×
  • Lajme
  • Lajme

    Ish-këshilltari Shkëlzen Gashi: Lufta ishte e drejtë, por UÇK-ja ka pasur gabime, si zgjedhja drejtor e Thaçit

    Reporteri
    28 Maj 2020 | 12:43

    Shkëlzen Gashi, ish-këshilltari politik i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, iu ka kundërpërgjigjur një deklarate të mbrëmshme të presidentit Hashim Thaçi lidhur me të dhe fjalët e thëna rreth UÇK-së.


    Gashi thotë se nuk e ka quajtur terroriste UÇK-në, por e ka përsëritur që “Pjesëtarë / individë nga radhët e UÇK-së, madje me pozita të larta, sipas raporteve të organizatave prestigjioze ndërkombëtare dhe vendimeve të gjykatave ndërkombëtare, kanë qenë të përfshirë në krime”, shkruan Reporteri.net.

    “Presidenti i Kosovës, z. Hashim Thaçi, mbrëmë në emisionin Debat Plus të TV Dukagjinit deklaroi se «…këshilltari i Kryeministrit të Kosovës e ka quajtur UÇK-në terroriste dhe ushtarët e UÇK-së kriminelë». Nuk kam deklaruar asnjëherë se UÇK-ja ishte terroriste, e as se ushtarët e UÇK-së ishin kriminelë. Përkundrazi. E përsëris deklaratën time: «Pjesëtarë / individë nga radhët e UÇK-së, madje me pozita të larta, sipas raporteve të organizatave prestigjioze ndërkombëtare dhe vendimeve të gjykatave ndërkombëtare, kanë qenë të përfshirë në krime»”, ka thënë Gashi, shkruan Reporteri.net.

    Tutje në postimin e tij, Gashi thotë se UÇK-ja ka bërë gabime dhe ka theksuar, sipas tij, gabimin kryesor të saj që thotë se është pranimi i Thaçit si drejtor politik.

    “Natyrisht, lufta e UÇK-së ishte e drejtë, sepse ishte çlirimtare. A ka bërë UÇK-ja gabime? Sigurisht që ka bërë dhe për këto gabime duhet të diskutojmë. Ta zëmë, gabimi i saj i parë dhe kryesor ishte që ka pranuar ta ketë drejtor politik Hashim Thaçin”.

    Ky është postimi i plotë i tij:

    Hashim Thaçi, Dick Marty, Gjergj Dedaj dhe Gjykata Speciale

    Presidenti i Kosovës, z. Hashim Thaçi, mbrëmë në emisionin Debat Plus të TV Dukagjinit deklaroi se «…këshilltari i Kryeministrit të Kosovës e ka quajtur UÇK-në terroriste dhe ushtarët e UÇK-së kriminelë». Nuk kam deklaruar asnjëherë se UÇK-ja ishte terroriste, e as se ushtarët e UÇK-së ishin kriminelë. Përkundrazi. E përsëris deklaratën time: «Pjesëtarë / individë nga radhët e UÇK-së, madje me pozita të larta, sipas raporteve të organizatave prestigjioze ndërkombëtare dhe vendimeve të gjykatave ndërkombëtare, kanë qenë të përfshirë në krime».

    Natyrisht, lufta e UÇK-së ishte e drejtë, sepse ishte çlirimtare. A ka bërë UÇK-ja gabime? Sigurisht që ka bërë dhe për këto gabime duhet të diskutojmë. Ta zëmë, gabimi i saj i parë dhe kryesor ishte që ka pranuar ta ketë drejtor politik Hashim Thaçin.

    Presidenti Thaçi në intervistën e mbrëmshme e përmendi Raportin e Dick Marty-t. Duhet thënë se në atë raport, Hashim Thaçi përmendet plot 26 herë. Pas publikimit të këtij raporti, z. Hashim Thaçi, atëherë Kryeministër i Kosovës, pati paralajmëruar se do ta padiste Dick Marty-n për shpifje. Kuptohet, lëre që nuk e paditi asnjëherë, por madje e themeloi Gjykatën Speciale mbi bazën e Raportit të Dick Marty-t.

    Edhe diçka. Kryetari i Partisë Liberale të Kosovës, z. Gjergj Dedaj, e ka akuzuar publikisht Hashim Thaçin duke thënë se gjatë luftës në Kosovë e pati torturuar fizikisht atë dhe disa veprimtarë të LDK-së. Hashim Thaçi iu përgjigj këtyre akuzave duke e emëruar Gjergj Dedajn katër herë zëvendës-ministër: në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale (2008); në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (2013); në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (2015) dhe së fundmi në Ministrinë e Punëve të Jashtme (2017). Më vonë, në vitin 2018, Presidenti Thaçi e dekoroi Dedajn me Medaljen Presidenciale në 10-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, e më pas, po më 2018, e caktoi Ambasador të Jashtëzakonshëm Fuqiplotë në Shkup.

    Pra, Hashim Thaçi nuk e paditi Dick Marty-n, e themeloi Gjykatën Speciale, e emëroi, e dekoroi dhe e dekretoi Gjergj Dedajn. Me të gjitha këto, ai i pranoi akuzat se ka bërë shkelje të rregullave të së drejtës humanitare ndërkombëtare. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!