteti:
    349 milionë euro investime kapitale në vitin 2023, 349 milionë euro investime kapitale në vitin 2017. Por këtu qëndron një dallim. Në vitin 2017 buxheti ishte 1.8 miliardë euros, në vitin 2023 ishte 2.9 miliardë euro.
    E këtu fatkeqësia, përveç manipulimit, është kush po (keq) menaxhon me taksat tona. Një grup i të paaftëve dhe një grup i keqmenaxhuesve (me tendera sekret)”, ka shkruar Rukiqi në Facebook.

    Reagime erdhën edhe nga Partia Demokratike e Kosovës. Koordinatori i Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë të PDK-së, Arben Mustafa i ka publikuar një tjetër grafik nga ai i ministrit.

    “Ta paraqitësh nivelin e investimeve kapitale të vitit 2023 si sukses historik është një manipulim i paskrupullt dhe tregon për nevojën dëshpëruese të kësaj qeverie për të gjetur ndonjë rezultat që mund t’ia shesin publikut si pozitiv. Fatkeqësisht për Kosovën, rezultate të vërteta pozitive nuk po mund të gjejnë, sepse nuk e kanë asnjë! Vlera e shpenzimeve kapitale e vitit 2023 është e ngjashme me nivelin e shpenzimeve kapitale të vitit 2012, kur buxheti i Kosovës ka qenë sa gjysma e atij të vitit 2023. Nëse e marrim parasysh inflacionin prej rreth 30% që nga viti 2012, atëherë e kuptojmë se investimet kapitale të vitit 2023 madje vlejnë më pak se ato të vitit 2012 për rreth 30% në terma real.
    Në vitin 2012, 38.5% e buxhetit shkonte për investime kapitale të cilat janë të domosdoshme për zhvillim e mirëqenie, ndërsa në vitin 2023 investimet kapitale përfaqësojnë më pak se 20% të gjithsej shpenzimeve. Kjo pra është rruga kah po na çon kjo qeveri! Taksat e qytetarëve dhe bizneseve nuk po i shfrytëzojnë për zhvillim, por për të financuar skema të ndryshme populliste që në Kosovë po lënë pak e hiq gjurmë, ndërsa po e financojnë importin nga vendet tjera”, ka shkruar Mustafa.

    /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!