×
  • Lajme
  • Lajme

    Jahjaga dhe RrGK kritikojnë ashpër deputeten Brovina

    Reporteri
    16 Maj 2019 | 17:43

    Pas publikimit të një fotoje nga deputetja Flora Brovina që dëshmon dhunimin e një gruaje nga forcat ushtarake serbe gjatë luftës në Kosovë, ka reaguar edhe ish-presidentja Atifete Jahjaga dhe Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK).

    Jahjaga e ka quajtur të gërditshëm, neveritshëm e të turpshëm veprimin e Brovinës.

    “Një goditje e rëndë u është bërë sot mijëra të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë me publikimin e pamjeve që tregojnë dhunimin e një gruaje nga forcat ushtarake serbe gjatë luftës! Është e gërditshme, e neveritshme, dhe e turpshme se si një depuetete e Kuvendit të Kosovës, e cila dikur ngriste dorën kundër të drejtave të grave e burrave të dhunuar seksualisht gjatë luftës në Kosovë, sot shfrytëzoi pikërisht godinën e Kuvendit për të publikuar para mediave një fotografi që thuhet se dokumenton aktin e dhunimit të një gruaje shqiptare nga tre ushtarë serbë”, ka shkruar Jahjaga në Facebook.

    Jahjaga më tej ka thënë se publikimi i kësaj fotografie cenon rëndë privatësinë e viktimës dhe ritraumatizon të gjithë të mbijetuarit e dhunës seksuale.

    “Veprimi i deputetës është joetik, joligjor, e jonjerëzor! Publikimi fotografisë cenon rëndë privatësinë e viktimës dhe mund të çojë në zbulimin e identitetit të një dëshmitareje potenciale të krimit që Serbia ka kryer ndaj popullit tonë. Publikimi i asaj fotoje ri-traumatizon viktimën dhe të gjithë të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe dekurajon të mbijetuarit që të dalin përpara me të vërtetën mbi krimin që është kryer mbi trupat e tyre”, ka deklaruar ajo.

    Jahjaga ka kërkuar nga autoritetet drejtësisë që të hetojnë veprimin e Brovinës dhe të veprojnë në përputhje me ligjin.

    “Publikimi i fotografisë është një goditje e rëndë për dinjitetin e gruas që shihet në fotografi dhe është një goditje e rëndë për luftën tonë për drejtësi për mijëra gra e burra që u bënë cak i një fushate të egër të dhunimit seksual që Serbia kreu në Kosovë gjatë luftës së 1998-1999 për ta spastruar Kosovën etnikisht nga shqiptarët! U bëjë thirrje mediave që të largojnë fotografinë nga platformat e tyre për të mos e dëmtuar viktimën edhe më shumë! U bëjë thirrje autoriteteve të drejtësisë që të hetojnë këtë veprim dhe të veprojnë në përputhje me ligjin!”, ka shtuar Jahjaga.

    Në fund Jahjaga ka thënë se “të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë nuk janë vegla që mund t’i përdorni për spektaklet e juaja politike”.

    RrGK ka thënë se me këtë veprim, Brovina ka shkelur parimin e dinjitetit të të mbijetuarave.

    “Konsiderojmë se zonja Brovina me këtë veprim ka shkelur parimin e dinjitetit të të mbijetuarave, duke kujtuar se përmes kësaj fotografie është zbuluar edhe trupi i të mbijetuarës së dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Po ashtu, zonja Brovina ka shkelur Nenin 23 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, i cili përcakton se dinjiteti i njeriut është i pacenueshëm dhe është bazë e të gjitha të drejtave dhe lirive themelore të njeriut”, thuhet në reagimin e RrGK-së.

    Kurse Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK)  ka thënë se publikimi i fotografisë është shumë shqetësues dhe ndikon në përkeqësim të gjendjes emocionale të të mbijetuarës.

    Po ashtu, ky rrjet ka thënë se e sheh dekurajuese për raportimin nga të mbijetuarat tjera të dhunës seksuale dhe se veprimi i Brovinës nuk ndihmon në arritjen e drejtësisë.

    “RrGK kërkon nga institucionet e Kosovës që nismat që ata ndërmarrin të jenë gjithpërfshirëse, duke mos përjashtuar askënd, siç ishte Rezoluta e votuar në Kuvendin e Kosovës. Për 20 vite kanë qenë organizatat e grave ato që kanë ofruar mbështetje për këto gra e burra, derisa institucionet për 17 vite me radhë kanë qëndruar në heshtje. Në prononcim para mediave, zonja Brovina pohon se këto dëshmi janë paraqitur para organeve të drejtësisë, mirëpo sipas saj, as Prokuroria Speciale e as EULEX-i asnjëherë nuk kanë intervistuar këto viktima. Nëse kjo qëndron, RrGK mbështet fuqishëm dhe pa asnjë rezervë çdo rrugë institucionale në kërkim të drejtësisë për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, mirëpo ky veprim i zonjës Brovina nuk ka kontribuuar në arritjen e drejtësisë, gjetjen e kryesve të këtyre krimeve apo trajtimin e dinjitetshëm të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë”.

    Në fund, RrGK ka kërkuar nga deputetët e Kosovës që të kërkojnë llogari nga gjykatat për mungesën e reagimit institucional dhe trajtimin dinjitoz të rasteve të dhunimeve seksuale të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë. /Reporteri.net/.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!