×
  • Lajme
  • Lajme

    IPK ende nuk ka vendosur diçka për policen që dyshohet se u konfrontua me një vajzë

    Reporteri
    28 Nëntor 2020 | 18:30

    Një qytetare nga Prishtina, Elona Mehmeti, një muaj më parë është ankuar për një police e cila për shkak të mosmbajtjes së maskës, policja e ka ofenduar atë dhe ia ka shkulur flokët.


    Policia e Kosovës kishte filluar hetimet ndaj polices, ndërsa tani rasti është bartur në Drejtorinë për Hetime të Brendshme për trajtim administrativ disiplinor.

    Por, nga Policia thonë se nuk ka përfunduar koha e hetimit dhe se nuk mund të njoftohet për vendimin ndaj saj.

    Para një muaji, përmes një postimi në një grup në Facebook, Mehmeti pretendoi se ishte duke dalë nga një dyqan, kur një police e ka ndalur atë për shkak që nuk e kishte maskën e vendosur në fytyrë. Ajo pretendon se policja i është drejtuar duke i thënë “..oj ti me buzë të fryme a e din që me të ra virusi t’i qfryn buzët”.

    Gazeta Express ka kontaktuar me Inspektoratin e Policisë së Kosovës, të cilët thonë se rasti është bartur në Drejtorinë për Hetime të Brendshme për trajtim administrativ disiplinor.

    “Inspektorati Policor i Kosovës ka pranuar informacionet lidhur me këtë rast dhe hetuesit e IPK-së e kanë trajtuar fillimisht në Departamentin për menaxhimin e ankesave e pastaj rasti në mungesë të elementeve të veprës penale është bartur në Drejtorinë për Hetime të Brendshme(në Policinë e Kosovës) për trajtim administrativ disiplinor”, thuhet në përgjigjen e tyre.

    Por, nga Policia e Kosovës për Gazetën Express thonë se nuk mund të bëhet i ditur vendimi për policen, deri sa të kalojnë 60 ditë.

    “Policia e Kosovës, çdo herë trajton rastet kur ndonjë zyrtar/e e PK-së pretendohet se ka bërë shkelje disiplinore (me raste penale merret IPK-ja). Sipas Udhëzimit administrativë, hetimi i një rasti ku ka pretendime se është bërë shkelje disiplinore është deri në 60 ditë nga momenti kur njoftohet pala së është duke u hetuar për shkelje disiplinore”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

    Pra, sipas Policisë nuk është konsumuar koha e hetimit, pastaj edhe koha e shqyrtimit nga Komisioni Disiplinor.

    “Kështu, duke pas parasysh se rasti siç po e potenconi edhe ju ka qenë në IPK, e pastaj ka kaluar në PK-ë, pra nuk është konsumuar koha e hetimit, pastaj edhe koha e shqyrtimit nga Komisioni Disiplinor. Kështu, rreth vendimit mund të njoftoheni në një kohë tjetër”, thuhet në përgjigjen e Policisë”, thuhet në përgjijgen e Policisë.

    Elona, në momentin kur kishte ndodhur ngjarja kishte postuar edhe një fotografi të polices, e cila pretendon se ishte pa maskë në momentin kur ia shkroi dënimin.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!