Ish-ministri Ismaili në emër të babait e fëmijëve jep një mesazh mbështetës për personat e vetizoluar nga koronavirusi

Ish-ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka dhënë një mesazh mbështetës për të gjithë personat e vetizoluar nga koronavirusi.


Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se në luftë me viruset ngjitëse, një ndër armët më të forta për të fituar janë dhembshuria, mirëkuptimi dhe ndihma për njëri-tjetrin.

Ai thotë se është tejet e nevojshme që individët që hyjnë në vetizolim t’i përkrahim si shoqëri e jo t’i stigmatizojmë, çka i ka falënderuar në emër të tij, babit e fëmijëve, shkruan Reporteri.net.

Postimi i tij:

Një gjë me shumë rëndësi:

Në luftë me viruset ngjitëse, një ndër armët më të forta për të fituar janë dhembshuria, mirëkuptimi dhe ndihma për njëri-tjetrin.

Është tejet e nevojshme që individët që hyjnë në vetizolim t’i përkrahim si shoqëri e jo t’i stigmatizojmë.

Çdo njeri që këtyre ditëve ka pasur kontakt me ndonjë të dyshuar, që ka ardhur nga shtetet me rrezikshmëri të lartë infektimi, dhe vendos masa izoluese – është duke na bërë një shërbim neve dhe më të dashurve tanë.

Andaj mbështetja jonë private dhe publike është e nevojshme për të gjithë këta individë. Gatishmëria e tyre mund të rezultojë e sukesshme, vetëm nëse ne me mbështetjen tonë për ta të bëhemi pjesë e zgjidhjes së problemit.

Vetizolimi i këtyre individëve më shumë është masë mbrojtëse për neve sesa për ta. Solidaritetin e tyre ne duhet ta kthejmë me më shumë solidaritet.

Me ndjeshmërinë tonë ne mund të ndikojmë që frika nga stigma dhe turpi të mos përkeqësojmë edhe gjendjen e tyre psikologjike e shpirtërore. Prandaj ne duhet që gatishmërisë së tyre për vetizolim t’i duartrokasim dhe t’i japim mirënjohjen e dashurinë tonë.

Andaj për të gjithë të vetizoluarit – Faleminderit!

Në emrin tim, të Arizonës, fëmijëve të mi Omerit e Umës, e sidomos në emër të babait tim 82 vjeçar.

Ju kemi borxh ❤

Një gjë me shumë rëndësi: Në luftë me viruset ngjitëse, një ndër armët më të forta për të fituar janë dhembshuria,…

Publiée par Uran Ismaili sur Mardi 17 mars 2020