×
  • Lajme
  • Lajme / Paralajmërimet për luftë

    Ish-hetuesi i Policisë: Serbia nuk i ka më shumë se 12 mijë trupa që mund t’i mobilizojë kundër Kosovës

    Reporteri
    20 Nëntor 2023 | 22:04

    Serbia e ka rrethuar Kosovën me 48 baza ushtarake në kufi, ndërsa nga institucionet e sigurisë në Kosovë merret si kërcënim pasi ata vlerësojnë se forcat serbe janë duke pritur një moment të volitshëm për invadim të Kosovës.

    Shqetësimet e zyrtarëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe të Bashkimit Evropian (BE) se incidentet e dhunshme në Kosovë mund të shndërrohen në “konfrontim rajonal”, duhet pranuar me kujdes.

    Këto shqetësime po forcohen edhe më shumë nga preokupimet e kryeministrit, Albin Kurti dhe ministrit të Mbrojtes, Ejup Maqedonci.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se në Rashkë të Serbisë, po shihet një riorganizim i grupit paramilitar dhe terrorist i Millan Radoiçiqit, me mbështetje dhe udhëheqje të shtetit serb. Sipas Kurtit, më 10 nëntor, Radoiçiq udhëhoqi një takim me rreth 40 politikanë serbë dhe zyrtarë të komunave ilegale nga Kosova.

    Ndërsa së fundi, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka deklaruar se Serbia e ka rrethuar Kosovën me 48 baza ushtarake në kufi dhe se “po presin një moment të volitshëm për mësymje” në Kosovë.

    Ish-hetuesi i Policisë së Kosovës në veri, Murat Mehmeti thotë se grupet kriminale në veri të vendit janë dobësuar shumë në këtë pjesë të Kosovës.

    “Nuk mund të them se janë mposhtur plotësisht, por janë dëbuar në masë grupet kriminale në veri të vendit. Prej 23 viteve nuk e mbaj në mend një lëvizje kaq të lirë të qytetarëve në veri. Qytetarëve serb iu ka ikur frika dhe vazhdojnë të regjistrojnë veturat me targa të Kosovës”, deklaroi ai në RTV Dukagjini.

    Ish-hetuesi thotë se prej vitesh i përcjellë lëvizjet ushtarake në Serbi.

    Ai thotë se nuk duhet të mbivlerësohet fuqia e Serbisë.

    “Unë jam i sigurt se ai që i kupton aspektet ushtarake e di. Serbia nuk i ka më shumë se 12 mijë trupa që mund t’i mobilizojë. Kanë probleme të mëdha me rekrutimin e ushtarëve. Eprorë të Serbisë gjatë punës sime hetuese më kanë treguar se janë të dërrmuar totalisht. Së pari askush nuk ka disponim për luftë dhe e dyta ka një ushtri profesioniste që e braktisin çdo ditë. Nuk është më atmosfera e viteve të ’90-ta. Ndjehen të dërrmuar. Kanë probleme ekonomike dhe nuk shoh rrezik prej tyre”, shprehet tutje ish-hetuesi policor.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!