×
Intervista

Ish-ambasadori kosovar në Slloveni e Vatikan: Hapja e temës rreth ambasadës në Jerusalem, aventurë e rrezikshme – Turqia na trajtoi si vilajet

Autor:Mirlind Behluli
01 Prill 2021 | 18:09

Anton Berisha, ambasador karriere i Kosovës, ka folur për Gazetën Online “Reporteri.net” rreth çështjeve aktuale në politikën e jashtme përfshirë dialogun ndërmjet Prishtinës e Beogradit, paralajmërimeve për reforma në Ministrinë e Jashtme e vendosjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem.

Ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme ka dhënë opinionin e tij edhe për parimet e Kryeministrit Albin Kurti rreth dialogut Kosovë-Serbi duke thënë se e rëndësishme është se “çfarë do të veproj ai nga pozita e të parit të vendit.”

Sipas Berishës, që ushtroi detyrën e ambasadorit në Slloveni e Seli të Shenjtë e tash është pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian para së gjithash është dialog me partnerët e Kosovës: SHBA e vendet kryesore të BE-së.

Prandaj, në këtë intervistë për Reporteri.net, ai sugjeron se qeveria e tanishme duhet ta ruaj konstruktivitetin në raport me partnerët duke shmangur përsëritjen e situatave “që kanë dëmtuar pozitën e Kosovës”.

Ambasadori i karrierës, që dikur ishte pjesë e partisë së ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj, ka treguar qëndrimet e tij edhe karshi vendosjes së Ambasadës së Kosovës në Jerusalem, i cili hap u përcoll me shumë komente e reagime nga vende të ndryshme. Berisha njohjen nga Izraeli e ka cilësuar si arritjen më të madhe diplomatike në vitet e fundit.

Por, sipas tij, pati gabime procedurale për shkak të moskordinimit të institucioneve përkatëse si Zyra e Presidentit, Kryeministria e MPJ. E hapja e këtij vendimi për debat do të ishte aventurë e rrezikshme, theksoi ambasadori Berisha.

Ndërkaq për reagimin e Turqisë rreth këtij vendimi, ish-zv.ministri i MPJ-së konsideron se i kapërcen normat diplomatike dhe më “shumë i përngjante një trajtim të Kosovës të formatit të një Vilajeti”.

Për më shumë lexojeni të plotë intervistën me Ambasadorin e karrierës së Kosovës, Anton Berisha, dhënë për Gazetën Online ‘Reporteri.net’:

Reporteri.net: Z.Berisha, ka më shumë se një javë që Qeveria e Kosovës udhëhiqet nga Albin Kurti, lider i Lëvizjes Vetëvendosje pasi kjo parti fitoi mbi 50% të votave. Nga perspektiva e një ish-ambasadori të Kosovës, si i vlerësoni parimet dhe planet e paraqitura nga Kurti në fjalimin e tij të gjatë, i cili u quajt ekspoze, në lidhje me politiken e jashtme të Kosovës në katër vitet e ardhshme?

Anton Berisha: Së pari, të precizojmë një konstatim tuaj në pyetjen, detyrën e ambasadorit në Slloveni, e së fundmi në Selinë e Shenjtë, nuk kanë qenë emërime politike por unë iu kam nënshtruar procesit ligjor, që nënkupton se i takoj grupit të parë të ambasadorëve të karrierës. Rrjedhimisht, termi ish-ambasador i takon të emëruarve politik që kanë kryer një mandat katër vjeçar konform ligjit, përderisa unë mbetem ambasadori Kosovës, ngase ashtu e përcakton ligji dhe normat diplomatike të shteteve demokratike.

Sa i përket pyetjes, mendoj që z.Kurti në gjithë këto vite ka pasur mundësinë t’i thotë të gjitha, ajo çka tash është e rëndësishme për qytetarët e Kosovës është çfarë ai do të veproj nga pozita e të parit të qeverisë dhe nga pozita e udhëheqësit të partisë më të madhe në parlament. Pra, në këtë fazë unë nuk e paragjykoj por presë veprime konkrete në bazë të së cilave mund të japim gjykimet tona.

Kurti ka përsëritur shpesh se dialogu Kosovë-Serbi nuk është ndër prioritetet kryesore të tij. Megjithatë, shefi i ekzekutivit ka listuar parimet e tij dialoguese. Në anën tjetër, përfaqësuesit e BE-së dhe të SHBA-së, ndonëse këta të fundit më pak të zëshëm, kanë theksuar nevojën e rifillimit të dialogut. Si e shihni qasjen e Kurti kundrejt dialogut? A pritni rifillim të shpejtë të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe a besoni se mund të përmbyllet ky dialog i stërzgjatur ndërmjet dy vendeve?

Berisha: E kam thënë shumë herë se dialogu Kosovë-Serbi, për ne, më shumë se dialog me Serbinë është dialog me partnerët tanë: SHBA dhe vendet kryesore të BE-së, ngase ne, nga përvoja historike e largët dhe e afërme, e dimë se Serbia nuk do të jetë një palë konstruktive dhe e interesuar për një dialog të mirëfilltë konform standardeve europiane. Ne, prandaj duhet të jemi të kujdesshëm që të ruajmë konstruktivitetin në raport me partnerët dhe të mos përsëritim situatat në të kaluarën që kanë dëmtuar pozitën e Kosovës qoftë në proceset me BE-në, duke e ditur se nga nënshkrimi i MSA para pesë viteve nuk kemi bërë asnjë hap përpara, qoftë në raport me SHBA të mos krijojmë situata të panevojshme që vetëm e dëmtojnë Kosovën. Me një fjalë, dialogu është një proces përtej Kosovës e Serbisë, që ka të bëjë me rajonin dhe gjeopolitikën euroatlantike, dhe ne nuk guxojmë ta shohim ngushtë ngase mund të dëmtohemi.

Ndërkaq Ministria e Punëve të Jashtme dhe diasporës udhëhiqet nga zonja Donika Gërvalla. Së fundmi ajo ka paralajmëruar “ristrukturim organizativ” në MPJD duke theksuar se bashkim i dy ministrive si “inekzistent”. Madje Gërvalla përmendi se janë 15-20 punëtorë të MPJD që nuk kanë përshkrim të punëve të tyre. Ju për një kohë keni ushtruar detyrën e zv.ministrit në MPJ, si mendoni se duhet t’u qaset këtyre problemeve MPJ nën udhëheqjen e zonjës Gërvalla në mënyrë që diplomacia kosovare të jetë në krye të detyrës?

Mendoj që paraqitjet e para të zonjës Gërvalla janë premtuese. Së pari, ajo është deklaruar qartë sa i përket rrugës euroatlantike të Kosovës, së dyti, sa i përket organizimit të brendshëm ajo ka bërë të qartë se ligji dhe cilësia do të jenë kriteret kryesore që do të aplikohen. Siç, e përmenda në fillim, Kosova me kritere të përcaktuara edhe nga Pakoja e Ahtisarit fillimisht ka ndjekur një rrugë europiane të përzgjedhjes së ambasadorëve dhe diplomatëve të parë, e më vonë me ndërhyrje politike e nepotike, qeveritë kanë avancuar joprofesionistë duke i larguar ose skajuar profesionistët.

Ky degradim, që unë e kam theksuar vazhdimisht, edhe në kohën kur isha zëvendësministër i jashtëm, duhet të ndërpritet, dhe MPJ e stafi diplomatik duhet të jenë në dispozicion të shtetit dhe jo të partive politike dhe individëve të caktuar.

Krahas “ristrukturimit organizativ”, sipas jush çfarë tjetër duhet të bëhet në MPJD?

E thashë, më lartë, një ristrukturim organizativ, një qasje e drejtë, e paanshme, me kritere ligjore e profesionale, ashtu që njeriu i duhur të jetë në vendin e duhur. Edhe, nga aspekti i profesionit primar timin inxhinierik, gjërat natyrshëm janë të thjeshta, vetëm se duhet në bazë problemet të shtrohen mirë. Besoj, në qoftë se ka vullnet, MPJD mund të vihet në shtratin e duhur.

Ka një temë e cila ka shpërfaqur dallimet brenda Qeverisë Kurti II. Është çështja e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem, që për një kohë ishte krye-temë në diplomacinë kosovare dhe mjaftë e diskutuar në qarqet mediatike të vendit. Tashmë kemi një dallueshmëri në qëndrime ndërmjet Kryeministrit Kurti dhe Ministres Gërvalla. I pari i Qeverisë, e që është edhe shef i Ministres Gërvalla, i ka premtuar Turqisë “rishqyrtimin” e vendimit për hapjen e Ambasadës sonë në Jerusalem. Në anën tjetër, Gërvalla e ka quajtur punë të kryer këtë çështje. Ju keni qenë aktiv me deklarime në lidhje me këtë temë. Si i shihni këto dy qëndrime të ndryshme të Kurtit dhe Gërvallës? A është e shëndetshme që kryeministri dhe ministrja e Punëve të Jashtme të kenë dallime të shprehura publikisht për një çështje kaq të rëndësishme?

E thashë në fillim, se nuk është me rëndësi se çka është thënë deri më tani por çfarë veprimesh zyrtare do të merren nga qeveria e Kosovës. Unë, e kam përshëndetur publikisht qëndrimin e ministres z. Gërvalla se çështja e ambasadës në Izrael është një çështje e mbyllur, dhe më vjen mirë që ajo ka thënë atë çfarë unë e kam theksuar vazhdimisht se hapja e çfarëdo debati për këtë çështje është një aventurë e rrezikshme për ne.

A ka qenë i duhur vendimi për dërgimin e Ambasadës sonë në Jerusalem dhe a konsideroni se është menaxhuar mirë kjo çështje nga ana e palës kosovare?

Natyrisht, që njohja nga Izraeli ka qenë arritja më e madhe diplomatike e Kosovës në vitet e fundit, mbase në dekadën e fundit dhe debati i hapur ka qenë krejt i panevojshëm. Sa i përket veprimeve zyrtare të qeverisë së Kosovës, ka pasur gabime procedurale të brendshme ashtu sic ka pasur shumë të tilla edhe në të kaluarën për shkak të moskordinimit të institucioneve përkatëse kompetente, Zyra e Presidentit, Kryeministria dhe MPJ. Sidoqoftë, shpresojmë që në të ardhmen do të ketë një koordinim dhe ndjekje e hapave sipas normave diplomatike.

Për çështjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem kishte shumë reagime. Bashkimi Evropian dhe Turqia ishin dy nga zërat më kundërshtues të këtij vendimi të institucioneve kosovare. A mendoni se janë lënduar marrëdhëniet me BE-në, organizatë ku Kosova synon të integrohet, dhe a mund kjo çështje ta pengoj rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së? Po ashtu, si duhet diplomacia kosovare t’i qaset kundërshtimit turk rreth ambasadës së Kosovës në Jerusalem?

Për të saktësuar, deklarata e Bashkimit Europian ishte një qëndrim në vazhdimësi nga ana e tyre, por nuk ka pasur ndonjë veprim konkret kundërshtues e aq më pak ndonjë presion ndaj Kosovës për të mos hapur ambasadën. Kjo, u pa, edhe me veprimin e një anëtari të BE-së, Çekisë, e cila në ndërkohë hapi Zyrën Diplomatike në Jerusalem.

Sa i përket Turqisë, kundërshtimi i saj ishte konkret, që kapërcen normat diplomatike në komunikimin e dy shteteve të pavarura dhe më shumë i përngjante një trajtim të Kosovës të formatit të një Vilajeti.

Sa i përket BE-së, hapja e ambasadës së Kosovës në Jerusalem nuk ka shkaktuar dhe nuk do të shkaktoj asnjë lëndim, përderisa Turqisë, si një shtet mik, përmes përfaqësuesit diplomatik në Ankara dhe në kanale të tjera diplomatike duhet sqaruar se ky veprim është në interesin e Kosovës dhe nuk ka asnjë qëllim negativ ndaj Turqisë apo cilitdo vend tjetër. Natyrisht, ne nuk mund të heqim dorë prej një aleati me peshë botërore çfarë është Izraeli për hirë të Palestinës, e cila vazhdon ta konsideroj Kosovën si pjesë të Serbisë, e duke qenë ndër më të zëshmet edhe në përmasa botërore.

Në shtator të vitit të kaluar, Kosova dhe Serbia nënshkruan një “marrëveshje” në Washington nën udhëheqjen e ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump. Megjithatë Kurti sa ishte në opozitë e kundërshtoi atë marrëveshje duke e bërë të qartë se nuk do ta respektonte kurdo që bëhet kryeministër. Si mendoni se duhet të veprojë Qeveria Kurti karshi “marrëveshjes” së Washingtonit?

Shteti i Kosovës është produkt i përpjekjeve tona shekullore për liri e pavarësi, dhe realizimi i saj është mundësuar falë angazhimit të SHBA-së dhe shteteve kryesore europiane siç janë Britania e Madhe, Gjermania, Italia, Franca që në fakt kanë qenë boshti i Grupit të Kontaktit që kanë vënë parimet e formimit të shtetit të Kosovës duke mundësuar edhe legjitimitetin ndërkombëtar në botën demokratike. Asnjë qeveri nuk mund të dalë jashtë këtij formati dhe nuk pres ta bëj as kjo qeveri.

Ajo çfarë presë është koordinimi me partnerët strategjik të cilët janë jetik për shtetin të Kosovës.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!