×
  • Lajme
  • Lajme

    Japonia e ndihmon Kosovën me mbi 718 mijë dollarë në luftën kundër coronavirusit

    Reporteri
    26 Maj 2020 | 18:34

    Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Arben Vitia, priti sot në takim të ngarkuarin me punë në Ambasadën Japoneze në Prishtinë, Mitsunori Ogasawara.


    Në këtë takim Ogasawara tha se Japonia e sheh krizën COVID-19 si një krizë të sigurisë njerëzore dhe për këtë qëllim dëshiron ta ndihmojë Kosovën në përballimin e saj.

    “Për këtë qëllim, Japonia ka ndarë 718.200 dollarë për popullin e Kosovës përmes UNICEF-it”, tha Ogasawara.

    Ai bëri të ditur se Japonia siguron produkte mjekësore, sanitare dhe higjienike si dhe mundësi për arsimim të vazhdueshëm për fëmijët. “Është e rëndësishme që kontributi ynë të lehtësojë një shoqëri gjithëpërfshirëse bazuar në idenë e sigurisë njerëzore dhe që askush të mos mbetet prapa”, tha ai.

    Ministri Arben Vitia e ka njoftuar të ngarkuarin me punë në Ambasadën Japoneze në Prishtinë lidhur me menaxhimin e pandemisë Covid-19 ku kontributi ndërkombëtar, krahas organizimit të institucioneve të Kosovës, profesionistëve shëndetësor dhe qytetarëve, ka ndikuar që suksesi në menaxhimin e pandemisë në Kosovë të jetë i prekshëm.

    Ai falënderoi shtetin e Japonisë për mbështetjen që i ka dhënë sistemit shëndetësor të Kosovës në ngritjen e kapaciteteve, në sigurimin e pajisjeve për institucionet shëndetësore dhe mbështetjen në luftën kundër Covid-19.

    Në këtë takim nga Mitsunori Ogasawara u bë e ditur se aktualisht Japonia po bën çdo përpjekje për të zhvilluar ilaçe kundër Covid-19 dhe ka vendosur të zgjerojë hulumtimet klinike mbi disa lloje të tyre përmes bashkëpunimit me komunitetin ndërkombëtar, me të cilat terapi do të ndihmohet edhe Kosovën në rast se do të ketë një valë të re eventuale të Covid-19. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!